Shembuj

Rafaela Llakmani: Magjia e fjalëve kyçe, receta si t’u ushqeni fantazinë nxënësve tuaj për të shkruar

Kur bëhet fjalë për artin e mësimdhënies, fjalët kyçe janë një nga teknikat më frytdhënëse të saj.Një recetë me disa fjalë të tilla është ajo që na duhet për të vënë në punë imagjinatën e nxënësve, shpirtin e tyre krijues, dëshirat dhe ëndrrat e tyre më të mëdha për të arritur më pas në një realitet tjetër.

Letërsia është shkenca që i jep formë shpirtit njerëzor;i jep mundësinë së padukshmes ndjenjë të marrë jetë nëpërmjet fjalëve magjike;është ajo që përjetëson qenien tonë. 


Qysh nga fëmijëria, lidhja e njeriut me letërsinë ka qenë e pashmangshme. 


Një përrallë e bukur rrëfyer nga zërat e ëmbël të gjyshërve apo prindërve ka qenë pikëtakimi ynë i parë me mrekullitë që të ofron jeta. Aty ku çdo gjë është e mundur, ku e mira e mund të keqen, ku ka vetëm gëzim e lumturi, ku t’i mund të fluturosh, mund të hysh e të dalësh nga barku i një peshku gjigant, pasi ke gjetur thesarin e shumëkërkuar, mund të shndërrohesh në gjithçka që dëshiron, pasi ke ndihmuar Zanën e Bardhë nga rreziku etj.


Çuditërisht ekziston një lidhje e ngushtë midis realitetit dhe përrallës, sa ndonjëherë nuk e kupton ku fillon njëra dhe ku mbaron tjetra. Pak a shumë edhe jeta jonë është një përrallë, ku ka personazhe pozitive dhe negative, sfida, humbje, fitore, ëndrra.


Një princ dhe një princeshë, një mbret, shtriga e keqe, molla e helmuar etj,  janë fjalët që na sjellin në kujtesë një nga përrallat më të njohura në historikun e tyre, “Borëbardha dhe shtatë xhuxhët”. Mjafton shpesh edhe vetëm një fjalë e tillë që të na sjellë ndërmend përrallën aq të dashur për ne. 


Kjo është magjia e fjalëve kyçe. Prej tyre nis gjithçka. Është filli kryesor që end krejt historinë.


E cili autor mund ta kishte menduar fuqinë e tyre? E kush mund ta dinte se falë tyre edhe ne mund të krijojmë mrekulli të tilla të vogla si përrallat apo krijime të tjera letrare.


Kur bëhet fjalë për artin e mësimdhënies, fjalët kyçe janë një nga teknikat më frytdhënëse të saj. Një recetë me disa fjalë të tilla është ajo që na duhet për të vënë në punë imagjinatën e nxënësve, shpirtin e tyre krijues, dëshirat dhe ëndrrat e tyre më të mëdha etj për të arritur më pas në një realitet tjetër plot vende të pashkelura, krijesa të çuditshme, objekte magjike dhe lumturi pa fund. 


Edhe ju mund ta provoni këtë falë “recetës” së mëposhtme, të cilën mund ta përdorni sipas dëshirës, pasi të keni lexuar edhe përrallat e vogëlusheve tona. 


Receta e një përralle


Përbërësit (FJALЁT KYÇE):

1. Emrat e personazheve (pozitivë, negativë);

2. Vendet reale dhe imagjinare;

3. Mjetet magjike;

4. Krijesa të çuditshme;

5. Provat ose sfidat e përrallës;

6. Fjalë të tjera (sipas dëshirës)


Përfundimi? Thjesht do t’ju lërë pa fjalë. 



Shembuj nga nxënësit






FATI I NJË JETIMI 


(Fjalët kyçe: kërkoj fatin, jetim, rrugë e ngushtë, kështjellë, shtrigë, lepur që flet, princeshë shpirtkeqe, breshkë e moçme, mbret mizor, mbretëreshë mizore, gjarpër, dyluftim, fitore, dasmë, lumturi).


