Si të ruajmë shëndetin nga i ftohti dhe ngricat?
Dimri dhe temperaturat e ftohta mund ta dëmtojnë shëndetin tuaj, por ju mund të jeni mirë nëse ndiqni këto këshilla të cilat i gjeni në këtë artikull, të rekomanduara nga Instituti i Shëndetit Publik.
Gjatë dimrit, organizmi dhe zemra punojnë më shumë për të përballuar të ftohtin. Kjo mund të jetë veçanërisht e rrezikshme për të moshuarit dhe të sëmurët kronikë.
Nëse qëndroni gjatë në të ftohtë, temperatura trupore mund të bjerë nën 35° C e me kalimin e kohës organizmi nuk funksionon më siç duhet duke rrezikuar shëndetin; shkakton ngushtim të enëve të gjakut dhe përshpejtim të ritmit të zemrës. Gjatë qëndrimit jashtë, pjesët më të ekspozuara si koka, këmbët e duart mund të ngrijnë. Në fillim ato humbasin ndjeshmërinë, skuqen dhe dhembin, e më pas ngrijnë duke u bërë gri dhe të padhembshme.
Nëse kryeni sforcim fizike në ambiente të jashtme, rrezikoni të përkeqësoni sëmundjet e zemrës.
Dimri dhe temperaturat e ftohta mund ta dëmtojnë shëndetin tuaj, por ju mund të jeni mirë nëse ndiqni këto këshilla:
- Vishuni ngrohtë dhe përdorni shall, doreza dhe kapuç kur jeni në ambiente të jashtme dhe të ftohta.
- Evitoni të qëndroni gjatë në ambiente të jashtme në ditët e ftohta, me erë dhe sidomos kur jeni të lagur.
- Evitoni të dilni jashtë në orët e para të mëngjesit dhe orët e vona tëdarkës.
- Ecni me kujdes e me hapa të vegjël dhe duart jashtë xhepave.
- Ushqehuni me ushqime të ngrohta e të lëngshme të përbëra nga mishi, bishtajoret, perimet, drithërat, por edhe fruta që përmbajnë vitamina dhe minerale.
- Pini sa më shumë ujë dhe lëngje, sidomos nëse jeni të sëmurë dhe qëndroni vazhdimisht në shtëpi.
- Qëndroni në ambiente të ngrohta dhe të ajrosura herë pas here. Temperatura ideale për ambientin e brendshëm është 20-23° C, dhe ajrosja duhet të bëhet disa herë për të siguruar lagështinë e duhur për rrugët e frymëmarrjes dhe për të ulur përqendrimin e mikrobeve në shtëpi. Mund të mbani një enë me ujë tek radiatori për të siguruar lagështinë e ajrit. Sigurohuni gjithashtu që dyert dhe dritaret të jenë të izoluara sa më mirë. Edhe mbingrohja e shtëpisë mund të jenë të dëmshme ashtu si dhe ngrohjet me dru apo gaz, që mund të çlirojnë gazra të dëmshme për organizmin. Ndaj duhet që ambientet e brendshme të ajrosen mirë disa herë gjatë ditës, dhe të siguroheni që nuk keni rrjedhje gazrash.
Disa nga sëmundjet që mund të shfaqen ose përkeqësohen si pasojë e të ftohtit në dimër janë:
- Sëmundje të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes: skuqje apo dhimbje deri në infeksion të bajameve, veshëve, hundës dhe sinuseve(sinuzite).
- Sëmundje të rrugëve të poshtme të frymëmarrjes: gripi dhe viroza të ndryshme, acarim i astmës deri në infeksione të mushkërisë.
- Dhimbje koke si pasojë e spazmave/ngushtimit të enëve të gjakut në kokë.
- Rritje e tensionit arterial dhe përkeqësim të tij tek të sëmurët kronikë.
- Shtrëngime gjoksi deri në infarkte të zemrës.
