Të jesh mësues, një mision i rëndësishëm
Të jesh mësues sot është jo vetëm një profesion, punë apo detyrë rutinë për t`u kryer, por mbi të gjitha është një mision i rëndësishëm, një planifikim i mirësynuar nga shoqëria, një art për tjetërsimin dhe edukimin e brezave...
Të jesh mësues sot është jo vetëm një profesion, punë apo detyrë rutinë për t`u kryer, por mbi të gjitha është një mision i rëndësishëm, një planifikim i mirësynuar nga shoqëria, një art për tjetërsimin dhe edukimin e brezave, me qëllim ndërtimin e themelit të një shoqërie. Si e tillë, mësimdhënia e ka shoqëruar njeriun gjatë gjithë ekzistencës së vet duke i përmirësuar nivelin e jetesës, botëkuptimin, identitetin, objektivat, arritjet, kulturën, zhvillimin dhe ambiciet.
Njeriu si krijesë lind i dobët dhe ka nevojë për dashuri, mbrojtje, siguri, edukim, dije, personalitet, aftësi, shprehi, kulturë, identitet, profesion, dhe të mira materiale. Shumë prej këtyre ai i gjen në familje, për shumë të tjera i duhet të përballet me mjedisin rrethues. Në familje ai merr mësimet e para, ngrohtësinë, dashurinë, sigurinë, personalitetin, kulturën deri diku edhe identitetin, më pas individi është një argjilë që pret të marrë formën përfundimtare në mjedisin ku ai jeton. Nëse rrethanat e këtij mjedisi ofrojnë shembuj pozitivë për edukimin dhe aftësitë e tij, atëhere ky individ do të rritet me një identitet dhe botëkuptim të shëndetshëm duke dhënë kontribut për veten, familjen dhe vetë shoqërinë.
Në këtë kontekst një rol tejet të rëndësishëm luajnë jo vetëm familja, por edhe politikat arsimore, institucionet arsimore, mediat dhe identiteti kulturor i një vendi. Si rezultat i ndryshimit të tregut të punës, globalizmit, numrit të popullatës, migracionit, shkrirjes apo asimilimit te kulturave. Njeriut të sotëm i duhet një tjetërsim i vazhdueshëm sa i përket aftësive, shprehive dhe mbijetesës në mjedisin shoqëror. Paralelisht me tjetërsimin e individit tjetërsohet dhe pëson metamorfozën e vet edhe sistemi arsimor, politikat, kurrikulat, reformat dhe punojësit e institucioneve arsimore.
Nga sa thamë më sipër individi mësues, por edhe mësuesia nuk është vetëm një rutinë apo profesion i rëndomtë, por është njëkohësisht edhe busulla, edhe anija që mund të shpëtojë një shoqëri në kuptimin e plotë të fjalës. Në fidanishten e shkollës, marrin formë dhe jetë personalitetet, profesionet, dijet, akademikët, karakteret, identitetet dhe e ardhmja e një kombi. Në këtë kontekst edhe S.Frashëri shprehet: “Nëse do të mbjellesh për një vit, atëherë mbill misër e grurë, por nëse do të mbjellësh për gjithë jetën, atëherë mbill arsim dhe kulturë”.
Në shkollë kultivohen fatet e një kombi. Nëse rrënohet ky tempull i dijes, atëherë është shumë e lehtë të asimilohesh si popull. Shkolla ngjan shumë me universin jo vetëm në aspektin fizik apo material ku klima rregullohet me ndërhyrjen e Diellit, rrotullimin e Tokës, forcën gravitacionale të planeteve, rolin e Hënës, me vogëlsinë e Tokës në krahasim me galaktikat, etj por edhe në diversitetin e marrëdhënive apo rregullsisë, menaxhimit, klimës etj…
Po kështu edhe shkolla është një mjedis i vogël, por tejet i rëndësishëm për të rregulluar klimën e sferave të tjera jetësore. Marrëdheniet janë dykahëshe, nga njëra anë është politika, që e tjetërson sistemin arsimor, nga ana tjetër është arsimi që ndërton politikanë të suksesshëm, mjekë të shëndetshëm, ekonomistë të ndërgjegjshëm, gjykatës të drejtë, mësues model dhe prindër të përgjegjshëm. Pa dashur të ndalemi gjatë në sferat e tjera po ndalemi në rolin që mund të ofrojë një mësues model për shoqërinë.
Mësuesi i sotëm nuk duhet thjesht dhe vetëm të ketë mbaruar një fakultet për profesionin ku ai ka zgjedhur që të punojë, por atij i duhet të njohë së pari politikat arsimore, kurrikulat, reformat, synimet e sistemit arsimor, praktikat më të suksesshme të rajonit, si dhe të vendeve të tjera më të zhvilluara.
Mësuesit i duhet te jetë në kualifikim dhe përditësim koherent të dijeve, aftësive dhe njohurive. Ai duhet të njohë, kuptojë dhe zbatojë dispozitat ligjore, në të cilat bazohet arsimi. Gjithashtu, mësuesit i duhet të ndërtojë partneritet me prindërit, koleget, dhe komunitetin.
Mësuesi model duhet të jetë i mirënjohur me mënyrën, strategjitë, teknikat dhe metodat e transmetimit të njohurive nga mësuesi dhe teksti drejt nxënësit, duke zhvilluar një mësimdhënie të diferencuar dhe gjithëpërfshirëse.
Mësuesit i duhet të zotërojë njohuri të mira kompjuterike për mësimdhënie me në qendër nxënësin dhe për të kultivuar kompetencat digjitale.
Mësuesit i duhet të ofrojë shembuj të sakrificës, tolerancës, etikës, ambicies, punës, vullnetit, pasionit dhe motivimit për sukses.
Ai duhet të jetë planifikues i rregullt, vlerësues i drejtë, menaxheues i mirë, këshillues efektiv, strateg i orës së meëimit, por edhe i ndërtimit të karaktereve.
Mësuesi duhet të njohë dhe të përmbushë standardet bazë të mësuesisë, të njohë dhe zbatojë kodin e etikës, të përpiqet që shkolla ku punon të plotësojë kriteret për “shkollë si qendër komunitare”.
Të jetë pjesë e projekteve që ndërmerr shkolla, kolegët, nxënësit apo komuniteti duke ofruar kohën, mundin dhe dijet e tij në shërbim të këtyre projekteve.
(Bledi Lipo; Portali Shkollor)
Prindër, kuptoni fëmijën tuaj dhe respektoni punën e mësuesit!
Çdo lloj dhune nuk është bullizëm, por çdo lloj bullizmi është dhunë.
10 mendime të Maria Montessori-t për të edukuar fëmijët me shumë dashuri