Loja e gjësë që nuk thuhet ose diskutimi mbi shprehjen “Kam bërë më të mirën si prind” - Koment mbi serialin “Adolescence”

Shkrimi i Suad Arillës ofron një analizë të thelluar mbi serialin "Adolescence", duke e parë përtej fabulës kriminalistike. Ai shtron pyetje mbi prindërimin, shkollën dhe përgjegjësinë shoqërore, duke eksploruar marrëdhëniet njerëzore dhe gabimet sistemike. Një reflektim mbi atë që nuk thuhet.

Heshta pak ndërkohë që “Adolescience” komentohej, postohej, sugjerohej pafund në rrjet. Heshta sepse nuk mund të kuptoja dot se për çfarë filmi bëhej fjalë. Ajo që vihej re kudo lidhej si fillim me komentet rreth tij, me postimin e shpeshtë, ndarjen nëpër story ose thjeshtë duke shoqëruar posterin e serialit me ndonjë mbishkrim. Një film që merr kete lloj mediatizimi masiv, në të shumtën e rasteve, është një serial “amerikanadë”. Ndaj, siç e thashtë edhe më lart dy herë: heshta. Vendosa ta shoh filmin. Ajo që vura re sërish në rrjet ishte masivizimi edhe i shkrimeve për këtë film, përmendja e fenomenit për të cilin bën fjalë, diskutimi apo paralelizimi më rastet konkrete në vendin tonë. Të gjitha mund të ishin gjëra për të cilat mund të flitej, por edhe mund të mos ishte asnjë prej tyre. Kjo sepse filmi, është aq kompleks dhe shumëplanësh, sa shumë kategori njerëzish i ka bërë të flasin – përfshi edhe mua. Kështu që për të bërë këtë shkrim, mendova të mos ndikohem nga çfarë u shkrua më parë, duke e bërë në tre mënyra: 1) duke e parë gjithë serialin brenda një kohe shumë të shkurtër 2) duke mbajtur një qëndrim totalisht personal 3) duke e rishikuar ftohtë këtë shkrim pas disa ditësh.


Unë mendoj se tema në këtë rast është normale, diçka që është përdorur ose prekur minimalisht ndër filma tjerë. Një adoleshent arrestohet nga policia sepse ka vrarë një bashkëmoshatare në shkollën e tij. Dikush mund të mendojë se zbulova ngjarjen dhe i hoqa kuriozitetin. Përkundrazi, filmi këtë ta thotë që në fillim dhe pastaj shoqërohet edhe me tri seri tjera. Deri këtu përmenda: temën, ngjarjen dhe konceptin e zhvillimit të filmit. Të trija këto elemente dua t’i rreshtoj më poshtë:


Koncepti: seriali fillon egërsisht: policia që shkallmon derën e një shtëpie dhe arrestojnë më të voglin e saj, 13 vjeçarin. Si fillim atij i pohohet që është i dyshuar për ngjarjen dhe seria e parë na rrëfen mohimin e tij të vazhdueshëm që ai është fajtor për këtë ngjarje, derisa ballafaqohet me kamerat e sigurisë së vendngjarjes: ai që godet me thikë disa herë bashkëmoshataren e tij. Shtangesh dhe pret se si do shkojnë gjërat. Në seritë pasardhëse niveli i kuriozitetit është shumë lart dhe ngjarja ndahet në 4 plane, sipas  serisë. Derisa mbaron me përpjekjen e dy prindërve të tij për të normalizuar fomën e tyre të prindërimit, me pengun e madh se çfarë kanë bërë gabim. Sipas kësaj që thashë unë, mund të imagjinohet lehtësisht një kurbë në rënie lidhur me shtangien, një vijë e drejtë e lartë në plan për intensitetin dhe kurbë në rritje për kuriozitetin. Edhe kur mbaron filmi unë ende isha kurioz ta ktheja filmin, ti ndërroja titrat, ta ngadalësoja fjalë pas fjale për të qënë unë i sigurt që e kam dëgjuar/parë/kuptuar siç duhet. Për të gjithë ju që e keni parë serialin, kam një pyetje për ju: shumë shpejt imagjinojeni sikur gjithë historia nis nga seria e fundit drejt së parës, a do e kishin parë gjithë serialin? Koncepti i krijimit të këtij filmi lidhen kryekëput me formën e një procesi të vazhdueshëm dhe të pashmagshëm gjërash që do të ndodhin në vazhdim. Prandaj, ti e kupton se historia mund të mos ndjekë një linjë logjike, një rrjedhë rrëfimi, një formë konceptuale, por të gjitha këto, në plane dhe forma të ndryshme flasin dhe kanë për qëllim të njëjtën gjë. Pra, thelbin e filmit. 