Na ishte njëherë një djalë jetim, i cili u nis në një udhëtim për të zbuluar se cili ishte fati i tij. Djali kaloi pyje e male, por nuk gjeti asnjë shenjë të fatit të tij .

Kur kaloi përmes një rruge të ngushtë, i doli para një lepur që fliste. Lepuri i tha se jo shumë larg që aty ndodhej një kështjellë që sundohej nga një mbretëreshë mizore dhe një mbret mizor të cilët kishin rënë pre e mallkimit të një shtrige. I tha gjithashtu se atje ndodhej edhe një princeshë shumë e bukur dhe e mençur,  por shpirtkeqe, e cila gjithashtu ishte mallkuar nga shtriga dhe sillej keq prej magjisë që i kishte bërë ajo. Të gjithë njerëzit që banonin në atë vend jetonin mes vuajtjeve nga shpirtligësia që tregonin sunduesit me ta. 

Duke dëgjuar historinë e trishtë,  djali u nis të shpëtonte princeshën,  mbretin dhe mbretëreshën. Por k jo nuk ishte një punë fort e lehtë. Nevojitej guxim, zgjuarsi por edhe fuqi magjike. Djali këto të fundit nuk kishte ku t’i gjente, ndaj u ndie I padobishëm, por lepuri ishte përsëri aty. Duke kërcyer, I bëri shenjë djalit që ta ndiqte. Ec e ec përmes shkurreve, arritën buzë një lumi. Aty ndodhej breshka e moçme që shquhej për këshillat me vlerë dhe ndihmat që iu jepte të tjerëve. Djali e përshëndeti . Ajo dukej se po e priste. Pasi dëgjoi vendimin e djalit, vendosi që ta ndihmonte. Ajo nxori nga zhgualli I saj një shpatë që verbonte këdo që e shikonte dhe një shishe me lëng të shndritshëm që shërbente për të prishur mallkimin e shtrigës. Djali e falënderoi shumë dhe vazhdoi rrugën. 

Kur arriti te kështjella, pati një dyluftim të ashpër me rojet dhe me një gjarpër helmues që ishte vetë shtriga. Por djali ishte I zgjuar dhe shumë trim. Falë udhëzimeve të breshkës, ai nxori shpatën dhe I verboi të gjithë, edhe gjarprin. Këtij I dha edhe lëngun e çuditshëm që e ktheu në një pëllumb të bardhë që fluturoi I lirë në qiell. Kështu siguroi fitoren. Magjia u prish. 

Djali hyri në kështjellë dhe gjeti mbretin, mbretëreshën dhe princeshën të përqafuar nga malli për njëri-tjetrin. Të lumtur, ata e falënderuan djalin dhe në shenjë mirënjohjeje mbreti e ftoi të jetonte me ta ne kështjellë. Por tashmë djali dhe princesha kishin zgjedhur njëri-tjetrin për të qëndruar pranë gjithë jetën dhe këtë e tregonin shikimet e tyre. Mbreti dhe mbretëresha u gëzuan shumë dhe vendosën të organizonin një dasmë madhështore. Më në fund në kështjellë mbizotëronte lumturia… 


Punoi: Tiara Binishi VII-a






PRINCESHA E HESHTUR


Plotësoni vendet bosh (Fjalët kyçe: dashuri, mbretëresha, zogun, u martuan, zërin, magjike).

Në një mbretëri _________ jetonte një princeshë e heshtur. Princesha ndihej e vetmuar dhe e izoluar nga të tjerët për shkak të magjisë që i mbyllte zërin. Mbreti dhe -_____________ kërkonin ndihmë dhe thirrën princin guximtar Xhulian. Ai ndërmori sfidën për të shpëtuar princeshën që të hapte _______e saj. Duke ndjekur udhëzimet e një magjistari, Xhuliani mori përsipër një mision për të gjetur zogun magjik që mbante çelësin e zërit të saj. Pas shumë pengesash, Xhuliani arriti ta gjente_______dhe ta çonte në kullën e heshtjes, ku qëndronte princesha. Kur zogu u fut në kullë, princesha u çlirua nga heshtja dhe për herë të parë, foli. Xhuliani dhe princesha __________dhe jetuan një jetë të lumtur së bashku. Emocionet dhe veprimet e tyre frymëzuan të tjerët dhe mbretëria u mbush me ________dhe shpresë.


