Përse në shumë vende të botës shkollat fillojnë në muajin shtator?
“Ndoshta shpjegimi që kam përmbledhur lidhur me përgjigjen e kësaj pyetje nuk na jep vetëm mundësinë të shuajmë një kuriozitet, por edhe të kuptojmë evolucionin që ka pësuar cikli i fillimit të vitit të ri shkollor, veçanërisht pasi arsimimi u bë i detyrueshëm…” nga Geron Kamberi.
Në këto ditë ku jo vetëm në Shqipëri por edhe në shumë vende të botës (veçanërisht ato të Hemisferës Veriore ku bën pjesë 90 % e vendeve të botës) pritet të fillojë viti i ri shkollor.
Megjithëse e marrim të mirëqenë këtë fakt, natyrshëm lind pyetja se përse në shumicën prej këtyre vendeve ky vit fillon në muajin Shtator!
Ndoshta shpjegimi që kam përmbledhur lidhur me përgjigjen e kësaj pyetje nuk na jep vetëm mundësinë të shuajmë një kuriozitet , por edhe të kuptojmë evolucionin që ka pësuar cikli i fillimit të vitit të ri shkollor veçanërisht pasi arsimimi u bë i detyrueshëm….
Shtatori si fillimi i vitit shkollor dhe lidhja me ciklet e bujqësisë
Çdo muaj Shtator, në ditë të ndryshme të tij, në shumicën e vendeve të botës fillon viti i ri shkollor për arsimin parauniversitar. Origjina e këtij procesi që tashmë na ndjek prej vitesh është e lidhur me ....ciklet e prodhimit bujqësor. Deri në fund të gjysmës së dytë të shek XVIII- fund shek XIX ndjekja e shkollës nuk ishte e detyrueshme për fëmijët në Europë dhe SHBA, me përjashtim të Prusisë që e futi e para konceptin e arsimit të detyrueshëm në vitin 1763 . Për rrjedhojë deri në atë kohë fëmijët në vende të ndryshme punonin në fusha dhe fabrika si prindërit e tyre . Për këtë arsye fillimit të vitit shkollor në shumë vende të botës, veçanërisht ato të Hemisferës Veriore e ka origjinën tek cikli i zhvillimit të bujqësisë që kishte përparësi mbi çdo gjë tjetër, përfshirë edhe shkollën. Siç dihet bujqësia është një aktivitet ekonomik që mund të bëhet vetëm në pranverë, verë dhe vjeshtë.
Familjet kishin nevojë për fëmijët që t’i ndihmonin në këto periudha , kështu që shkollimi i tyre realizohej gjatë muajve të ftohtë kur asgjë nuk mund të mbillej apo korrej. P.sh në SHBA në gjysmën e dytë të shek XIX shumë rajone e organizonin vitin shkollor sipas nevojave të komunitetit. Për shembull, në zonat ku kryheshin korrjet e mëdha gjatë vjeshtë, nxënësit bënin pushim gjatë muajve Shtator dhe Tetor dhe ndihmonin prindërit e tyre. Ndërkohë qytetet funksiononin pak më ndryshe sepse nuk mbështeteshin te bujqësia për të siguruar jetesën. Fëmijët shkonin në shkollë gjatë gjithë vitit dhe bënin disa pushime të shkurtra gjatë kësaj periudhe Vitet e tyre shkollore varionin nga 251 deri në 260 ditë. Megjithatë ky proces ishte i dukshëm në disa vende të Europës. P.sh në Angli viti shkollor niste në atë periudhë kur prindërit e fëmijëve kishin më pak punë për të bërë në bujqësi apo fabrikat që ishin hapur në qytete të ndryshme të Anglisë falë Revolucionit Industrial. Si rrjedhojë muajt e dimrit në Angli duke qenë se nuk ishin të ngarkuara me punë për prindërit ishin më të përshtatshme për fëmijët që të ndiqnin mësimet në shkollë. Por periudha gjatë pranverës dhe verës ishte e ngarkuar për bujqësinë dhe fëmijët duheshin që kryenin veçanërisht punët e bujqësisë mbledhjen e frutave, korrjen e grurit dhe ruajtjen e bagëtive. Në shumë komunitete të zonave rurale ishin djemtë e moshës 10 deri në 13 vjeç ata që bënin barinjtë në kullotat në male dhe iu duhej të qëndronin larg shtëpisë për ditë të tëra e në këtë mënyrë nuk kishin mundësi të ndiqnin shkollën. Fëmijët më të vegjël ndihmonin në shtëpi duke u kujdesur për vëllezërit e motrat e tyre dhe duke larë rroba.
