A do të kujdeset ndonjëherë dikush për ne?

Në shkrimin "A do të kujdeset ndonjëherë dikush për ne?", Ardi Stefa trajton sfidat e adoleshencës, pasigurinë dhe izolimin e të rinjve në një botë digjitale. Ai apelon për prindër që të jenë të pranishëm, të ofrojnë mbështetje emocionale dhe të krijojnë hapësira komunikimi për adoleshentët.

Nga Ardi Stefa 


Fëmijët sot janë si një makinë e vjetër shkrimi: bëjnë zhurmë, ngecin në shkronja të vështira dhe ndonjëherë fjalët e tyre nuk dalin qartë. Dhe ti, prindi, po mundohesh t'u japësh kuptim, të lexosh historinë që po shkruajnë.


Kohët e fundit pashë “Adoleshencën” në Netflix. Ishte si një goditje e fortë drejt e në stomak. Flet për një botë që të gjithë e dimë se ekziston, por preferojmë ta shikojmë nga larg, një botë ku fëmijët janë të zhytur në labirintin digjital dhe mizorinë e rritjes, duke kërkuar përgjigje pa dikë në krah për t'u thënë atyre se nuk ka asgjë edhe të mos i dish ende të gjitha.


“Adoleshenca”, kumboi zilen e alarmit, duke na zgjuar dhe, me realizmin artistik, solli sërish në plan të parë fazën gjithmonë aktuale, por edhe të frikshme, për prindërit, të adoleshencës.


Dhe në këtë pikë dikush mund të pyesë veten: "Por pse e frikshme?" Sepse në mënyrë të pashmangshme, nëpërmjet sjelljes së adoleshentit, kjo fazë na sjell ballë për ballë me përgjegjësitë tona në një botë që, nuk ofron hapësirën e nevojshme për një përpunim më të thellë intelektual dhe emocional të gjithë ndryshimeve të epokës.


Brenda kësaj bote, adoleshenti ftohet, të menaxhojë vorbullën e tij emocionale dhe në heshtje, sipas mënyrës së tij, thërret: “Jam torturuar”.


Në pamundësi për të kuptuar se çfarë po i ndodh dhe për ta shprehur me fjalë shqetësimin e tij, ai kërkon mbështetje... Po ku t'i gjejë ato...? 


Nga njëra anë, prindërit, në paditurinë e paaftësinë e tyre dhe plotësisht të zhytur në përditshmërinë dhe detyrimet e panumërta, shpesh e lënë atë të endet vetëm, pa kujdes dhe udhëzim dhe, nga ana tjetër, edukimi, paraqitet si një “Itakë” unike, iluzore dhe thuajse gjithmonë e verbër.


Prandaj, i privuar emocionalisht, ky brez adoleshentësh me nevoja të paplotësuara nga familja dhe shoqëria – gjen një strehë, në dëshpërimin e tij, në dritaret digjitale të shpresës.


Cila është, për shumicën e njerëzve, gjëja e parë që bëjnë në mëngjes dhe gjëja e fundit që bëjnë natën?

Përmes kujt shprehemi?

Nga e kërkojmë ne si prindër pranimin dhe afirmimin?

A mundet që përgjigja për të gjitha pyetjet e mësipërme të jetë e njëjtë, pra ekrani i celularit, i cili tenton të bëhet mikrokozmosi ynë personal, “i veçantë” dhe absolut?


Adoleshentin interneti dhe anonimiteti e tërheqin në një botë virtuale. Ai “shkëputet” nga realiteti i dhimbshëm. Në të njëjtën kohë, marrëdhëniet e tij njerëzore bëhen më pak reale.


Ai ngelet i ekspozuar dhe i pambrojtur, i udhëhequr, në botën online, nga idhuj modernë, të cilët e “bombardojnë” atë me standarde joreale, të pabaza dhe të dëmshme.


Nëse e shikoni këtë serial, mund të ndiheni jo rehat. Dhe është mirë të ndihesh kështu, sepse pikërisht këtu qëndron mësimi: në kohë të vështira, në kohë të errëta, në pikën ku fëmija juaj po lufton me demonët e tij, ju duhet të jeni të pranishëm.


Seriali “Adoleshenca”, pra, na bën thirrje, gjithsesi, në mënyrë indirekte, por kumbuese, t'i përgjigjemi thellësisht klithmës së të rinjve: “A do të kujdeset dikush ndonjëherë për ne?”. Në fund të fundit, ne të rriturit jemi ata që u kemi lënë trashëgim atyre, bashkë me të mirat, edhe të gjitha hallet tona.


Si prindër dëshirojmë që fëmijët tanë të jenë të sigurt; që ata të jenë të lumtur. Por ne ndonjëherë harrojmë se lumturia nuk është një sipërfaqe e lëmuar dhe e përsosur. Është rezultat i shumë betejave të vogla, ato që fëmijët bëjnë çdo ditë, pa e kuptuar as ne. 


Seriali tregon qartë se si një adoleshent mund të humbasë, hutohet dhe lëndohet thellë, pa ditur se si të kërkojë ndihmë. Sepse askush nuk i tregoi se është mirë që kur je i pambrojtur, të flasësh, të kërkosh mbështetje. Dhe ne, të rriturit, shpesh harrojmë të themi atë gjë të thjeshtë: "Jam këtu, të shoh, të dëgjoj, përpiqem të të kuptoj!".


Si të rritur, duhet të dëgjojmë mesazhet e të rinjve dhe ta perceptojmë “trokitjen” e tyre si një trokitje në derën tonë, si një mjet për të komunikuar hapur me ta, por edhe si një mundësi për reflektim. 


Sepse nëse, pa frikë dhe pengesa, mund të shprehim, së bashku si breza, të vërtetat tona, atëherë, hendeku kapërcehet dhe vetmia së bashku me ndjenjën e kotësisë përballohen...


Le të marrim përgjegjësitë tona; le të shtrijmë dorën dhe të kujdesemi për këtë brez të ri, që ka kaq shumë nevojë. 


Mbrojtja më e mirë që kanë fëmijët jemi ne, prindërit e tyre, mbrojtje jo e përsosur, por njerëzore, e pranishme dhe gjithmonë e gatshme për të thënë: “Unë nuk i di të gjitha përgjigjet. Por një gjë e di me siguri: nuk do të duhet ta kaloni këtë vetëm.”

Të mos lejojmë që heshtja të jetë biseda më e zhurmshme në shtëpinë tonë.


Adoleshenca nuk është thjesht një rrëfim tronditës. Është një paralajmërim. Adoleshentët nuk kanë nevojë për më shumë rregulla, ata kanë nevojë për më shumë mirëkuptim e komunikim. Ata kanë nevojë për hapësira ku mund të flasin pa frikë.


Para se të gjykojmë, le të dëgjojmë. Para se të akuzojmë, le të pyesim. Përpara se të humbasim një brez të rinjsh, le t'u japim zërin që u kemi privuar. 


Adoleshenca nuk është thjesht një fazë, por një klithmë për ndërgjegjësim. 





©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

227 Lexime
1 javë më parë