Punoi: Amantia Hoxhallari VII-A







SHTRIGA E PYLLIT TË ZI


(Fjalët kyçe: shërbëtore, pallat mbretëror, princ, shtrigë, magji,  sëmundje, supa magjike, perime, fruta, barëra të egra, ujk, ari, dhelpër, këshilla, shërim, dasmë, lepur). 


Na ishte njëherë një princ i cili dilte shpesh për gjah, por kurrë nuk e kalonte kufirin e pyllit,  sepse po ta bënte, pra po të shkonte përtej kufirit në Pyllin e Zi, ku jetonte shtriga e keqe, ai nuk do të dilte më i gjallë. Një ditë, teksa po gjuante, pa një lepur i cili u fut në Pyllin e Zi dhe u zhduk menjëherë midis pemëve te larta. Kaluan disa orë dhe princi e kuptoi se ato që thuheshin për shtrigën ishin të vërteta. Ai vendosi që t’i jepte fund kësaj frike njëherë e mirë, duke vrarë shtrigën. Princi hyri në Pyllin e Zi dhe u habit nga ajo që pa. Filloi të ecte përpara dhe papritur, para tij, u shfaq një kasolle e vogël më drurë të vjetër. Ai hyri brenda . Atje ndodhej një plakë e vjetër e shëmtuar, e cila ishte ulur në një kolltuk të prishur. Pa dyshim ajo ishte shtriga. Sapo e pa, ajo mendoi që t’i bënte një magji si ndëshkim, sepse ai hyri pa leje në pyllin e saj. Shtriga u tregua "shumë e mirë" me të dhe i tha të hante pak nga supa e saj, sepse ai ishte i lodhur nga gjuetia. Në të vërtetë ajo ishte një supë magjike e cila sëmurte të gjithë njerëzit që e hanin atë. Sapo e hëngri, princi filloi të ndihej keq. Shtriga e kuptoi se supa e kishte kryer punën e vet. Princi u ngrit menjëherë dhe u largua që aty. Me vështirësi, hipi në kalin e tij dhe shkoi në pallatin mbretëror. Sapo e panë, shërbëtorët vrapuan menjëherë për ta ndihmuar. E çuan në një dhomë të veçantë që të pushonte. Pasi ua tregoi historinë prindërve, ata thirrën mjekët më të mire, por ata nuk mundën të bënin asgjë. Mjekët zbuluan vetëm diçka, që princi ishte nën një magji të fortë të shtrigës. Kur e mori vesh lajmin, një shërbëtore iu tha se kjo magji ishte vdekjeprurëse dhe ajo kishte lexuar një libër për kurën e kësaj magjie. Shërbëtorja tha se e dinte se çfarë nevojitej për kurën dhe do të shkonte vetë të mblidhte përbërësit. Ajo shkoi në pyll mblodhi barëra të egra, fruta dhe perime. Kur shkoi në pallat i tha mbretit se nuk kishte marrë dot disa përbërës si: qime të gëzofit të ujkut, të ariut dhe të dhelprës. Mbreti urdhëroi gjahtarët e mbretërisë dhe ata ia sollën. Me përbërësit e mbledhur shërbëtorja bëri një supë magjike e cila e shëroi menjëherë princin. Atëherë ai shkoi menjëherë te Pylli i Zi për të vrarë shtrigën. Para se të shkonte, shërbëtorja i tha princit që shtriga do të vdiste vetëm nëse ai mund të gjente shpirtin e Pyllit të Zi i cili ndodhej në pemën më të madhe. Princi shkoi menjëherë atje. Gjeti pemën më të madhe, vrau shpirtin e pyllit duke prerë pemën dhe papritur gjithçka u zhduk. Pemët dhe lulet filluan të lulëzonin përsëri. Kasollja u zhduk bashkë me shtrigën. Pas asaj dite të gjithë jetuan të lumtur përgjithmonë. Princi zgjodhi si gruan e tij të ardhshme shërbëtoren e kuzhinës,  e cila ishte bija e një druvari, i cili i kishte treguar vajzës për legjendën e Pyllit të Zi, që tani nuk ekzistonte më. 


