Studentët e juridikut krenojnë Kosovën, zënë vendin e tretë në garën botërore për drejtësi
Studentët e Juridikut nga Universiteti i Prishtinës arritën të zënë vendin e tretë në garën botërore për drejtësi, që u mbajt dje në Vjenë të Austrisë.
Studentët e Juridikut nga Universiteti i Prishtinës arritën të zënë vendin e tretë në garën botërore për drejtësi, që u mbajt dje në Vjenë të Austrisë.
Nga 364 universitete pjesëmarrëse në garën “Willem C Vis International Arbitration Moot”, studentët e UP-së kanë arritur t’i lënë mbrapa 360 universitete të tjera, si: Harvardi, Stanfordi, Columbia, Yale, Oxford, Cambridge, Duke, LSE etj.
Këtë e bëri të ditur presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani përmes një postimi në Facebook, e cila e konsideroi këtë si një sukses historik.
“Sukses historik!
Këto vajza e djem nga Kosova kanë lënë prapa Universitete si Harvardi, Yale, Stanford, Columbia, Oxford, Cambridge, Princeton, Duke, LSE, e qindra universitete të tjera në garën më prestigjoze të drejtësisë, Willem C Vis. Ata poashtu fituan çmim të veçantë për Memorandumin për palën e paditur.”
Në fund të postimit, Presidentja e vendit përmendi individualisht secilin nga ta duke shprehur krenari dhe lëvdata për këta studentë dhe profesorë pjesëmarrës, të cilët nga kjo garë i dhanë një triumf Kosovës.
“Bravo studentëve Ariana Rexha, Dea Fetiu, Morea Pula, Melisë Sejdiu, Nol Musa, Rea Hadri, si dhe Trajnerët: Prof. Donikë Qerimi, Ilir Hajraj dhe Art Sylaj.”
“Willem C Vis International Arbitration Moot” është garë e arbitrazhit ndërkombëtar dhe cilësohet si gara më e madhe e drejtësisë në botë. Që nga viti 1994 e tutje kjo garë organizohet çdo vit në Vjenë të Austrisë.
Përgatiti: Arlinda Hajdaraj, gazetare përgjegjëse e Portalit Shkollor Albas për Kosovën.
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Forbes: "Nuk ka më mësues të rinj, kriza epike që po përballet e gjithë bota në vitin 2024"
Përdorimi i teknologjisë, ndikimi në edukimin e fëmijëve, në dinamikën e marrëdhënieve me prindërit dhe në cilësinë e lidhjeve familjare
Fëmijët dhe lojërat në natyrë/ Çfarë duhet të bëjmë që ata të pëlqejë natyrën dhe mjedisin jashtë?