Ngjarja. Duke qënë se zbulova diçka më lart, për ato që nuk e kanë parë filmin, edhe nëse zbuloj më shumë, kurioziteti i tyre nuk bie. Duke qënë se filmi bluan përbrenda një proces të vetin, mund të themi që ngjarja është thuajse e parëndësishme si një gjë më vete. Pra, vrasja e një adoleshenteje nga një bashkëmoshatar. Ajo që ka më shumë rëndësi është strumbullari apo kalvari i pyetjeve: si ndodhi? pse ndodhi? kush janë përgjegjës? si u gjenden ata dy adoleshentë aty? si u mendua ngjarja? pse shkolla nuk ka informacion, ose më saktë, pse shkolla nuk ka aftësitë të zbulojë diçka më shumë rreth kësaj ngjarjeje nga nxënësit e saj? pse mësuesit – psikologët – punonjësit  socialë – drejtuesit nuk ishin të aftë ta ndaloni këtë ngjarje? pse të gjithë aktorët e shkollës nuk mund të ndërhyjnë për të zbuluar më shumë, tani që ndodhi hataja? pse prindërit janë të painformuar apo të painteresuar mbi çfarë ndodh me fëmijët e tyre në shkolla? pse nuk kanë kontroll mbi rrjetet sociale të fëmijëve? pse nuk e dinë me kë komunikojnë apo kanë kontakt ata/ato? 


Kur i bëj këto pyetje, sigurisht që nxitem nga çfarë pashë në film, por i them sepse dalin nga e vërteta e përditshme e jona.


Një sërë aktorësh përgjegjës, të cilët kanë vështirësi të marrin përgjegjësi mbi ngjarjen. Këtu nuk ka një faj të shigjetuar, por një faj të fijëzuar: dhjetëra e më shumë përsona që neglizhojnë sadopak nga detyra për të lejuar të ndodhë një krizë e madhe. 


Tema. Në thelb, ky serial ka në thelb vetëm një temë: marrëdhëniet njerëzore. Marrëdhënie të keqndërtuara, marrëdhënie të hamendësuara, marrëdhënie të mohuara, marrëdhënie të neglizhuara, marrëdhënie të ngurta, marrëdhënie në rënie të lirë, marrëdhënie interesi, marrëdhënie sfiduese, marrëdhënie të patrajtuara, marrëdhenie të indoktrinuara, marrëdhënie fantazma. Mëposhtë dua t’i analizoj disa prej tyre.


Djalë – Baba: adoleshenti zgjedh të atin për ta shoqëruar gjatë marrjes në pyetje në polici, madje insiston dhe kjo na lë të kuptojmë si fillim dy gjëra: mbrojtjen dhe sigurinë. Ai kërkon të mbrohet nga ajo që po i ndodh dhe sigurinë e babait dhe edhe po ndodhi diçka më e rëndë babai s’do ia lejojë të ndodhë. Brenda kësaj marrëdhënie ka një thyerje kur kuptohet krimi. Babai, një njeri me mangësi të mëdha sociale, na tregon se fizikisht është aty për të birin. I biri e ka në vëmendje figurën e të atit edhe kur pyetet nga psikologia, e cila, më shumë se sa të kuptojë të atin, kërkon të shohë refleksionin mbi të birin: e njëta gjendje. Biri që është ndërtuar mbi modele të supozuara, të hamendësuara, gjoja të çliruara, forma amorfe të një jete që aludon por që s’mund të trajtohet asesi. Nga ana tjetër, babai që për të ndërtuar një formë të re më të birin ndryshe nga dhuna ekstreme që ka bësuar nga vetë i ati, i jep dorë të lirë dhe bilanci që bën me vete është i tillë sa ne si shikues vëmë në pikëpytje secilën prej formave, ose gati gati formën moderne.