Punoi: Erika Mekolli VII-A






AVENTURË APO ËNDËRR?

(Fjalët kyçe: shtëpi e vjetër, nënë, djalë, pyll, zanë, liqen zambaku blu, pasuri, dasmë, fëmijë, fuqi magjike…)


Na ishte njëherë një djalë trim, i cili jetonte me nënën e tij në një shtëpi të vjetër. 

Një ditë ai do të dilte për gjah. Nëna i tha që të bënte kujdes, sepse në pyll ndodheshin kafshë të egra. Ai mori harkun dhe disa shigjeta dhe doli për gjah.

Pylli ishte vërtet i madh. Brenda tij ndodheshin shumë lloje kafshësh. Pas dy orësh ai nuk kishte kapur asgjë, kështu që mendoi të shkonte te liqeni me shpresën se do të gjente diçka. Kur shkoi atje, nuk pa asgjë përveç pasqyrimit të tij në ujë dhe hijet e pemëve. Ishte shumë i lodhur, ndaj vendosi të dremiste pak.


Pas një ore, djalin e zgjoi zëri i një zanë, një zë delikat dhei brishtë që e thërriste për ndihmë. Ajo i shpjegonte që për ta ndihmuar, duhet të shkonte pas dy kodrave pas ku ndodhej një Zambak Blu, një në të gjithë universin. I tha gjithashtu se nëse donte te zbulonte vendndodhjen e saj, duhet të pyeste zambakun dhe sigurisht që pas kësaj sakrifice, ai do të shpërblehej me pasuri të shumta.

Djali u nis në kërkim të zambakut. Pasi kaloi dy kodrat, gjeti Zambakun Blu. Sapo e preku, ai u pajis me fuqi magjike. Mund të nxirrte zjarr nga goja, mund të komandonte akullin dhe mund të shikonte pas mureve (pra ai mund të shikonte atë që nuk mund ta bënte dot kurrë një njeri normal). 

Duke ecur nëpër pyll, ai pa një princeshë e cila po luftonte me një dragua. Ai shkoi e ndihmoi princeshën me fuqitë e tij dhe princesha i tha atij se e dinte se kush ishte dhe se me çfarë detyre e kishte ngarkuar veten. Ajo i tha se ishte e dërguara e zanës për të shpërndarë lajmin për rrëmbimin e zanës dhe se dragoi që kishte vrarë djali ishte një nga kafshët më të rrezikshme që kishte në zotërim Rampalsnouski, personi që kishte rrëmbyer zanën. 


Zana mbahej e burgosur brenda Ujëvarës Lejla, e cila ndodhej poshtë këmbëve të tyre. Që të hapej porta e fshehtë, duhet të thuhej një formulë magjike. 

Princesha e tha formulën dhe porta u hap. Ata u hodhën që aty dhe ranë tek Ujëvara Lejla. 

Ata u futën në mes të ujëvarës dhe panë një liqen me gjarpërinj dhe krokodilë dhe mbi ta qëndronte kafazi në të cilin mbahej zana e burgosur.

Djali, me fuqitë magjike, ngriu ujin bashkë më gjarpërinjtë dhe krokodilat dhe e bëri atë të kalueshëm ndërsa me fuqinë e zjarrit, arriti të cajë kafazin ku mbahej zana.

Djali mori shpërblimin e tij dhe gjithashtu u martua edhe me princeshën. Ditën tjetër bënë një dasmë të madhe dhe pas dy vitesh trimi dhe princesha kishin dy fëmijë të ëmbël. 

