Sa të sigurt janë fëmijët nga Tik-Tok?
Jetesa me teknologjinë nuk mund të zhbëhet, por mund të administrohet. Zgjidhja më e mirë për të garantuar sigurinë e mediave sociale është të kontrolloni cilësinë e privatësisë së çdo rrjeti të mediave sociale, duke vëzhguar vazhdimisht aktivitetin e fëmijëve në Tik Tok.
Çfarë është Tik Tok?
Tik Tok është një platformë sociale e përqendruar në krijimin e videove të shkurtra me këngë dhe kolona zanore. Brezi i ri është i pasionuar pas platformave digjitale, duke i konsideruar si trend për kohën.
Po sa i sigurt dhe edukues është ky trend për fëmijët?
Rreziku i platformave digjitale
A e dini se nga statistikat e sigurisë kibernetike 1 në 3 persona (30.5%) vuanin nga mashtrimi i identitetit në 2013. Vjedhja e identitetit mund të kapërcejë format fizike të vjedhjes duke pësuar rritje vitet e fundit. Njerëzit mund t'i përdorin të dhënat tuaja për të grabitur para apo për të kryer krime, prandaj është e rëndësishme të jeni të kujdesshëm me informacionin që vini në dispozicion për publikun. Mbi 60% e atyre që janë goditur nga mashtrimet thonë se nuk e kanë idenë se si ndodhi fenomeni i mashtrimit.
A mundet Tik Tok të vjedhë identitetin?
Dy vitet e fundit, spekulimet kanë qarkulluar se disa grupe spiunazhi mund të zotërojnë informacione të brendshme nga aplikacioni i Tik Tok. Nëse është shkelur siguria e platformës (diçka për të cilën shqetësohen shumë njerëz), atëherë sasia e madhe e të dhënave që aplikacioni kërkon të ruajë kur e përdorni, mund të përdoret për qëllime kriminale. Një fakt që i ka bërë njerëzit të dyshojnë për Tik Tok, është regjistrimi i vendndodhjes tuaj reale dhe arkivimi i një serie të dhënash personale, kur qëllimi duhet të jetë vetëm krijimi i videove dhe fotove të bukura.
Çfarë mësojnë gabim fëmijët nga këto platforma digjitale?
Në tendencat e fëmijëve dhe adoleshentëve kur hapin një llogari në Tik Tok është:
- Të fitojnë para: duke krijuar video të bukura për të fituar klikime nga publiku. Përgjithësish, adoleshentët dhe të rinjtë janë më të orientuar të ndërmarrin sfidat dhe lojërat për të fituar para në shkëmbim. Një formë argëtuese dhe fitimprurëse janë sfidat. Dy individë zhvillojnë një lidhje transmetime të drejtpërdrejtë, të ndjekur nga ndjekësit e tyre. Në rregullin e lojës përfshihen paratë virtuale, të cilët vijnë nga llogaritë bankare. Për çdo sfidë, konsumin e lëngjeve apo ushqimeve, sfiduesi merr para nga fansat.
- Të fitojnë popullaritet: duke ndërtuar faqe biznesi në kanale të drejtpërdrejta, të tilla si: ‘mësime për veshjet apo makijazhet’ apo “koreografi argëtuese”. Nevoja për popullaritet i bën fëmijët apo adoleshentët të publikojnë video apo foto private të njerëzve të tjerë. Shpesh adoleshentët i konsiderojnë shaka disa veprime bullizuese, duke mos e kuptuar peshën e fotografimit të videove. Tik Tok ne themele ka sfida argëtuese. Megjithatë, kujtojmë se disa nga sfidat përmbajnë sjellje të papërshtatshme. Një shembull ishte: punimi i rrengjeve të prindërve ose miqve, duke filmuar reagimin e tyre. Promovimi i rrengjeve dhe filmimi i tyre i krijon fëmijës dëshirë të shpeshtuar për të fituar pëlqimin e publikut, e për pasojë veprimet e këtij lloji mund të rriten rrezikshëm.
