Strategji për mësuesit që synojnë sukses në mësimdhënie
Çdo mësimdhënës/e në momentin që zgjedh profesionin e mësuesisë, gjë parësore ka arritjen e suksesit të nxënësve të tij/saj, sepse me suksesin e tyre përmbushet një pjesë e madhe e pritshmërisë që kanë. Ndaj për ju kemi renditur disa strategji që do t’ju ndihmojnë në këtë aspekt.
1. Besoni në potencialin e nxënësve tuaj dhe motivojini ata
Ju si mësues duhet të keni pritshmëri të madhe te nxënësit tuaj në mënyrë që t’i shtyni ata edhe më shumë drejt suksesit. Dështimet janë pjesë e jetës dhe jo çdoherë arrijmë të prekim cakun e suksesit, andaj edhe atëherë kur nxënësit dështojnë, prapëseprapë ju duhet të jeni krahu mbështetës i tyre. Në këtë mënyrë nxënësit ndjekin pa frikë suksesin, sepse e dinë që dikush po i mbështet ata.
2. Mësoni çdo ditë rreth fushës suaj
Sa më shumë që keni njohuri rreth gjithçkaje, aq më lehtë do të jetë për ju t'i mësoni nxënësit tuaj në mënyrë efikase dhe t'u ofroni atyre përgjigje të menjëhershme për pyetjet e tyre. Nxënësit gjithnjë preferojnë të konsultohen me mësuesit që zotërojnë njohuri të thella për një fushë specifike, pasi vetëm te ta ndihen të sigurt.
3. Shpërndani energji pozitive
Mënyra se si ju shfaqeni para nxënësve ndikon shumë në mënyrën se si ata flasin me ju. Buzëqeshni e flisni me ton të butë sa herë që iu drejtoheni nxënësve, e mbase edhe bëni shaka me ta. Kjo u ndihmon atyre ta lënë frikën në njërën anë, dhe në tjetrën të krijojnë siguri e të ndihen më të qetë.
4. Bëhuni kreativ
Përpiquni ta realizoni çdo proces mësimor në mënyrë interesante dhe tërheqëse për nxënësit tuaj. Kjo jo vetëm që e bën përvojën e tyre më argëtuese, por gjithashtu siguron që ata të jenë plotësisht të angazhuar gjatë çdo klase dhe gjithmonë të etur për tjetrën.
5. Rrezikoni në mënyrë që të përfitoni
Nxënësit tuaj shikojnë dhe vëzhgojnë të gjitha lëvizjet tuaja. Prandaj, nëse ndërmerrni rreziqe duke provuar gjëra të reja herë pas here, ata gjithashtu do të kenë mjaft besim të bëjnë të njëjtën gjë.
6. Jini të vendosur në çdo gjë
Për të qenë të suksesshëm në mësimdhënie, duhet të jeni koherent dhe të vendosur. Nëse thoni diçka, qëndroni në të dhe mos dilni jashtë saj. Edhe nëse vendosni rregulla, prapë qëndroni fort pas tyre.
7. Qëndroni të përditësuar
Një mësues i suksesshëm e di se sa e rëndësishme është të jesh i informuar me lajmet aktuale. Ndarja e informacioneve me nxënësit tuaj iu ndihmon t'i mbani edhe ata të përditësuar. Nga ana tjetër, kjo i shton vlerë përvojës së të mësuarit dhe i ndihmon studentët të kenë sukses.
8. Komunikoni lirshëm
Komunikimi është një mjet i fuqishëm mësimor. Pavarësisht nëse realizohet me një nxënës ose me prind, dialogu ju ndihmon të jepni informacione dhe rekomandime kritike që mund të jenë vendimtare për suksesin e nxënësit.
9. Dëgjoni dhe tregohuni të ndjeshëm
Trajtojeni çdo nxënës me ndjeshmëri, sikur të jetë fëmija juaj. Në këtë mënyrë, ata gjithmonë do t'ju konsiderojnë parësor për diskutim në rast se diçka po e pengon suksesin e tyre në klasë.
10. Siguroni materiale studimore tërheqëse
Siguroni materiale studimore relevante, tërheqëse që përforcojnë dhe zgjerojnë mësimin e tyre. Por shmangni mbingarkimin e tyre me detyra shtëpie, sepse kjo mund të lodhë mendjen e tyre, duke ngadalësuar kështu mësimin.
11. Jini të vëmendshëm
Për të qenë të suksesshëm në mësimdhënie, duhet t'i vëzhgoni të gjithë studentët tuaj individualisht, duke ndarë pikat e tyre të forta nga dobësitë e tyre.
12. Vendosni objektiva me nxënësit tuaj
Siç u përmend tashmë, suksesi i një mësuesi përcaktohet kryesisht nga suksesi i nxënësve të tyre. Prandaj, ju duhet të vendosni synime dhe objektiva me nxënësit tuaj. Pas kësaj, punoni me ta drejt arritjes së këtyre qëllimeve së bashku si ekip.
Burimi: Kliko ketu
Përgatiti: Arlinda Hajdaraj, gazetare përgjegjëse e Portalit Shkollor Albas për Kosovën.
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Çdo lloj dhune nuk është bullizëm, por çdo lloj bullizmi është dhunë.
Stop bullizmit te të gjithë!
Bullizmi në shkolla, si mund ta parandalojmë?