VAKSINAT E FËMIJËVE

Ja ç’duhet të dini para vaksinimit të fëmijës

Suzana Gjevori, mjeke e Konsultorit në Qendrën Shëndetësore nr. 9 në Tiranë, udhëzon nënat mbi çështje të rëndësishme që lidhen me informacionin rreth vaksinimit, gjendjeve shëndetësore specifike të fëmijëve dhe kalendarit.

Vaksinat janë konsideruar një mënyrë tepër efektive në mbrojtjen e fëmijëve ndaj sëmundjeve të ndryshme. Procesi i vaksinimit aplikohet sipas një kalendari të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe OBSH-së. Skema e paraqitur përfshin fëmijët e shëndetshëm, duke përjashtuar përkohësisht ose përfundimisht një grup të caktuar fëmijësh.


Në kategorinë përjashtuese të përkohshme janë fëmijët me sëmundje kalimtare ose nën trajtim, e në kategorinë e të kundërindikuarve absolut përfshihen fëmijët me sëmundje të sistemit imunitar ose të patologjive kardiake, mushkërive ose me disa anomali të lindura. Pyetja që shtrojnë shumë prindër është se kur është e papërshtatshme të vaksinosh fëmijët. Është mjeku pediatër ai që ju këshillon nëse fëmija juaj vuan nga ndonjë patologji, e cila pengon ose jo vaksinimin.


Suzana Gjevori, mjeke e Konsultorit në Qendrën Shëndetësore nr. 9 në Tiranë, udhëzon nënat mbi çështje të rëndësishme që lidhen me informacionin rreth vaksinimit, gjendjeve shëndetësore specifike të fëmijëve dhe kalendarit.


Vaksinimi

Vaksina është një preparat i cili nxit mbrojtjen e organizmit ndaj baktereve apo viruseve që shkaktojnë sëmundje. Vaksina është e përbërë nga një agjent infektiv i inaktivizuar, i cili sapo futet në organizëm shkakton formimin e antikorpeve, të cilat janë të nevojshme për të filluar përgjigjen e drejtuar imunitare.

Në momentin e infektimit me mikrobin real që shkakton sëmundje, përgjigja imunitare e fëmijës është më e shpejtë dhe më e efektshme pasi ai është vaksinuar më parë dhe është njohur me shkaktarin. Vaksina mund të prodhohet nga agjentë infektivë të gjallë (pjesërisht aktivë) ose të vrarë. Edhe fëmijët e lindur prematurë (para kohe) që kanë sistem imunitar më të dobët se fëmijët normalë i nënshtrohen të njëjtës skeme vaksinimi.


Kalendari

Ligji i sëmundjeve infektive përfshin disa vaksinime të detyrueshme. Këto janë të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë, e ndjekin skemën që gjendet në vijim.

Në moshën dymuajshe fëmija vaksinohet për: Poliomielit, difteri, tetanos, kollën e mirë, hepatitet virale, hemophilus influenza e pneumokokus. Të gjitha këto bëjnë të mundur krijimin e antikorpeve që përmirësojnë sistemin imunitar të fëmijës. Ekzistojnë vaksina të kombinuara që përmbledhin antigjene të sëmundjeve të ndryshme që aplikohen në një injeksion. Vaksina për difterinë, tetanosin, kollën e mirë, hepatit e hemofilus influenzale janë një e vetme.


E njëjta gjë vlen për atë të fruthit, parotitit dhe rubeolës. Disa vaksina aplikohen në krah, kurse disa të tjera në kofshë, e të tjera në gluteale sipas specifikave muskulore. Të gjithë fëmijët e shëndetshëm duhet të vaksinohen, përveç një kategorie fëmijësh që përbën kundërindikacion absolut, sikurse janë rastet me mangësi të rëndë të sistemit imunitar, hipersensibilitet ndaj disa antibiotikëve, alergji ndaj përbërësve të vaksinave. Në raste të gjendjes së fëmijës me sëmundje akute në trajtim e sipër ose temperaturë mbi 38, vaksinimi shtyhet për më vonë.


