Prindër, rritni fëmijët tuaj jo me çokollata dhe patatina, por me bashkëpunime!...
“Jepini krahë dhe vetëbesim fëmijës suaj nëpërmjet bashkëpunimeve me të në familje, në shkollë, në shoqëri, në angazhime të larmishme të jetës sociale e kulturore” nga Evans Drishti.
Nga Evans Drishti
Shumëkush nga brezi i të rriturve e kujton filmin e Kinostudios “Shqipëria e re” titulluar “Beni ecën vetë”. Kujton më së miri mënyrën si rritej personazhi kryesor Beni në familjen e tij, dhe ndryshimin “rrënjësor” që pësoi me kalimin për pushime në fshat.
Kujtojmë se ky film u realizua në vitin 1975, pra plot 49 vjet më parë, thuajse gjysmë shekulli më parë.
***
Djaloshi ngrihej përherë si i marrakotur, e megjithatë në “krenarinë” dhe “gjakftohtësinë” e tij, që e karakterizonin gjithnjë, as që donte t’ia dinte për shtratin nëse duhej ndrequr apo jo, për tavolinën e tij të punës nëse duhej rregulluar apo jo, për raftin e tij të rrobave dhe për veshjet e përditshmërisë, nëse duheshin palosur dhe sistemuar apo jo. Kjo, vetëm për një arsye, ngase e dinte më së miri se e ëma, pavarësisht ngarkesave të shumta në përditshmërinë e saj, do shkonte “si e shkretë” për të sjellë në gjendjen “normale” atë dhomëz. Dhe kjo ishte një rutinë e çdoditshme.
Sa herë që kthehej si nga shkolla ashtu edhe më pas nga angazhimet e tjera për në shtëpi, s’nguronte të kërkonte edhe llogari si: “A është buka gati?”, apo “Çfarë kemi për të ngrënë?” apo “Pse nuk është shtruar tryeza?” Madje “tekat” e tij s’kishin të sosura, teksa shfaqte pakënaqësi të shumta qoftë për gatimet qoftë edhe për gjërat më të vogla brenda shtëpisë. Kjo pasi ish mësuar gjithnjë që gjërat t’i gjente gati dhe shërbimet në kohë reale.
Asnjëherë s’i bënte syri kërr, madje s’i dridhej as qerpiku, teksa shihte pa pikë mëshire prindërit e tij të gjorë që djersiteshin në punë të ndryshme për mbijetesë, e ndërsa vetë as që merrte mundimin t’u jepte qoftë edhe një dorë për një shërbim sado të vockël. Kjo pasi ishte mësuar se edhe nëse do bënte ndonjë përpjekje për ndihmesë, prindërit do i kundërviheshin duke ia kthyer: “Lëri se janë punë për ne këto, shiko rehatinë tënde!”
Vitet kalonin si me ngut, pa u kuptuar fare, natyrshëm jo për prindërit që dita – ditës ndjenin mbi supe lodhjen e viteve, por për djaloshin që tanimë kish mbërritur në një moshë të ashtuquajtur “pjekurie”, por që s’ishte i aftë të bënte asnjë punë. Ishte rritur përherë me plot begati e të mira, asgjë s’i kishte munguar gjatë rritjes së tij, por kishte shumëçka që s’kuptonte, s’dinte si të rregullonte dhomën e tij, s’dinte të merrej me punë shtëpie, s’dinte të pastronte, të lante rrobat, enët, s’dinte të fshinte oborrin e shtëpisë. Dhe ajo që ishte më e rëndë, s’kishte asnjë ambicie të punonte për sigurimin e jetesës.
Situata ishte mëse e kuptueshme, ishin prindërit ata që e kishin çuar deri në këtë pikë, pasi asnjëherë nuk e kishin angazhuar qoftë edhe për gjërat e vogla, asnjëherë s’kishin bashkëpunuar me të, vetëm e vetëm me idenë që të rritej sa më i qetë dhe pa preokupime, vetëm e vetëm me idenë se do vinte një ditë e do i bënte këto “angazhime”, por ja që kishin gabuar, madje shumë rëndë.
