"Të mbash në xhep një zanat…"

Xhavit Drishti, ish-profesor i matematikës, ishte një njeri i jashtëzakonshëm. Ai shquhej për finesën e tij, talentet e shumëfishta, si rrobaqepës, muzikant dhe kuzhinier. Filozofia e tij ishte: "Gjithnjë duhet të mbash në xhep një zanat," një mësim që përcolli gjatë gjithë jetës.

Shkrim nga Evans Drishti


Të mbash në xhep një zanat…

Një porosi nga ish-profesori i Matematikës nga Shkodra, Xhavit Drishti (i ndjerë)


Vinte shpesh në shtëpinë tonë. Na bënte përshtypje kujdesi që tregonte dhe finesa që shfaqte kur hynte në shtëpi, si dhe paraqitja e tij madhështore. Vishej gjithnjë me sqimë dhe prezantohej me shumë rregullsi. Ta kishte ënda ta shihje në pamje të jashtme; një trup shtatlartë, këmishat e tij shumëngjyrëshe me një stil shumë të spikatur dhe të veçantë, xhaketat që i ndërronte në çdo ardhje, ku mbizotëronte diçitura dhe kompozimi shumë interesant dhe tërheqës, madje edhe kopsat ishin të ndryshme nga të zakontat.


Bisedat e tij ishin sa serioze aq edhe gazmore, pasi gjithnjë e karakterizonte një humor mjaft i ëmbël. Trajtonte çështje të aktualitetit, tema sociale e kulturore. Në profesion ishte mësues i një lënde mjaft delikate siç ishte matematika, dhe ta ushtroje këtë profesion në një gjimnaz prestigjioz dhe me emër siç ishte “28 Nëntori”, kjo ishte akoma më e goditur.


Kishte vite që e ushtronte mësimdhënien e matematikës, duke u treguar shumë konçiz dhe i drejtpërdrejtë. Të shumta ishin ndodhitë e tij me nxënës të ndryshëm. Pasi njihej jo vetëm për profesionalizmin e tij si ekspert i matematikës, por edhe për çiltërsinë, kthjelltësinë, larmishmërinë e mendimeve, komunikimin e tij shumëdimensional, me të cilin kishte arritur të fitonte zemrat e shumë nxënësve adoloshentë. Mjaftonte një zgjidhje ushtrimi në tabelë, dhe tema qartësohej në çast për të gjithë.


Asnjëherë nuk vështirësonte, përkundrazi preferonte t’ua lehtësonte punën nxënësve të vet. Si i tillë kishte fituar një simpati dhe popullaritet të dukshëm prej shumë vitesh tashmë eksperiencë. Kishte shumë aspekte që e bënin të veçantë si njeri dhe intelektual, pasi nuk kishte ngelur vetëm në mësimdhënie.


Ishte një rrobaqepës i shkëlqyer. Ishte kthyer në një profesionist të vërtetë duke qepur shumë rroba për burra dhe për gra, të cilat i sillte në një model tepër të admirueshëm. Nuk mungonin fustanet për gra dhe vajza që i qepte me aq kërshëri, bluzat dhe veçanërisht këmishat e burrave, të cilat nuk arrije të kuptoje nëse ishin vërtetë të qepura apo të blera në dyqan. Kur shkoje për vizitë në shtëpinë e tij arrije të kuptoje qartë se me sa pasion angazhohej në këtë zanat fisnik. Makina qepëse dhe materialet e tjera të punës zinin një vend të rëndësishëm në dhomën e tij, ku punonte me shumë emocion dhe dashuri.


Ai ishte edhe një muzikant mjeshtër. U binte disa veglave muzikore si: fizarmonika dhe trompeta. Ndjeje dhe përjetoje një kënaqësi të paparë, kur e dëgjoje tek luante në këto vegla muzikore. Edhe këtë pasion e ushtronte prej shumë vitesh. Luante shumë pjesë të magjishme dhe teksa i dëgjoje s’kishe se si të mos humbisje në një tjetër botë. Zinte vendin qëndror në shumë gëzime familjare, madje me profesionalizmin e tij kishte arritur të depërtonte edhe në orkestrën e qytetit. Tingujt melodiozë që lëshonte të merrnin me vete.