Burrë – Grua:  një marrëdhënie që ndonëse filmi nuk e përqendron mjaftueshëm me gjëra thelbësore që ka një marrëdhënie e tillë, e tregon atë me gjëra sipërfaqësore ose dytësore dhe kjo për të na bërë të kuptojmë disa gjëra: e para, marrëdhënia në rastin konkret ka varësi të madhe nga elementi ekonomik, duke na treguar rëndësinë e madhe që ka enonomija në zhvillimin e familjes, jo vetëm kur nuk ke dhe s’mund t’ua plotësosh anëtarëve të tjerë nevojat apo dëshirat, por edhe kur ke dhe i mbingarkon me sende varësie. E dyta, ballafaqimi ose marrja e përgjegjësisë, si në rastin konkret kur dy prindërit bëjnë me mendjet e tyre bilancet se çfarë kanë investuar tek fëmija i tyre, duke numëruar konkretisht mundësitë që i kanë krijuar që ai të jete komod dhe i sigurt brenda shtëpisë, duke i lënë hapësirë, dorë të lirë dhe mundësi të zgjedhë vetë si e kalon kohën përveç periudhës që është në shkollë, duke mos e kontrrolluar apo minimalisht shoqaruar apo pyetur për aktivitetet e tij jashtë dhe brenda shtëpisë – offline dhe online, duke krijuar me vete besimin – më saktë iluzionin – se kjo formë është gjithçka që unë mund të bëj dhe kjo përbën në të njëjtën kohë edhe formën më të mirë të prindëritmit, duke qëndruar në një shtëpi jo si një familje por si ishuj të vegjël brenda mureve të veta. E treta, të qënit sipërfaqësor me njëri tjetrin, si një mënyrë që janë mirë me të gjitha, duke mos ngacmuar plagët e shkuara apo diskutime që mund të nxisin konflikte dhe debate, duke heshtur, duke qëndruar indiferent ndonjëherë, për të mbajtur në shtëpi zonën e konfortit, të tillë që na lë neve të merremi me ato aktivitete që mund t’i kryejmë pa shqetësuar të tjerë, sepse edhe të tjerë do duan të njëjtën gjë.


Mësues – Nxënës: Seriali dashje – pasdashje kthehet në një këmbanë alarmi kur vjen puna në këtë pikë: mësuesit, në bazë të rrethanave të krijuara, në bazë të nevojave të tyre të paplotësuara, të bazë të mosinteresit nga pala e nxënësve, në bazë të nevojës për të kryer sa më shpejt dhe kollaj këtë punë, në bazë të vështirësisë që ndeshin nga drejtuesit dhe prindërit e fëmijëve me kërkesa burrokratike dhe interesa të caktuara, në bazë edhe të neglizhencës personale që kjo rrymë të shkojë sa më qetë, justifkohen se ata janë vetëm mësues, mund të japin mësim vetëm aksh lëndë dhe asgjë më shumë. Kjo na tregon me zë të lartë se mësuesit tashmë prej kohësh nuk janë më edukatorë. Nëse ne i mendojmë si të tillë, pra që mësuesi të jetë edukator, mund të bëjmë gabim, sepse ndoshta mund t’u shtojmë një pritshmëri të gabuar mbi perspektivën e arsimimit dhe edukimit të tyre. Mësuesit tashmë kanë marrë një pozicion dhe mund të dalin shpejt prej çdo situate të vështirë në rastin konkret, mirëpo në këtë dhelpëri të tyren, vihet re çarja e madhe në sistemin e sotëm arsimor: sado përvoja të reja, shpikje të reja, ide të reja, në thelb ky sistem ka probleme të theksuara për të kryer punën e vet. Nxënësit nga ana tjetër, në shkollë nuk shohin ambjentin ku mund të arsimohen, por ambjentin për socializim, ndërveprim, për të mos thënë që një pjesë ndihen të detyruar ta ndjekin shkollën. Niveli i lartë i bullizmit, përdorimi i celularëve, fjalori i papërshtatshëm, mungesa e respektit ndaj figurës së mësuesit apo çdo mysafiri në shkollë, aq sa na tregon masivin e mungesës së respektit, na nxjerr në pah edhe anën e mësuesve që për të ushtruar pushtetin e tyre në grimëçaste të caktuara apo qoftë edhe për të shpjeguar mësimin, janë të detyruar të ndërhyjnë egërsisht, sepse vetëm prezenca dhe rregullar e të qëndruarit në shkollë nuk janë të mjaftueshme.


