Këndvështrim

Testimi në optikën e nxënësve dhe mësuesve

Sa të rëndësishme janë provimet? Si shihen testet në këndvështrimin e mësuesve, po të nxënësve? A ka pakënaqësi për to? A do të ishin më efektive kuicet në vend të testeve për të matur dijet?


Pakënaqësitë që shkaktojnë testet tek nxënësit


Testet shpesh identifikohen si makthi i gjallë i nxënësve dhe studentëve. Cili nxënës do dëshironte të testohej në lëndët mësimore, veçanërisht tek ato më pak të dëshiruarat? Me gjasë, asnjë. Përveç reputacionit ‘famëkeq’, sërish testet mbeten metoda më efektive në arritjen e mësimdhënies. Në këtë pikë, secili mësues bie dakord, se nëpërmjet testimeve, kemi një seri faktorësh që ndikojnë në mësimdhënien e duhur, si: përgatitja, nxënia e mësimit, memorizimin, imagjinatën, të menduarit kritik. 


Sa të rëndësishme janë provimet?


Përtej emërtimeve negative, nxënësit prezantohen me versionin e shëmtuar të testimeve. Nota e keqe tregon se ata kanë bërë gabim, dhe gabimi lidhet me te keqen, me ndëshkimin. Qëllimi i testeve është t’i tregojë mësuesit përgatitjen e nxënësit, vullnetin dhe nxënien e mësimit, duke i dhënë mundësi të vlerësojë nxënësit më të përgatitur. Roli i mësuesit është t’u shpjegojë nxënësve, se gabimi nuk i përcakton ata si të paaftë për t’ia dalë. Nisur nga këto, shumë shtete të zhvilluara, si: Singapori apo Japonia, kanë zgjedhur që në klasat fillore të mungojnë vlerësimet nëpërmjet testimeve. Pse ndodh kjo? Përpara se t’i përballim nxënësit me sfidën, nxënësve u tregohet vlera dhe bukuria e librave, dijes dhe etikës. 


Testet në optikën e mësuesve 


Përmes testeve, mësuesit dalin në përfundim e angazhimit dhe përgatitjes së nxënësve. Pyetjet e hartuara qartë, kuptueshëm dhe që e specifikojnë konceptin në fjalën, janë ndihmese edhe për nxënësit. Sidoqoftë, testet e shkruara jo domosdoshmërish tregojnë arritjen e rezultateve tek nxënësit. Mbi këtë drejtim bien dakord edhe shumë mësues. Kjo ndodh për shkaqe të ndryshme: emocionet ndikojnë në performancën e ulët, problemet që mund të kenë pasur me tezën, apo tekstin, presioni i kohës, nxitimi, ankthi, stresi, keqkuptimi i kërkesave të kërkuara, shëndeti fizik. Në fund, mësuesit arrijnë të bëjnë një ndarje për nxënësit që janë gjithmonë aktiv në orët e mësimit dhe gjatë provimit nuk dalin në rezultatin e pritur. Testimi në këtë vazhdë krijon dhe barriera të paqena në mendjet e studentëve, e për pasojë vlerësimi mund të jetë i dobët. 


Testet në optikën e nxënësve


Në vendin tonë, këto shembuj mbeten ende shumë vite larg. Dita-ditës, ankesat e mësuesve, prindërve dhe nxënësve po kthen në fenomen përsëritës. Provimet e klasave të pesta shikohen nga shumë prindër dhe mësues si burokraci pa logjikë dhe ulje motivacioni tek fëmijët. Provimet e klasave të nënta ndikojnë tek shumë nxënës në shtimin e ankthit, stresit dhe pakënaqësive ndaj sistemit. Provimet e maturës janë dëshmi e vazhdueshme e shkakut pse shumë të rinj e braktisin Shqipërinë. Problemet me tezat, tekstet, kopjimet, uljeve të ndjeshme e motivacionit, shtimi i ankthit, stresi përbëjnë një listë e frikshme me pakënaqësi dhe vrima të zeza në sistemin arsimor. 

Testi, në syrin e shumë nxënësve shikohet si metodë e vjetër. Një test ka në dorë të ardhmen e një individi. Pesha krijon stepjen dhe frikën më të madhe tek nxënësit. Praktikisht, që nga bankat e para të klasës, gjer në përfundimin e gjimnazit, testet janë mekanizmi që shkakton lodhje dhe padëshirë. E nëse, ndryshimi do ishte në dorë të nxënësve, pa dyshim do kishim një eliminim të testeve, për t’u zëvendësuar me diçka tjetër. 


Kuice në vend të testev


Flitet shumë mbi rinovimin e kurrikulave dhe metodave bashkëkohore, por shumë pak aplikohen në bazë të perimetrave të parashikuar, veçanërisht në vendin tonë, ku në teori flasim të rejat e arsimit dhe në praktikë ngelemi tek metodat tradicionale. Mungesa e infrastrukturës na bën jo gati për të përqafuar përparimet perëndimore. Për shembull, nëse do merrej vendimi i heqjes së testimeve për t’u zëvendësuar me metoda të reja, si kuicet, pa dyshim ky lajm nuk do të mirëpritej mirë. Testimi qëndron në rrënjët e thella të sistemit vlerësues dhe përgatitor. Zhdukja e kësaj metode të fortë, nënkupton çorientim të vetë sistemit arsimor dhe edukativ. Megjithatë, nëse do të përzgjidhej një klasë e posaçme, eksperimentale, për të parë dobitë që kanë kuicet tek nxënësit, pa dyshim do të ishte një metodë efikase. E marrë në formën e një studimi, do të vihej re se përgatitja e nxënësve do të ishte më e lartë krahasuar me testet. Pse ndodh kjo? Kuicet stimulojnë argëtimin dhe frymën konkurruese. Praktikisht, nxënësve u pëlqen të marrin pjesë, duke e krahasuar me një lojë nga ku dalin të fituar.  



Burimi:https://www.forbes.com/sites/nataliewexler/2018/12/19/how-students-and-teachers-can-benefit-from-testing/?sh=126101e36781 



Përgatiti: Xhoana Jaku

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,471 Lexime
2 vjet më parë