- Të argëtohen përmes lojërave dhe muzikës: Fëmijët dhe adoleshentët nuk dinë ta bëjnë ndarjen mes lojës dhe piraterisë sikurse prindërit munden. Nga ana tjetër, prindërit nuk mund të monitorojnë në çdo moment të ditës aktivitetin virtual të fëmijëve të tyre. Balena Blu, Momo, Jonathan Galindo, fillimisht janë prezantuar si lojëra tek fëmijët. Themeluesit janë anonim dhe si qëllim kanë vjedhjen e informacioneve personale, e shpesh duke i kërcënuar fëmijët për të kryer aktivitet ilegale ose dëmtuese. Për fat të keq, në vendin tonë janë regjistruar viktima nga lojërat virtuale në Tik Tok, të tilla si Blackout. Sigurish, në Tik Tok ka edhe lojëra që nuk cenojnë shëndetin e fëmijëve. Në fund, është prindi ai i cili monitoron dhe udhëzon për hapat e sigurt të fëmijës.
Si mund t'i mbrojmë fëmijët nga pirateria?
Si fillim, privimi i fëmijëve nga media sociale nuk është zgjidhja e duhur. Gjatë pandemisë, si prindërit dhe fëmijët ishin përdorues aktiv të rrjeteve sociale si Instagram, Snapchat, Facebook, veçanërisht të Tik Tok. Fëmijët dhe adoleshentët kuptuan asokohe se media sociale ishte diçka e dobishme, deri diku edukuese për informacionet aktuale, një dritare për t’u lidhur me botën dhe miqtë përmes kërcimit dhe muzikës. Si prind, privimi i rrjeteve sociale, kur për dy vite ishin të autorizuara, mund t’i çorientojë fëmijët. Jetesa me teknologjinë nuk mund të zhbëhet, por mund të administrohet.
Një fushë shqetësuese mbetet mundësia për komunikim me të panjohurit. Aktiviteti i llogarisë për fëmijët e moshës mbi 16 vjeç nuk është i dukshëm për këdo. Ndërkohë llogaritë e krijuara nga fëmijët e moshës 13 në 15 vjeç, vendosen automatikisht në statusin private. Sidoqoftë, ky kufizim mund të ndryshohet nëse fëmija vendos një datë të rreme të lindjes kur regjistrohet për të hapur një llogari në Tik Tok. Zgjidhja më e mirë për të garantuar sigurinë e mediave sociale është të kontrolloni cilësinë e privatësisë së çdo rrjeti të mediave sociale, duke vëzhguar vazhdimisht aktivitetin e fëmijëve në Tik Tok.
Tri këshillat kryesore për prindërit janë:
- Kujdes kë pranoni si miq dhe publik në rrjetet sociale. Mbani kontaktet reale të komunitetit ku jetoni, pra miqtë dhe familjarët, kështu fëmija nuk bie pre e të panjohurve.
- Kontrollojini postimet dhe sigurohuni nëse janë të duhura për tu shpërndarë me masën.
- Shmangni ndarjen e vendodhjes në kohë reale të fëmijëve tuaj, për të qënë më të mbrojtur nga të panjohurit.
Burime:https://www.safesearchkids.com/tiktok-and-online-security-is-tiktok-safe-for-kids/#.Ykqshi8RpBw
https://www.safesearchkids.com/a-teens-guide-to-social-media-safety/#.Ykv48S8RpBw
Përgatiti: Xhoana Jaku
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Forbes: "Nuk ka më mësues të rinj, kriza epike që po përballet e gjithë bota në vitin 2024"
Roli dhe detyrat e mësuesit koordinator për sigurimin e cilësisë në arsimin dhe për këshillimin e karrierës
Disa veprimtari të shkollës si Qendër Komunitare