- Probleme të qarkullimit të gjakut si: morthi, sklerodermia,etj..
- Fraktura, ndrydhje dhe dëmtime të tjera si pasojë e rrëshqitjeve në akull.
- Ngrirjet e ekstremiteteve deri në amputime (prerje) të tyre.
Për t‘u mbrojtur nga virozat e ndryshme të stinës së ftohtë, të gjithë personat me faktorë risku (përveç foshnjave nën 6 muajsh) duhet të vaksinohen me vaksinën antigrip vit pas viti.
Nëse sëmureni me grip apo një nga virozat e stinës:
- Përdorni medikamente për të ulur temperaturën- Paracetamol kur ajo të rritet mbi 38-38,5° C. Nëse temperatura zgjat për më shumë se 3-5 ditë dhe është mjaft rebele, atëherë drejtohuni tek mjeku i familjes.
- Për të qetësuar kollën, përdorni qumësht me mjaltë, çaj me sherbelë, dafinë, bli, etj dhe ajrosni herë pas here ambientet.
- Ushqehuni më mirë dhe me sa më shumë lëng mishi (sidomos lëng pule),fruta, perime, duke mos harruar edhe shtimin e lëngjeve. Disa ushqime me veti anti- inflamatore apo anti-mikrobiale, shumë të mira për mbrojtjen imunitare, janë: xhinxheri, mjalti, hudhra, qepa, agrumet, lakra, specat, mollët dhe dardhët e pjekura, ekinacea,etj…
- Futni këmbët në ujë të ngrohtë për 10 minuta në darkë.
- Mos përdorni antibiotikë, pa këshillën e mjekut.
- Në rastet kur temperatura e pacientit vazhdon të mos bjerë, fillon të shfaqet vështirësia në frymëmarrje, dhimbje veshi, fyti, koke, apo kraharori dhe gjendja e përgjithshme rëndohet, atëherë mund të keni një infeksion të rrugëve të sipërme apo të poshtme të frymëmarrjes, për të cilin duhet të konsultoheni patjetër me mjekun tuaj.
- Nëse keni probleme të qarkullimit të gjakut si: morthi, scleroderma, etj…nuk duhet të dilni nga shtëpia pa përdorur kremrat e këshilluar nga mjeku dhe duhet të mbani sa më ngrohtë pjesët e ekspozuara duke përdorur dorashka leshi, shall, kapuç,etj
Nëse qëndroni gjatë në të ftohtë, organizmi juaj nuk arrin të prodhojë aq nxehtësi sa harxhon, dhe ju do të filloni të vuani nga ulja e temperaturës trupore e me kalimin e kohës do të ndiheni të lodhur, të mpirë dhe konfuzë. Kjo, pasi si pasojë e ngushtimit të enëve të gjakut në tru; ai fillon të mos mendojë qartë dhe pastaj lëvizjet fillojnë të ngadalësohen, deri kur temperatura e trupit të bjerë nën 35° C deri në ngrirje. Shenjat e para të ngrirjes janë mungesa e ndjeshmërisë, skuqja dhe dhimbjet në indet e lëkurës dhe nënlëkurës në ekstremitete (kokë, këmbë e duar) dhe zonat më të ekspozuara si fytyra, veshët, etj. Në raste të tilla nuk duhet të masazhohen pjesët e ngrira, por duhet të futeni menjëherë në një ambient të ngrohtë dhe të pini pije të ngrohta që të rrisin temperaturën e trupit, duke evituar përdorimin e alkoolit. Kujdes nëse lëkura merr ngjyrë të zbehtë deri në të verdhë- jeshile, pasi mund të shkojë deri në gangrenizim që kërkon dhe amputimin e tyre.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
8 zgjedhjet më të mira për një mëngjes të shëndetshëm
Majlti i maresë, si prodhohet dhe cilat janë vetitë kurative
Ushqimi i shëndetshëm ndërton tru te shëndetshëm