Bashkë me muzikën triumfues ishte edhe zëri i tij. Pasi këndonte mjaft bukur, veçanërisht këngë popullore.

Edhe gatimi ishte njëri nga pasionet e tij. Sa herë që gjente kohë, i hynte kuzhinës me plot dëshirë dhe vullnet, duke realizuar reçeta mjaft të shijshme. Spikaste për shije dhe gusto tepër të mëdha. Kishte një sy sa kritik aq edhe artistik. Çdo gjë në shtëpinë e tij e shihje të zinte vend me një gusto dhe shije tejet të veçantë. Pasi e vlerësonte të bukurën, të hijshmen, të këndshmen, të veçantën.


Në vizitat që bënim në shtëpinë e tij, minutat dhe orët s’kuptoheshin fare, pasi çdo moment i qëndrimit atje ishte vetëm argëtim. Argëtohej njeriu edhe me fjalët e tij plot peshë dhe urtësi, edhe me shijet e tij muzikore, ashtu sikurse edhe me gatimet e tij të magjishme.


Gjatë bashkëbisedimeve, spikaste një fjali e tij tepër domethënëse që ruante aktualitetin:

“Gjithnjë duhet të mbash në xhep edhe një zanat, përveç profesionit që ushtron, pasi kurrë nuk ngelesh në rrugë.”


Kjo ishte shprehja e spikatur, por edhe motoja e jetës e intelektualit të ndjerë Xhavit Drishti. Pasi nuk kishte ngelur kurrë vetëm në mësimdhënie, megjithë profesionalizmin që shfaqte në çdo kohë, por paralelisht kishte ushtruar edhe pasionet e veta, të cilat qenë kthyer në profesione. Të gjitha këto e kishin ndihmuar vazhdimisht të plotësonte dëshirat e veta.


Ndaj ai dallonte për: Paraqitjen e jashtme, Çastet gazmore dhe të këndshme që dhuronte me muzikën e tij;Veshjet e qëndisura nga dora e tij plot finesë dhe stil të veçantë, Shijet dhe gustot e veçanta; Stilin e tij të posaçëm në gjërat që ushtronte në përditshmërinë e tij; Fjalën e tij plot peshë e domethënie; Vizionin dhe diapazonin e tij gjithpërfshirës dhe largpamës; Korrektësinë dhe komunikimin plot finesë prej një intelektuali të vërtetë;


Respekte dhe mirënjohës ndaj figurës së Xhavit Drishtit, për vlerat intelektuale që përcolli në shoqërinë shkodrane dhe mbarë shqiptare.


Prandaj s’duhet të harrojmë:

  • Pasionet lindin me natyrën e njeriut, ndaj përpara se të ushtroheni në një profesion të caktuar, çdo i ri/e re e ka më të lehtë të ushtrojë dhe të përvetësojë pasionet e veta.
  • Intelektual, nuk është ai që thjesht ushtron një profesion të caktuar, por ai që ofron shërbime të ndryshme të vlefshme dhe të dobishme për masën e gjerë.
  • Çdo prind dhe mësimdhënës është i detyruar t’i orientojë brezat e rinj në zhvillimin e pasioneve të tyre, në mënyrë që edhe zhvillimi shkencor të ecë paralelisht me atë kulturor.


Le ta nisim këtë vit të ri të 2025-ës të frymëzuar pikërisht nga mendje të tilla të urta, duke iu ardhur në ndihmë brezave të rinj për të formuar personalitetin e tyre me qasje dhe pasione dobiprurëse për veten e tyre dhe shoqërinë tonë.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

158 Lexime
1 ditë më parë