Psikologji

Rekomandime për prindërit, fëmijët e të cilëve nisin klasën e parë

Prindërit duhet t’i ndihmojnë fëmijët që fillojnë klasën e parë duke luajtur me ta, duke ndarë historitë e tyre të shkollës dhe duke u shpjeguar se çfarë e pret fëmijën e tyre në jetën shkollore. Këshillat e tjera i gjeni në artikullin e mëposhtëm të përgatitur nga psikologia Orgesa Qosja.

Fillimi i shkollës përbën një etapë të rëndësishme në zhvillimin e fëmijës, një etapë të re të panjohur më parë për të. Për një fëmijë, shkolla mund të krijojë si ndjesi të këndshme ashtu edhe shqetësime të vogla. Prandaj prindërit duhet t’i ndihmojnë fëmijët e tyre të përgatiten paraprakisht për fillimin e shkollës e kryesisht klasës së parë duke luajtur me ta, duke ndarë historitë e tyre të shkollës dhe duke u shpjeguar se çfarë e pret fëmijën e tyre në jetën shkollore. Kjo për shkak se ka disa gjëra që vetëm prindërit mund t’i shpjegojnë dhe është një detyrë dhe përgjegjësi mbi gjithçka. Për fëmijët e klasës së parë gjithçka duket kaq e pazakontë në fillim pasi përjetojnë gjëra të reja si: shokët e shoqet e klasës, detyrat e shtëpisë dhe vlerësimet për herë të parë në jetën e tyre ndaj prindërit duhet ti përgatisin fëmijët dhe tu bëjnë me dije se:

  • Shëndeti fizik dhe mendor i fëmijës është më i rëndësishëm se mësimet ndaj nuk duhet ushtruar “presion” për arritjen e rezultateve shkollore maksimale.
  • Mos i krahasoni fëmijët me të tjerët pasi krahasimi ul vetëvlerësimin.
  • Injektoni tek fëmijët ndjenjën që nëse diçka ju duket e vështirë, kërkojini ndihmë mësuesit tuaj ose prindërve.


Disa nga hapat sesi prindërit të përgatisin fëmijët për ditën e tyre të parë të shkollës janë:

  • Bëni me fëmijën një vizitë në ambientet e shkollës për ti parë ato dhe bashkëndani eksperiencat tuaja personale sesi jeni ndjerë ju kur keni shkuar në shkollë dhe cilat janë anë pozitive të arsimimit si dhe eksperiencat e vëllezërve apo motrave të tyre nëse kanë.
  • Fokusohuni në ndjenjat e fëmijës dhe mendimet e tyre në lidhje me shkollën, mësuesit, shokët , shoqet, aktivitetet e reja.
  • Filloni parapërgatitjet çdo mëngjes duke krijuar një rutinë ditore nga zgjimi deri tek mbërritja në shkollë.
  • Përpiquni që të jeni sa më të qetë nëse fëmija ndjehet ankthioz.


Rrugëtim të mbarë në jetën shkollore të dashur nxënës!


Përgatitur nga : Msc.Orgesa Qosja, Psikologe në shkollën “Sulë Harri”, Elbasan.


Referenca:

-Barrett, G. (1986) Starting School: An Evaluation of the Experience. London: Assistant Masters and Mistresses Association.

-Cleave, S., Jowett, S. and Bate, M. (1982) .And So To School: A Study of Continuity from Preschool to Infant School.


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

4,792 Lexime
3 vjet më parë