Problem aktual

Shtohen rastet e fëmijëve që mbajnë syze. A ndikon koha para ekranit në dëmtimin e syve?

“Fëmija im mban syze për shkak të telefonit”; “nxënësit janë gjithë kohës në telefon duke lodhur sytë”- Në këtë pikë, mësuesit dhe prindërit bëhen bashkë kur shikojnë shtimin e rasteve të të vegjëlve që mbajnë syze. Koha pa kriter që ata kalojnë në internet po shkakton lodhje të vazhdueshme për ta.


Telefoni si armiku i syve


Ndër shqetësimet e kryesore të prindërve për shekullin XXI qëndron dëmtimi i syve të fëmijëve nga ekspozimi i gjatë në telefona apo tabletat. Për shumë fëmijë, pajisjet digjitale janë pjesë e pandashme e jetës së tyre në shtëpi apo shkollë. Përqendrim i zgjatur mendohet të jetë faktor rreziku për miopi të hershme. 


A ndikon vërtetë telefoni në përkeqësimin e shikimit? Në cilën moshë rekomandohet përdorimi i telefonit tek fëmijët? Çfarë duhet të dinë prindërit për të parandaluar këtë shqetësim?


Shqetësimi i prindërve dhe mësuesve

Frazat më të përsëritura në përditshmëri janë “telefoni do të dëmtojë sytë”, “fëmija im mban syze për shkak të përdorimit të telefonit” “nxënësit janë gjithë kohës në telefon duke lodhur sytë”. Në një pikë, mësuesit dhe prindërit bëhen bashkë kur shikojnë shtimin e nxënësve që mbajnë syze, lodhjet e vazhdueshme dhe kohën pa kriter në lojëra apo rrjete sociale. 



Çfarë thonë ekspertët?

Miopia ndodh kur syri nuk e përkul dritën siç duhet, duke bërë që objektet në distancë të shqyhen të paqarta, ndërsa objektet e afërta të duken të qarta. Okulistët shprehen të shqetësuar nga rritja e fëmijëve dhe të rinjve të prekur nga miopia. Sot që flasim, miopia prek 1 në 3 persona. Disa njerëz e kanë të lindur, dhe tek të tjerë zhvillohet me kalimin e kohës. Përgjithësisht, miopia zbulohet tek fëmijët e moshës 8 deri në 12 vjeç. Në rastet kur nuk zbulohet dhe parandalohet, atëherë dëmtimi i syve vijon gjatë adoleshencës. Ekspertët e Agjencisë Ndërkombëtare për Parandalimin e Verbërisë (IABP), parashikon se deri në vitin 2050, kjo gjendje do të prekë 50 % të popullsisë së botës. 


Fëmijët po përjetojnë miopi për dy faktorë kryesorë:

  1. Nga rutina e ngjeshur me pajisjet teknologjike.
  2. Nga mungesa e kohës së kaluar jashtë në natyrë. 


Rëndësia klinike dhe miopia tek nxënësit 

Nga studimet e kryera në Institutin dhe Universitetin e Singaporit, shkencëtarët studiuan të dhënat e marra nga 15 studime të vazhdueshme. Rezultatet e marra ishin të përziera. Në fund, u pa që ekrani nuk shkakton miopi tek nxënësit. Nga pyetësorët e prindërve u kuptua se nënvlerësimi i kohës ishte pika kyçe në marrëdhënien e telefonit dhe syve. Ky studim tregoi se fëmijët miop po shpenzojnë më shumë kohë në telefon krahasuar me bashkëmoshatarët që kalojnë kohën jashtë. Jo vetëm fëmijët dhe nxënësit, por dhe të rriturit që e kanë të reduktuar kohën jashtë, janë më të predispozuar të preken nga miopia e syve. 


Shenjat e para të miopisë


Rëndësia klinike, kontrollet paraprake janë efektive për të parandaluar miopinë tek fëmijët. Prindërit dhe mësuesit mund t’i kuptojnë simptomat e miopisë kur nxënësit nisin t’i mbajnë shumë pranë objektet: librat, telefonin, ipadi-n, etj. Nëse nxënësit kanë probleme me leximin e tabelave atëherë ata janë në shenjat e para të miopisë. 


Si të parandalojmë miopinë?


Për prindërit dhe mësuesit e shqetësuar mbi shëndetin e fëmijëve, parandalimi është ushtrimi më i mirë për të ulur rastet e miopisë. Kur fëmijët kalojnë kohë jashtë në natyrë, muskujt e syve kanë mundësi të qetësohen, pasi përqendrohen në objektet në distancë. Ky ushtrim është i dobishëm veçanërisht pas orëve të kaluara para ekranit. Lentet e kontaktit dhe pikat e syve ndihmojnë në ngadalësimin e zhvillimit të miopisë.


Disa këshilla për prindërit:

  • Inkurajoni fëmijët të luajnë jashtë në natyrë dhe zvogëloni kohën para ekranit sa më shumë të jetë e mundur. 
  • Kufizoni me 1 orë qëndrimin para ekranit për fëmijët e moshës 2 deri në 5 vjeç. Ekspertët rekomandojnë që fëmijët nën 2 vjeç të mos kenë kontakte me ekranin e televizorit dhe telefonit. 
  • Krijoni një skedul për adoleshentët. Çdo 20 minuta të bëhet një pushim 20 sekondash, duke vrojtuar të paktën 20 metra larg. 
  • Flisni me një okulist të fushës në rast kur vini re se fëmija juaj në shtëpi, apo nxënësit në klasa shfaqin simptomat e miopisë. Rëndësia klinike nuk duhet anashkaluar në asnjë moshë. 



Burimi: https://www.myopiaprofile.com/the-association-between-digital-screen-time-and-myopia/ 

https://healthcare.utah.edu/healthfeed/postings/2021/10/myopia.php 


Përgatiti: Xhoana Jaku 

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,899 Lexime
2 vjet më parë