Intervistë

Përhapja e fruthit, pediatrja Dr.Ilsa Mula sugjeron: Në çerdhe dhe kopshte të mos pranohen fëmijë pa vaksinën e MMR

Shumë prindër dhe edukator janë të shqetësuar për të ditur më tepër rreth infeksionit të fruthit që ka mbërritur edhe në vendin tonë. Në një intervistë mjekja pediatre Dr.Ilsa Mula ndalet te simptomat e infeksionit dhe rastet më të rrezikuara, ndërsa jep edhe sugjerimet për këtë periudhë infektimi.

Ditët e fundit nga ISHP është dhënë njoftimi se janë konfirmuar rastet e para me fruth te fëmijët, pas alarmit nga OBSH mbi këtë infeksion që prek rrugët e frymëmarrjes. Nisur nga kjo shumë prindër dhe edukator janë të shqetësuar për të ditur më tepër.  Për ketë ne kemi zhvilluar një intervistë me mjeken pediatre Dr.Ilsa Mula, gjatë të cilët ajo ndalet te simptomat e infeksionit dhe rastet më të rrezikuara, ndërsa jep edhe sugjerimet për këtë periudhë infektimi. 



Cilët fëmijë janë më të rrezikuar për t’u prekur në këtë periudhë me fruth dhe çfarë shkakton konkretisht ky infeksion?


Fruthi është një sëmundje virale me një ngjitshmëri shumë të lartë që prek kryesisht fëmijët dhe që paraqitet me një klinikë shumë serioze deri në raste fatale për fëmijët e vegjël. Janë të rrezikuar gjithmonë (më duhet ta theksoj), dhe jo vetëm tani, të gjithë fëmijët që nuk kanë aplikuar vaksinën MMR, në moshën 1-vjeçare. 



Po fëmijët të cilët i kanë bërë vaksinat para moshës 5 vjeç, a janë të rrezikuar? Po ata që i kanë kryer të gjitha vaksinat dhe janë për shembull në moshën e adoleshencës (sepse konfirmime me fruth ka pasur edhe për një fëmijë 13 vjeç)?  


Fëmijët të cilët janë vaksinuar në moshën 1 vjeç me vaksinën MMR janë të mbrojtur nga sëmundja në mënyrë optimale, por aplikimi i dozës së rikujtesës (booster) në moshën 5-vjeçare përmbush në mënyrë të plotë  mbrojtjen ndaj sëmundjes. 



Po në rastet kur fëmijët janë në gjendje jo të mirë shëndetësore (viroza, grip, infeksione lokale etj.) a duhet t’ua bëjnë prindërit vaksinën e fruthit të planifikuar si për rastet kur ajo kryhet 1 vjeç dhe 5 vjeç?

 

Të gjithë sugjerimet mbi aplikimin e vaksinave bazohen mbi mirëqenien e organizmit në momentin që do aplikojmë vaksinën. Duke qenë se vaksinat janë mikrobe të ngordhura apo pjesëza të tyre që futen në organizëm, nga ana e këtij të fundit duhet të kemi një gatishmëri përsa i përket krijimit të antikorpeve. Nëse fëmija ndërkohë është duke kaluar një infeksion atëherë kjo do të bëjë të mundur që organizmi të mos arrijë të krijojë në mënyrë optimale antitrupa apo për më tepër të shfaq simptoma të sëmundjes. 



Ndërkohë ekziston një frikë apo dyshim që përflitet se vaksina e parë e fruthit që bëhet në moshën 1 vjeç mund të shkaktoj autizëm te fëmijët. Por dihet gjithashtu se asgjë nuk është e provuar shkencërisht. Përballë kësaj situate çfarë mund të thoni ju si mjeke pediatre? 


Bëhet fjalë për mite urbane me të cilat përballemi çdo ditë dhe që po ndikojnë në mënyrë shumë negative tek mentaliteti dhe zgjedhja e prindërve për të mos aplikuar vaksinën e MMR te fëmijët. E gjithë literature botërore në fushën e pediatrisë mohon lidhjen e aplikimit të kësaj vaksine me autizmin. Autizmi në thelb është një sëmundje gjenetike dhe nuk ka asnjë të dhënë shkencore që konfirmon lidhjen me vaksinën.

 


Po të rriturit, të vaksinuar ose pa vaksinuar qofshim, mund të preken nga ky infeksion? 


Përgjithësisht është një sëmundje e moshës pediatrie, por nuk përjashtohen nga infektimi edhe të rriturit veçanërisht individët me imunodefiçiencë, të lindur apo të fituar.



Cilat janë shenjat e fruthit, apo simptomat e tij?


  • Shenja e fruthit shfaqen rreth 10 deri në 14 ditë pas ekspozimit me virusin  dhe përfshijnë:
  • Temperaturë të lartë; 
  • Kollë të thatë;
  • Sekrecion të ujshëm nga hundët; 
  • Dhimbje fyti;
  • Skuqje të syve; 
  • Rash (elemente) në lëkurë;
  • Njolla të Koplik (Veshje e bardhë në mukozën e pjesës së brendshme të faqeve). 

Infeksioni kalon në cikle që zgjasin rreth 2/3 javë.


Periudha e inkubacionit 

Për 10-14 ditë pas infektimit, virusi përhapet në trup. Ndërkohë nuk shfaq simptoma.  


Periudha e simptomave jo specifike 

Temperaturë e lehtë, kollë, sekrecione nga hundët, dhimbej fyti dhe skuqje të syve që zgjat rreth 2/3 ditë.  


Periudha e simptomave akute tipike 

Rash (puçrra lehtësisht të ngritura mbi lëkurë) që shfaqen fillimisht në fytyrë dhe më pas në ditët në vazhdim shtrihet në krahë trung dhe më pas në gjymtyrët e poshtme.

Në të njëjtën kohë temperatura rritet në vlera deri në 40/41 gradë.  


Periudha e konvaleshencës 

Rashi zgjat në trup rreth 1 javë dhe fillon të zhduket fillimisht në fytyrë dhe me pas në trung, e më pas në gjymtyrët e poshtme.  



Çfarë kujdesi duhet të tregojnë prindërit dhe edukatorët në periudhën e tanishme që po flitet për përhapje të fruthit? 


Fillimisht prindërit duhet të ndërgjegjësohen për rëndësinë e aplikimit të kësaj vaksine dhe nëse fëmija momentalisht gëzon shëndet të plotë, të drejtohen drejt qendrave shëndetësore për aplikimin e vaksinës. Alarmi mbi vaksinimin nuk duhet të jetë prezent vetëm në momentet kur edicionet e lajmeve referojnë raste të fruthit në Shqipëri. Vaksina e MMR është një vaksinë që nuk jep efekte anësore afatshkurtër si p.sh temperaturë apo komprometim të gjendjes së përgjithshme dhe as afatgjatë.  


Në çerdhe dhe kopshte sugjeroj të mos pranohen fëmijë të cilët nuk kanë aplikuar vaksinën e MMR. 




Intervistoi Nanila Allkja Biçaku

 © Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

964 Lexime
9 muaj më parë