ADHD

Si të dallojmë çrregullimin e vëmendjes me hiperaktivitetin dhe impulsivitetin

Psikologja e njohur, Lorela Garuli, këtë herë sjell disa referime për të dalluar çrregullimet e vëmendjes me hiperaktivitetin dhe impulsivitetin te fëmijët. Për më tepër lexoni artikullin e mëposhtëm.

Çrregullimi i vëmendjes me hiperaktivitet përcaktohet si shfaqja e një grupi sjelljesh ku fëmija paraqet nivele impulsiviteti, mungesë vëmendjeje dhe hiperaktiviteti më të lartë sesa fëmijët e tjerë të së njëjtës moshë. Zakonisht këto vështirësi shfaqen përpara moshës shtatë vjeçare. 


ADHD konsiderohet çrregullimi më i përhapur i periudhës së fëmijërisë së hershme dhe prek më shumë djemtë sesa vajzat. Simptomat dhe karakteristikat e ADHD-së ndahen në tre lloje dhe janë si më poshtë:



Mungesa e vëmendjes


-Bën gabime të shpeshta pakujdesie;

- Nuk i kushton vëmendje detajeve;

- Harron ndjekjen e rutinave dhe detyrave të përditshme;

- Duket sikur nuk dëgjon kur i flasin;

- Nuk e mban dot vëmendjen në kryerjen e detyrave apo gjatë lojës;

- Ka vështirësi në organizimin e detyrave apo aktiviteteve;

- Nuk i ndjek dot udhëzimet që i jepen;

 - Shpesh humbet gjëra të cilat janë të domosdoshme për detyrat apo veprimtaritë (libra, fletore).

- Shpërqendrohet dhe hutohet lehtësisht.



Hiperaktiviteti


- Bën lëvizje përsëritëse me duar ose me këmbë, në shenjë nervozizmi ose padurimi;

- Nuk rri ulur në klasë apo në mjedise të tjera, në të cilat qëndrimi ulur është i nevojshëm;

- Vrapon, kërcen, hidhet së tepërmi në situata të papërshtatshme.

- Flet shumë dhe pandërprerë;

- Është gjatë gjithë kohës në lëvizje dhe duket sikur nuk lodhet kurrë.



Impulsiviteti


- Ka vështirësi në mbajtjen e radhës dhe kur i duhet të presë;

- Nis të kthejë përgjigje përpara se t'i bëhet pyetja e plotë;

- Ndërpret të tjerët kur flasin, futet në mes të një loje, bisede apo aktiviteti që të tjerët po kryejnë. 




(Lorela Garuli, psikologe; Portali Shkollor) 

3,935 Lexime
4 vjet më parë