Schoolflix jo vetëm Netflix
Mësuesit janë të rëndësishëm për periudha të ndryshme të jetës, por nëse ata bëhen të rëndësishëm për gjithë jetën, kanë realizuar veten si njerëz.
https://www.instagram.com/schoolflix1/
Prindërit apo gjyshërit na bëhen mësuesit e parë me “leksionet” e jetës, e më pas vijojmë të orientohemi nga ata mësues që në kohën e duhur na qëndrojnë afër e na drejtojnë. Përpiqemi që të gjejmë, sipas idesë sonë mësues të mirë për të përfituar sa më shumë prej tyre.
Çdo mësues në profesionin e tij, e sheh veten si “mësues të mirë”, pasi “punon për rritjen profesionale”, ua “shpjegon lëndën me pasion nxënësve”, “lodhet gjatë orës së mësimit” dhe mendon “i qetë” se po “bën atë që duhet”, deri në momentin kur nxënësi i tij i thotë se si e mendon mësuesin e mirë: “Një mësues i mirë është një njeri që e kupton ku i fillon e ku i mbaron autoriteti, që nuk e di veten që është zot, që nuk i fut hundët në punë që “as prindërve s’ka ç’i duhet”, që paaftësinë e vet nuk e kompenson me terror në klasë dhe sigurisht që ka pedagogji. Po pati këto, është ok se nxënësit e shkretë gjithsesi po vetë e mësojnë lëndën, por të paktën mos iu bëhet jeta ferr me idiotllëqe…”. Dhe mësuesi që punon shumë për lëndën e tij, me të drejtë, mund t’i duket ky shpjegim “i padrejtë, i nxituar, me inate e hatërmbetje e me plot sikur-e” dhe menjëherë do ta hiqte nga mendja e do t’u kthehej atyre vlerësimeve të drejtpërdrejta positive që ka marrë gjatë punës në vijimësi.
Por… po sikur të ketë të drejtë ky nxënës?
Nxënësit sot i përkasin një kohe të një mijëvjeçari të ri. Shprehjet e tipit “nxënësit dikur… mësuesit dikur…”, janë një lloj nostalgjie që kemi për veten e për kohën tonë, por e rëndësishme është të shohim atë që është sot e si mund të përmirësohet gjendja e shkollës në këto kushte. Të gjithë duam që nxënësit tanë të lexojnë më shumë, e ata nuk lexojnë; të gjithë duam që fëmijët tanë të marrin përgjegjësitë e tyre e të punojnë për të qenë të ditur e të lirë prej dijes së tyre, e mbase përsëri nuk janë. Por nga ana tjetër, na duhet t’i dëgjojmë e t’i kuptojmë arsyet e tyre e përmes diskutimit të gjejmë rrugën e mesme të artë.
Si të afrohemi më tepër me nxënësit, të jemi empatikë me ta për t’i ndihmuar, kur kjo shoqëri e jona është e mbushur me mos-e e me shiko atë e shiko këtë?
Gjithë kohës i nxisim nxënësit në mënyrë të gabuar duke i krahasuar e vënë në konkurrencë. Nxënësve kjo natyrshëm nuk u pëlqen aspak, ashtu sikur nuk na pëlqen dhe ne mësuesve nëse na thonë nxënësit në sy se sa e mirë është një tjetër mësuese, ndërkohë që e mendojmë se secili ka diçka të veçantë për të ofruar.
Nga gjithë këto dilemma e mendime nisi rrugën edhe një vlog i zyshës me nxënësen Megi, me emrin @schoolflix në instagram.
Si emrin e tij “schoolflix” ashtu edhe fjalët vlog apo instagram, janë parë si mjete që të rinjtë (duam apo s’duam ne) i kanë pjesë të së përditshmes së tyre.
Në këtë vlog, @schoolflix1 (https://www.instagram.com/schoolflix1/) unë (zysha), bashkë me Megin (nxënëse) bëjmë diskutime mbi tema që na duken interesante, për t’u trajtuar. E kemi parë këtë marrëdhënie brenda vetë natyrës së një zyshe që “gjithnjë kërkon të kontrollojë sjelljen e nxënësit” dhe së një nxënëseje “që refuzon të pranojë çdo gjë që i thuhet në mënyrë arbitrare”. Shpesh na duhet të debatojmë edhe për temat që do të diskutojmë, pasi mendimet e mia i duken tepër të vjetëruara dhe mua të sajat tepër naive. Qëllon edhe të mbajmë qëndrim për disa javë, se unë marr pozicionin e njeriut që ka diçka në dorë, e qëndrimi i saj më bën me dije që ne nuk ndryshojmë si brez, që na pëlqen autoriteti e nuk lëshojmë kollaj pe.
Marrëdhënien tonë në diskutim e shohim si një përballje jo vetëm të brezave, por edhe të të rinjve sot që kanë lindur në kohën e teknologjisë. Të gjitha këto ne i bëjmë në vlogun tonë, për të zbutur disi këtë “përplasje” e të shihet kjo marrëdhënie si një mundësi për të nxitur mësuesin të fitojë autoritet te nxënësi profesionalisht dhe nxënësi ta shohë mësuesin si një model e shembull për t’u ndjekur.
Mësuesit janë të rëndësishëm për periudha të ndryshme të jetës, por nëse ata bëhen të rëndësishëm për gjithë jetën, kanë realizuar veten si njerëz,
P.S. ndiqni për më tepër vlogun J
(Migena Shyti; Portali Shkollor)
Forbes: "Nuk ka më mësues të rinj, kriza epike që po përballet e gjithë bota në vitin 2024"
Letra e mësueses Aida Haxhiu drejtuar prindërve të nxënësve të klasës së saj kujdestari, për vitin e ri shkollor 2024-2025
Mos e humbni magjinë e këtij sezoni as në klasën tuaj...