“Pushimet” verore të një mësuesi...
"Vera ime kalon mes mendimeve dhe leximeve për ta bërë më interesant vitin që vjen! Pra nuk janë tre muaj pushime, janë tre muaj prapë punë, organizime, mendime, reflektime...", shkrim nga mësuesja Malvina Lamçe Rista.
Sa përgjegjësi e madhe, por njëkohësisht sa fisnik dhe sa i bukur është profesioni i mësuesisë. Sa herë e dëgjoja fjalën mësues/e kur isha fëmijë, menjëherë imagjinoja sa shumë lodheshin dhe sa shumë dinin këta njerëz, rrjedhimisht nuk më dukeshin fare të ngjashëm me njerëzit e tjerë!
Sot që e ushtroj këtë profesion, e kuptoj çdo të thotë të jesh mësuese! Edhe pakëz fare (për ne mësuesit) dhe shkolla për këtë vit, përfundon. Ndjesitë e mia në këtë periudhë janë të trazuara.
Mendoj për nxënësit e mi, si do ta kalojnë verën, vallë a do të mërziten? A do t’i marrë malli për klasën e tyre? Për njëri- tjetrin? Për mësuesit?
Mendoj për problemet e gjithsecilit, për çdo gjë që më kanë besuar mua, për çdo gjë që di për ta! Duket në pamje të parë sikur mësuesi është në rregull me pushimet ndryshe nga të gjitha profesionet e tjera, por këto ditë në shtëpi të japin kohë të reflektosh e të mendosh akoma më shumë për këta fëmijë, për të ardhmen e tyre. Njoh secilin, pjesë e atij mozaiku të bukur që kemi krijuar bashkërisht, njoh jo vetëm atë çfarë tregojnë në sipërfaqe, por edhe brendinë e tyre. Karaktere të brishta, karaktere të forta. Më kalojnë në mendje si në një paradë, nuk mund te mos mendoj për ta!
Vera ime kalon mes mendimeve dhe leximeve për ta bërë më interesant vitin që vjen! Të paktën atë pjesë dite që e kalojmë bashkë, ta kalojnë sa më bukur, sa më qetë dhe të përpiqemi të mësojmë nga njëri-tjetri çdo ditë! Pra nuk janë tre muaj pushime, janë tre muaj prapë punë, organizime, mendime, reflektime...
Shkroi mësuesja Malvina Lamçe Rista
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Dita Botërore e të Drejtave të Fëmijëve, 20 nëntori i ndërgjegjësimit universal për të vegjëlit tanë
Thëniet më të bukura që përshkruajnë mësuesin/en
Forbes: "Nuk ka më mësues të rinj, kriza epike që po përballet e gjithë bota në vitin 2024"