Kërkesa e llogarisë është pjesë e bashkëpunimit. Kërkesa e llogarisë sjell maturimin
Ky proces i bashkëpunimit nis që në hapat e parë të jetës. Vazhdon më tej si një ritual i zakonshëm që merr ngjyrime mjaft çlodhëse nisur nga përkushtimi i shfaqur dhe nga mbështetja e ofruar.
Mendoni një çast atë kategori të prindërve që vëzhgimin e fëmijës së tyre e quajnë “të mjaftueshëm” vetëm në momentin e marrjes së një dëftese. Janë pikërisht ato çaste kur ato hedhin shikimet e tyre “qortuese”dhe “tronditëse”, teksa përballen me rezultate të papëlqyeshme, por që kjo situatë nuk zgjat shumë, pasi e nesërmja do vijojë “e njëjtë”.
Asnjë kërkesë llogarie e shfaqur, as gjatë procesit të periudhës as në përfundim të saj. Asnjë lloj bashkëpunimi lehtësues, as në leximet e materialeve lëndore, as në shpjegime të qartësuara dhe të kuptueshme, as në angazhime sociale e kulturore, si inspiruese e frymëzuese për pasurimit e ndjeshmërisë të fëmijës.
Fëmija është gjithnjë në pritje të ndërtimit të historikut të jetës së tij, ndërtuesit e së cilës janë vetë prindërit.
Është jo vetëm shqetësues, por edhe abuzues fakti që prindërit shfaqen sikur janë pajtuar me gjendjen e fëmijës, me mungesën e dëshirave të tij, të pasioneve, të objektivave, me mungesën e rezultateve pozitive në jetën shkollore, me indiferentizmin dhe gjakftohtësinë e tij, me botën e tij të varfër shpirtërore e ideore, me gjykimet e tij të varfra, me arsyetimet e tij të pakthjelluara, me veprimet e tij të pakontrolluara, me mungesën e largpamësisë.
Jepini krahë dhe vetëbesim fëmijës suaj nëpërmjet bashkëpunimeve me të në familje, në shkollë, në shoqëri, në angazhime të larmishme të jetës sociale e kulturore.
Çdonjëri ka nevojë të kuptojë botën që e rrethon, të kuptojë se çfarë ofron bukuria dhe magjia e një natyre, e një ekspozite, e një shfaqjeje, e një teatri, e një komedie, e një drame, e një cirku, e një aktiviteti sportiv, e një pikniku, e një kinemaje, e një udhëtimi bregdetar apo jashtë vendit…
Çdonjëri ka nevojë të frymëzohet nga peizazhi që sjell liqeni, deti, kalaja e një qyteti, muzika dhe teksti i një kënge, arkitektura e një ndërtese historike, kalldrëmet e një qyteti të lashtë, gatimet dhe veshjet tradicionale të vendit, urat historike të një qyteti që bashkojnë hapësira të pakufishme…
Nëse fëmijëve u ofrohen qoftë edhe disa nga këto copëza vëzhgimesh dhe përjetimesh edhe bashkëpunimi do sjellë produktivitetin e shumëkërkuar edhe fëmija do harmonizohet akoma më shumë duke u maturuar gjithnjë e më tepër.
Kjo sepse çdo eksperiencë sjell një tjetër maturim, e çdo përvojë, e shkurtër apo e gjatë në kohë, vjen në sajë të bashkëpunimeve.
Kështu ndodhi edhe me personazhin e “Benit” në filmin “Beni ecën vetë”, i cili provoi me shumë endje dhe kënaqësi ato përvoja jetësore brenda fshatit, të cilat prindërit e tij as që e kishin çuar ndër mend se mund të vlenin për të, e mbi të gjitha se do e maturonin, madje edhe më shpejt se ç’e mendonin. Në fakt, ai s’bëri gjë tjetër veçse jetoi fëmijërinë që i duhej, dhe në këtë mënyrë u rrit dhe u maturua.
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Çdo lloj dhune nuk është bullizëm, por çdo lloj bullizmi është dhunë.
Stop bullizmit te të gjithë!
Bullizmi në shkolla, si mund ta parandalojmë?