Prandaj në vjeshtë, me fillimin e Shtatorit e përfundimin e disa aktiviteteve ata kishin më shumë kohë që të ndiqnin shkollën. Në shumë vende të Europës dhe në SHBA ligjet për shkollimin e fëmijëve të moshës 5-10 vjeç apo deri në 13 vjeç që u miratuan mes shek XVIII-XIX nuk parashikonin fillimisht arsimimin e detyrueshëm dhe prindërve iu duhej të paguanin për shkollimin e tyre . Megjithëse Ligji për Arsimin në Angli 1880 (Education Act 1880) parashikonte se të gjithë fëmijët e moshës pesë deri në 10 vjeç duhej të shkonin në shkollë u vërejt se vitin 1890 mungesat ishin një problem dhe frekuentimi po binte në 82%, sipas të dhënave të Parlamentit anglez. Meqenëse prindërit në shumë vende në këtë periudhë iu duhej të paguanin që fëmijët e tyre të ndiqnin shkollën, prindërit jo vetëm që humbnin financiarisht pasi fëmijët iu largoheshin nga punët por gjithashtu kishin edhe një shpenzim shtesë. Për rrjedhojë qeveritë e shumë vendeve vendosën që periudha e shkollimit të fëmijëve të mos lidhej me ciklet e prodhimit bujqësor e në këtë mënyrë gjatë verës, kur ishte periudha e të korrurave, fëmijët të ishin pranë prindërve. Nga ana tjetër ndryshimet e mëvonshme të ligjeve në shumë vende futën konceptin e arsimit të detyrueshëm për ciklin fillor e 8-vjecar dhe hoqën pagesën për shkollimin duke hapur rrugën e atij që do të njihej si arsimi publik për të gjithë, por edhe unifikuan praktikën e fillimit të vitit shkollor në muajin Shtator.
Arsimi i detyrueshëm dhe muaji shtator si fillim i shkollës
Një nga reformat që e kushtëzoi Shtatorin si muaji i fillimit të vitit të ri shkollor duke e unfikuar këtë parim në shumë vende të Europës e SHBA ishte koncepti i arsimit të detyrueshëm. Prusia (Gjermani e sotme) ishte shteti i parë në botë që zbatoi një sistem arsimor të detyrueshëm modern në vitin 1763 që u prezantua si Generallandschulreglement (Rregullorja e Përgjithshme e Shkollës), përmes një dekreti Mbretit prusian Frederiku i Madh (24.01.1712-17.08.1786, periudha e mbretërimit (31.05.1740-17.08.1786). Kjo u bë e mundur në bazë të propozimit të teologut e edukatorit të njohur gjerman Johann Julius Hecker( 02.12.1707-24.06.1768), i cili kërkoi që të gjithë qytetarët e rinj prusian, vajza dhe djem, të arsimohen nga mosha 5 deri në moshën 13-14 vjeç duke u siguruar që ata të kenë një këndvështrim bazë mbi fenë e krishterë, bazuar njohuri për lexim dhe shkrim duke u mbështetur tek mbi një kurrikul që ofrohet nga shteti përmes teksteve shkollore. Koncepti i arsimit të detyrueshëm u shtri në vendet e tjera të Perandorisë Austro-Hungareze si Austri, Hungari dhe Bohemi (Çekia e sotme) ku qasja e arsimit fillor i detyrueshëm u prezantua në 1774 nga Perandoresha Maria Tereza (13.05.1717-29.1780). Ndjekja e detyrueshme e shkollës sipas modelit prusian u përhap gradualisht në vende të tjera dhe miratua edhe nga qeveritë e Danimarkës, Norvegjisë dhe Suedisë si dhe në Finlandë, Estoni dhe Letoni brenda Perandorisë Ruse, dhe më vonë u shtri në mbretërinë Angleze dhe Francë.