Vaksinimi kundër poliomielitit fillon në moshën dymuajshe. Poliomieliti është një sëmundje që shkakton paraliza muskulore me pasojë insuficiencë të rëndë respiratore dhe vdekje nëse prek muskujt respirator ose qendrat e frymëmarrjes. Aplikohet 5 herë në muajin II, IV, VI dhe në moshat 2 e 5 vjeç. Ekzistojnë dy lloje të kësaj vaksine. Njëra e inaktivizuar (SALK, injeksion) dhe tjetra e gjallë por e dobësuar (SABIN, pika në gojë).


Vaksinimi kundër difterisë fillon në muajin e dytë të jetës. Difteria shkakton temperaturë të lartë, laringit dhe trakeit duke u ndërlikuar me bronkopneumoni, paralizë, asfiksi dhe vdekje në 5 % të rasteve. Bëhen 6 doza vaksinimi në muajin II, IV, VI, dhe në moshat 2, 6 e 14 vjeç.


Vaksinimi kundër tetanosit fillon në muajin e dytë të jetës. Tetanosi shkakton dhimbje koke, kontraksione muskulore të qafës dhe trungut, ndërlikohet me spazma muskulore, asfiksi dhe vdekje. Aplikohet 6 herë njëlloj si difteria.


Vaksinimi kundër hepatit viral B. Fillon vaksinimi menjëherë pas lindjes. Bëhen në vijim 3 doza, në muajin II, IV, VI. Hepatiti viral B shkakton pamundësi të përgjithshme, të vjella dhe temperaturë. Ndërlikohet me hepatit kronik, cirrozë e tumore të mëlçisë.


Vaksinimi kundër kollës së mirë. Aplikohet 4 herë, në muajin II, IV, VI dhe në moshën 2 vjeç. Pertussis (kolla e mirë) në fillim ka temperaturë të lehtë, kollë të thatë natën, e cila rëndohet pas disa ditësh. Ndërlikohet me laringit, pneumoni dhe kriza asfiksie.


Vaksina kundër pneumokokut aplikohet 3 herë, në muajin II, IV, X. Pneumokokus është shkaktar i mjaft sëmundjeve shkaktuar nga Streptokokus Pneumonia, otite e deri në meningite.


Vaksinimi kundër fruthit bëhet vetëm një dozë në moshën 12 muajshe. Fruthi shkakton dobësi të përgjithshme, temperaturë, konjunktivit dhe kollë. Pas pak ditësh shfaqen ekzantema në të gjithë trupin. Ndërlikohet me laringit, pulmonit, konvulsion, encefalit.


Vaksinimi kundër tuberkulozit. Bëhen 2 doza. Doza e parë menjëherë pas lindjes dhe rivaksinimi në moshën 6 vjeç. Tuberkulozi shkakton temperaturë, kollë dhe dobësi. Komplikohet me infeksion TBC pulmonar, eriteme nodoze, meningit tubercular.


Në lindje aplikohen vaksina kundër:

Hepatitis viral B;


Në muajin e dytë aplikohen 3 vaksina:

DTP, Hep, Hib (Difteri, Tetanos, Pertussis, Hepatit viral B, Haemophilus influenzae tip b);

IPV (Poliomielit);

PCV (Pneumokokus).


Në muajin e katërt, skema si në muajin e dytë.

Në muajin e gjashtë:

DTP, Hep B, Hib (Difteri, Tetanos, Pertussis, Hepatit viral B, Haemophilus influenzale tip b);

IPV (Poliomielit).


Në muajin e dhjetë:

IPV (Poliomielit).


Fëmija 1 vjeç vaksinohet kundër:

FRP (Fruth, Rubeolë, Parotit).


Fëmija 2 vjeç:

IPV (Poliomielit);

DTP (Difteri, Tetanos, Pertusis).


Fëmija 5 vjeç:

FRP (Fruth, Rubeolë, Parotit).


Fëmija 6 vjeç:

IPV (Poliomielit);

DT (Difteri, Tetanoz).


Fëmija bën dozë përforcuese të TD-së në moshën 14 e 18-vjeçare.




(Suzana Gjevori, mjeke e konsultori)

23,557 Lexime
5 vjet më parë