Seriali "Adoleshenca", mesazhi për sistemin arsimor shqiptar dhe shoqërinë

Seriali Adoleshenca trajton bullizmin si një problem serioz në shkolla dhe shoqëri. Ai thekson ndikimin e gjuhës agresive dhe nxit reflektimin mbi nevojën për ndryshime në sistemin arsimor shqiptar. Me edukim, mbështetje familjare dhe masa institucionale, mund të krijojmë një mjedis më të sigurt dhe empatik.

Nga Fiqiri Çifliku 


 “Për të arritur tek burimi duhet të ecësh në të kundërt të rrjedhës se ujit”


Gjuha bullizuese krijon një atmosferë tensioni dhe ndarje, e cila ndikon negativisht në mjediset shoqërore dhe arsimore. Bullizmi me të drejtë trajtohet si një problem që dëmton rëndë mirëqenien psikologjike dhe sociale dhe mund të përforcojë sjelljet agresive duke ulur nivelin e respektit mes individëve. Kjo gjuhë mund të shërbejë si model i gabuar për të rinjtë, duke i bërë ata të mendojnë se komunikimi i tillë është i pranueshëm dhe i zakonshëm. 


Seriali "Adoleshenca" po shihet sot si një instrument, si katalizator që mund të nxjerrë në pah nevojën për një ndryshim të thellë në mënyrën se si trajtohen këto sfida në sistemin arsimor dhe më gjerë në shoqërinë shqiptare. Fakti që po trajtohet në këtë këndvështrim tregon se pranojmë se “elefanti qenka në dhomë”, tani na mbetet të flasim për të pa frikë për të gjetur zgjidhjet më të mira.


Sistemi arsimor shqiptar mund të marrë frymëzim nga seriali, por filozofia e pasur dhe traditat kulturore të Shqipërisë do të jenë ato që do të vendosin veton në këtë rast. Sjellja shoqërore e vendit tonë, e rrënjosur në zakone të përditshme dhe shprehitë më të mira familjare, si respekti ndaj individit, barazia, solidariteti, zbatimi i rregullave, ligjeve dhe ndihma reciproke, mund dhe duhet të kthehen në bazë për një edukim më të ndjeshëm dhe empatik.


Bullizmi si një problem kompleks shfaqet në mjedise të ndryshme, shfaqet në shkollë, në punë, në shoqëri dhe në familje. Ky fenomen është një "përbindësh i padukshëm që po vret në heshtje", duke lënë pasoja të thella emocionale dhe sociale tek individët e prekur dhe shfaqet në forma të ndryshme, si:


  • Përdorimi i gjuhës nënçmuese, etiketime, përjashtimi nga grupet shoqërore, apo ngacmimet fizike dhe verbale mes nxënësve. 
  • Sjellje të përsëritura nënçmuese, sabotim i punës së dikujt, apo krijimi i një atmosfere të helmët që cenon mirëqenien psikologjike në vendet e punës. 
  • Manipulimi emocional, izolimi, kërcënimi, presioni apo përhapja e thashethemeve keqdashëse. 
  • Përdorimi i gjuhës agresive, mungesa e respektit, apo presioni psikologjik për të kontrolluar individët e shoqërisë apo anëtarët e familjes.


A jemi dorëzuar përpara kësaj situate? Sigurisht që jo. Shqipëria ka strategji për luftën ndaj bullizmit, zhvillohen aktivitete nga organizmat shtetërore apo joqeveritare, por sa duket efektet e saj nuk kanë qenë ato të priturat. Ka shumë arsye për rezultatet aktuale, nuk po ndalem për analizë, por puna jonë nuk duhet të ndalë asnjë çast, nuk duhet të dorëzohemi. Përveç se të shohim serialin, për të luftuar “përbindëshit”, është e domosdoshme të ndërmerren hapa konkretë në çdo nivel të shoqërisë. Po listoj më poshtë disa:

  1. Përditësimi i kurrikulës shkollore,sa i takon fenomeneve bullizuese,të shoqëruar me diskutime të drejtuara nga psikologë, ekspertë të fushës dhe mësues për të nxitur empatinë dhe ndërgjegjësimin. Shkollat mund të zhvillojnë programe edukative që promovojnë vlera si respekti, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi midis nxënësve. Mësuesit duhet të trajnohen për të identifikuar shenjat e bullizmit dhe për të reaguar në mënyrë të shpejtë dhe efektive. Ata gjithashtu mund të inkurajojnë një komunikim të hapur dhe të sigurt me nxënësit. Integrimi i skenave të serialit në klasë mund të ndihmojë nxënësit të reflektojnë mbi sjelljet e tyre dhe të përvetësojnë modele më të mira bashkëpunimi.
  2. Fushata ndërgjegjësuese për ngritjen e kulturës së respektit dhe bashkëpunimit, si dhe krijimi i mekanizmave që sigurojnë mbrojtjen ndaj fenomeneve bullizuese.
  3. Aktivitete reale, jo fasadë, që promovojnë një kulturë mirëkuptimi dhe respekti në hapësirat publike, duke përfshirë artin dhe mediet. Organizimi i klubeve për mbështetje reciproke, aktivitete jashtëshkollore dhe projekte komunitare mund të ndihmojë në forcimin e marrëdhënieve pozitive midis nxënësve.
  4. Nxitja e dialogut të hapur dhe të respektueshëm brenda familjes, si dhe mbështetja psikologjike për anëtarët që përjetojnë bullizmin. Prindërit mund dhe duhet të ndihmojnë fëmijët të kuptojnë rëndësinë e respektit dhe të ndërtojnë një dialog të hapur dhe të ndershëm brenda familjes. Sjelljet e prindërve shërbejnë si modele për fëmijët. Mbështetja, dashamirësia dhe mirëkuptimi në shtëpi mund të ndihmojnë fëmijët të përballen me sfidat jashtë saj. Vendosja e rregullave për mënyrën e komunikimit dhe adresimi i konflikteve me respekt mund të parandalojnë përhapjen e gjuhës ose sjelljeve bullizuese në shtëpi. Nëse një fëmijë është viktimë ose dëshmitar i bullizmit, prindërit duhet të ofrojnë mbështetje emocionale dhe të konsultohen me specialistë për ndihmë profesionale, nëse është e nevojshme.
  5. Identifikimi dhe adresimi i menjëhershëm i sjelljeve bullizuese për të parandalur përhapjen e tyre.



I qëndroj fort se vetëm përmes një qasjeje që ndërthur mesazhet e serialit me filozofinë shqiptare dhe vlerat e përditshme familjare, shoqëria jonë mund të ndërtojë një mjedis që promovon respektin, solidaritetin dhe empatinë. Duke vepruar së bashku, mund të luftojmë këtë “përbindësh të padukshëm” dhe të krijojmë një shoqëri më të drejtë dhe më të sigurt.



Ndërkohë qeveria duhet të intensifikojë masat për përdorimin e teknologjisë në luftën kundër bullizmit, dhe jo vetëm. Aplikacione dhe platforma që ofrojnë raportime anonime për raste të bullizmit mund të inkurajojnë viktimat dhe dëshmitarët të flasin pa frikë dhe institucionet të veprojnë menjëherë. E kam thënë edhe më parë nuk fitohet beteja duke u fshehur pas gishtit, duke u fshehur nga “rrugaçi i lagjes”. 



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

365 Lexime
1 javë më parë