“Së bashku kundër bullizmit”, projekti i nxënësve të shkollës “Protagonisti”
Projekti “Së bashku kundër bullizmit” në shkollën “Protagonisti” përfshiu të gjitha klasat e ciklit AMU. Nxënësit përdorën kreativitetin e tyre në forma të ndryshme si poezi, këngë, filma, prezantime dhe aktivitete interaktive për të sensibilizuar dhe ndërgjegjësuar për luftën kundër bullizmit.
“Së bashku kundër bullizmit” ishte projekti që përfshiu të gjitha klasat e ciklit AMU të shkollës “Protagonisti”. Si pikënisje për këtë projekt u bënë, Dita e Tolerancës, Dita e të Drejtave të Fëmijëve dhe Dita Kundër Bullizmit.
Mësuesja koordinatore e senatit Rajmonda Vishe na thotë se: “Falë angazhimit të senatorëve, zëvendës senatorëve dhe bashkëpunimit të ngushtë me mësuesit kujdestarë, nxënësit demonstruan kreativitet, përkushtim dhe frymë solidariteti. Theksi kryesor i projekteve ishte ndërgjegjësimi, sensibilizimi dhe respektimi i të drejtave, duke promovuar një frymë dashurie dhe mirëkuptimi për njëri-tjetrin.
Falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit për punën e tyre të shkëlqyer. Le të na shërbejë ky projekt si një udhërrëfyes për të bashkuar zemrat dhe për të përhapur frymë dashurie dhe respekti në çdo ditë të jetës sonë”.
Në këtë projekt gjithëpërfshirës ishte për t’u marrë shembull angazhimi, serioziteti dhe bashkëpunimi me të cilin nxënësit shpalosën punën e tyre duke bërë prezantime të ndryshme me përpjekje maksimale. Çdo klasë kishte zgjedhur diçka të veçantë që të binte në sy në gjithë atë kolazh veprimtarish. Nëpërmjet prezantimeve nxënësit përcollën mesazhe dhe videomesazhe domethënëse, nisur edhe nga përvojat personale ose të marra nga intervista të ndryshme të bëra në terren, pyetësorë, anketa, statistika, etj. Madje një klasë kishte krijuar një faqe Web ku nxënësit mund të raportonin shqetësimet e tyre lidhur me bullizmin.
Nxënësit prezantuan edhe shkaqet se nga vjen bullizimi, si lind ai, pasojat, ndikimet si nga mjedisi shoqëror, por edhe ai familjar dhe si të luftohet ky fenomen kaq i përhapur në shoqërinë tonë, duke u përballur me të, ose duke kërkuar ndihmën e prindërve, mësuesve, drejtorisë, etj.
Në prezantimet e nxënësve të bënte përshtypje mënyra që secila klasë kishte zgjedhur për të prezantuar projektin. Herë fillonte prezantimi me një këngë të krijuar nga vetë nxënësit, herë me poezi dhe ese të krijuar nga vetë ata, herë me piktura, herë me mesazhe shpirtërore, herë me dramatizim, herë me filma të shkurtër të regjistruar brenda mjedisit të klasës ose të shkollës ku vetë nxënësit ishin protagonistë, herë me filma të animuar, herë me shembuj që në mënyrë të figurshme përcillnin mesazhe plot emocion, e herë me dramatizime, që në fund përfundonin me përqafime, lot dhe fjalë plot mirësi që u buronin nga zemra. Kishte edhe klasa që kishin stampuar vetë bluzat me mesazhin “Stop Bullizmit”, ose një klasë tjetër në një baner të madh nxënësit stampuan duart e tyre për të dhënë një mesazh sensibilizues.
Secila klasë solli një performancë që përcolli mesazhe emocionuese dhe shpresën se shoqëria jonë do të bëhet më e mirë në një botë pa bullizëm.
Në fund të të gjitha prezantimeve juria, e cila përbëhej nga shtatë anëtarë, ndau çmimet fituese për sipas kategorive dhe certifikata për fituesit dhe pjesëmarrësit.
Më poshtë po ndajmë me ju njërën nga poezitë më të mira, që vetë nxënësit krijuan.
BULLIST APO PROTAGONIST
Poezi nga Gregor Gorenca, kl 7a
Ti që bullizon,
Vallë a mendon,
Se një zemër e lëndon,
Se një sy e loton.
Një fjalë e mirë asgjë nuk kushton,
Një miqësi e re nuk të dëmton,
Por bullizmi veç po na largon.
Prandaj mos përqesh, mos ngacmo,
Se ai që është bullist,
S’mund të jetë kurrë protagonist.
Nga Iriana Papamihali
Artiste, mësimdhënëse, autore teksteve shkollore
Vlerësimi i nxënësit për zhvillimin e kompetencave kyçe
Si të organizojmë festën e fundvitit në klasë
Teste vlerësimi për klasën e parë