Papritur dëgjohet një zë që thotë: “ Bir, çohu nga gjumi se është ora 09:00…” 


Punoi: Uesli Kapushi Klasa VII- B







MBRETËRIA E LULEVE MAGJIKE


(Fjalët kyçe: gjyshe, medaljon magjik, mbesë, kopshtar, lule magjike, kopsht, flutura që flet,  sfida, fitore, princ, princeshë, mbretëria e luleve).


Shumë kohë më parë na ishte një mbret i quajtur Dardan. Mbreti ishte i shquar për drejtësinë, trimërinë dhe zgjuarsinë e tij. Ky mbret kishte një vajzë të vetme të quajtur Arbëresha.

Ajo ishte e njohur për bukurinë e saj si ylli në qiell dhe trimërinë e saj si një shqiponjë.                        Princesha Arbëreshë kishte një gjyshe të dashur e cila quhej Argjiro. Gjyshe Argjiroja kishte njohuri mbi magjitë Ajo kishte një medaljon magjik, i cili kishte fuqinë që të krijonte ose shuante gjithçka në tokë. Arbëresha, si të gjithë ata që jetonin në mbretëri, e adhuronte gjyshe Argjironë dhe i dëgjonte me vëmendje të gjitha përrallat e saj. Ëndrra e saj ishte të zbulonte sekretin e medaljonit magjik, të cilin e studionte qysh në vogëli. Në ditëlindjen e 25-të, gjyshe Argjiroja kishte një lajm mbresëlënës për mbesën e saj. Në një kopsht të magjishëm, të njohur si kopshti i luleve, rritej një lule magjike, rrënjët e së cilës plotësonin çdo dëshirë. Për të arritur qëllimin e saj, Arbëresha duhej të përballej me shumë sfida dhe aventura, që do të vërtetonin cilësitë e karakterit të saj.


Arbëresha ishte mëse gati për këtë aventurë. Ajo mori me vete kalin e saj, Hijen dhe shqiponjën e saj,  Princin. Arbëresha mendonte gjatë gjithë kohës për fjalët që gjyshe Argjiroja i kishte thënë. Përgjatë udhëtimit, Arbëresha u përball me disa sfida, si: pyllin e luleve erëmira, pemët e lianave majmune, fushat e perimeve thithëse por edhe Luginën e Përjetësisë. Në Luginën e Përjetësisë udhëtimi zgjati dy javë, por ajo nuk e kishte problem. Më në fund Arbëresha arriti në Kopshtin e Magjishëm të Luleve. Atje ajo u kujdes për lulet së bashku me kopshtarin e caktuar.


Koshtari kaloi shumë kohë me Arbëreshën, ai e kuptoi përkushtimin e saj, zemrën e saj të pastër, trimërinë e saj dhe vendosi se kishte ardhur koha e duhur për Arbëreshën të mësonte mbi sekretin e lules magjike. Kopshtari nxori një sënduk të vjetër, të bërë nga druri i gështenjës, dhe e hapi me një çelës tunxhi. Ai i fryu dhe me disa lëvizje të lehta të dorës hoqi pluhurin që e kishte sunduar prej kohësh sëndukun e vjetër. Kopshtari e hapi me kujdes dhe nxori një libër të madh. Brenda këtij libri ishin vetë historia e familjes së Arbëreshës dhe mbretërisë së tyre Ishte i shkruar me bojë ari dhe faqet ishin të ruajtura mirë. Çuditërisht libri shkruhej vetë .Sa herë që diçka ndodhte në mbretëri, historia ruhej në libër. Kopshtari i shpjegoi Arbëreshës se libri ishte i magjishëm, legjendar, ai ishte sekreti i luleve magjike si dhe i medaljonit magjik. Arbëresha kuptoi se ky udhëtim kishte të bënte me pjekurinë e njeriut,  se ajo ishte magjia e vërtetë. Thuhet se ky libër jeton ende brenda sëndukut të vjetër diku i fshehur në një qytet plot lule, në Shqipëri. 


Punoi: Keisi Kuqo VII-B






Përgatiti dhe sugjeroi materialin Rafaela Llakmani, mësuese 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,034 Lexime
1 vit më parë