Adoleshenti – Psikologia: Kjo është marrëdhënia ndoshta më kuptimplotë dhe që ndërtohet avash avash edhe brenda asaj seance që ne na tregohet. Nuk dimë çfarë ka ndodhur më herë, shumë pak prej formimit të kësaj marrëdhënieje dhe poashtu dimë çfarë ndodh më vonë vetëm nga rrjedha e ndonjë ngjarjeje të vogël. Kjo është marrëdhënia më kuptimplote, jo domosdoshmërisht për të përshkruar nevojën që ka adoleshti për të psikologe, por nevojën që ai ka për të folur. Ose më saktë, për të thënë gjëra, që ndoshta kurrë s’do kishte mundur t’i thoshte, por që duke qëndruar aty brenda tij kanë krijuar një masiv gurësh. Adoleshenti na paraqitet si një djalë që nuk dëshiron të tregojë çfarë ka ndodhur, si i ka ndodhur, pse ka ndodhur dhe si çdo gjë tjetër në serial, gjërat të cilat marrin vëmendje kryesisht është loja e fjalëve apo pjesa sipërfaqësore e situatës, derisa në një formë pavetëdijeje – jo se adoleshenti nuk e di që ekzistojnë por sepse heziton t’i thotë – atij nis t’i rrjedhë informacioni. Unë s’po e them për çfarë flet ai, sepse kjo është rezultat i ndërtimit të serialit, por ajo që na thotë është se çdo gjë rreth tij e ka bërë të përfundojë në një marrëdhënie abuzimi fatal... Pse psikologia këmbëngul për pyetjet që bën? Së pari sepse është detyrë e saj, por, së dyti, sepse do të na rrëfejë që edhe ne që shohim filmin nuk mund të heqim dorë pa e kuptuar siç duhet tjetrin. Nëse ajo do hiqte dorë, siç kishte ndodhur me kolegun e saj më përpara, as ajo s’do e merrte përgjigjen që do. Të marrësh përgjigjen që do, nuk do të thotë thjeshtë të kryesh një punë apo të kënaqësh kuriozitetin, por të kuptosh tjetrin. Kjo është thelbësorja. Pse adoleshenti vepron ashtu, pse mendon ashtu, pse ka ato qëndrime, pse ka ato besime, pse ka ato lidhje me njerëzit përreth. Të gjitha këto eksplorohen vetëm pyetur për të kuptuar tjetrin, për të krijuar një marrëdhenie mbi thelbësoren dhe jo rrjedhën e zakonshme të ngjarjeve.


Unë zgjodha këtë foto sepse mendoj që është pika kulmore ku gjithçka nis të ftillohet. 

Mendoj se mënyra se si psikologia kërkon të marrë përgjigjet e veta, lidhet pikërisht me këtë pyetje. Ndonëse ne e dimë se kush është vrasësi, në asnjë moment nga fillimi në fund nuk mund ta urrejmë personazhin kryesor, por përkundrazi, ndaj tij kemi një ndjenjë keqardhjeje, madje edhe përfshirjeje në bashkëfajësi. Sepse pasi pashë filmin, në fakt nuk u nisa të shkruaja diçka për filmin, por ndoshta për vetë ne, veten time së pari dhe ata që mund ta lexojnë apo ata që njohin dhe përballen me realitete të përafërta apo të ngjashme. Një film i mirë si ky, nuk ka fund dhe të lë gjithë dilema, sepse gjithçka që sheh, si një cikël procesesh mendimesh dhe përjetimesh, thyen murin e katërt dhe kalon nga ekrani drejt shikuesit...



© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

409 Lexime
1 ditë më parë