Ligji për Arsimit Fillor (The Elementary Education Act of 1870) i vitit 1870 ishte i pari nga një sërë aktesh të parlamentit anglez të miratuar midis 1870 dhe 1893 për të krijuar arsimin e detyrueshëm në Angli dhe Uells për fëmijët e moshës nga 5 deri në 13 vjeç. Ai u njoh si Ligji Forster (The Forster Act) sipas sponsorit të tij William Forster, ( 11.07,1816-05.04.1886) një industrialist e filantrop e politikan liberal anglez .Në këtë kuadër duhet theksuar Ligji Sandon (1876 The Sandon Act (1876),) që u nxit dhe u përkrah nga Lordi e politikani britanik Sandon ( 19.05.1798 -19.11.1882) , një ligj që për herë të parë i detyroi prindërit të dërgonin në shkollë djemtë/vajzat e tyre nga mosha 5-10 vjeç. Kjo u pasua nga Ligji për Arsimit Fillor 1880 /Ligj i Mundelës) / (The Elementary Education Act 1880 (Mundella's Act) , i, mbështetur nga industrialisti e politikani britanik Anthony Mundella(28.03.1825-21.07.1897) që i detyroi Bordet e Shkollave (Board of Schools) në Angli të zbatonin frekuentimin e detyrueshëm të shkollës nga fëmijët e moshës 5-10 vjeç, duke mbrojtur parimin që të gjithë fëmijët duhet të marrin një arsim fillor, çka kufizoi më tej punësimin e fëmijëve në Angli dhe si rrjedhojë u themeluan Komitete për Ndjekjen e Shkollës. (School Attendance Committes).
Para këtyre ligjeve, fëmijët në Angli ishin të prirur që më shumë të ndihmonin familjet e tyre në punët e bujqësisë.
Në SHBA në vitin 1852, Massachusetts do të bëhej shteti i parë në SHBA që miratoi një ligj të detyrueshëm për të ndjekur arsimin publik nga fëmijët e moshës 5-13 vjeç, duke e shtrirë ofrimin e arsimit të detyrueshëm qoftë për zonat rurale dhe urbane ofrimin e shkollimit. Prindërit që nuk i dërgonin fëmijët në shkollë gjobiteshin, ndërkohë pas miratimit të këtij ligji u bë një kompromis midis sistemeve shkollore urbane dhe rurale për të funksionuar në të njëjtat periudha të vitit, duke filluar që nga vjeshta, në mënyrë që fëmijët të mund të ndihmonin ende në fermë prindërit e tyre gjatë verës. Në këtë mënyrë lindi vitin shkollor me 180 ditë për një periudhë Shtator deri në fund të Majit. Ndërsa arsimi u bë i detyrueshëm, mungesa e papritur e fëmijëve nga shtëpia ku ndihmonin prindërit në punët pati një ndikim ekonomik në shumë familje. Prindërve iu desh të kompensonin humbjen e të ardhurave që sillnin fëmijët e tyre me punën në bujqësi si edhe të paguanin shkollimin e tyre. Kjo çoi që shumë fëmijë të punonin me orë të gjata pas shkollës. Si rrjedhojë Ligjet e mëvonshme që përfshinin arsimin e rritën moshën se kur një fëmijë mund ta linte shkollën dhe gjithashtu kërkonin që punëdhënësit e fëmijëve të siguronin certifikata që vërtetonin se fëmijët që kishin lënë shkollën e pranonin të punonin për ata kishin arritur në nivel të caktuar arsimimi.
Vendimi i shumë qeverive të vendeve të ndryshme në Europë e SHBA për të vendosur arsimin e detyrueshëm në gjysmën e dytë të shek XIX e për ta nisur vitin shkollor në muajin Shtator ishte i lidhur edhe me zhvillimet e revolucionit industrial Fundi i shek XIX e fillimi i shek XX ishte një kohë e transformimit të shpejtë dhe normat e vjetra po zëvendësoheshin nga ris, industri dhe mënyra të reja të të menduarit. Nëse nuk do të ishte gatishmëria e qeverisë për të filluar vitin shkollor në një kohë që u përshtatej komuniteteve kryesisht bujqësore të vendit, rezistenca nga ana e tyre mund të kishte ndikuar në zgjerimin e arsimit. Mekanizimi i bujqësisë në vitet e mëvonshme e uli nevojën për punën e fëmijëve në ndihmë të prindërve të tyre veçanërisht në vendet e industrializuar, por tashmë Shtatori na kujton gjithmonë vetëm se jemi pranë një viti shkollor pa e lidhur atë me ciklet e bujqësisë …
Përgatiti Geron Kamberi
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Dita Botërore e të Drejtave të Fëmijëve, 20 nëntori i ndërgjegjësimit universal për të vegjëlit tanë
Forbes: "Nuk ka më mësues të rinj, kriza epike që po përballet e gjithë bota në vitin 2024"
Rëndësia e librave në jetën tonë