Reflektim

Para se të filloj shkolla uluni 5 minuta me fëmijën tuaj dhe...

Shkrimi i mëposhtëm, nga mësuesja Mimoza Xhindi, shërben si një thirrje për të gjithë prindërit: “Komunikoni me fëmijën tuaj që të mos bullizojë të tjerët nëse nuk doni që ai/ajo të bullizohet. Gjithçka nis në familje dhe më pas vazhdon me ne në shkollë! Duhet të bashkëpunojmë në ndërgjegjësim dhe veprim!”.

Shkruar nga Mimoza Xhindi


Prindër të dashur!


Shkolla fillon së shpejti. Në mes gjithë përgatitjeve dhe probleme që keni, gjeni një moment qetësie dhe uluni me fëmijën tuaj...


Flisni me fëmijën tuaj për 5 minuta dhe shpjegojuni atyre se të qenurit shumë i gjatë, i shkurtër, i shëndoshë, i hollë apo i ndryshëm, nuk është shkas për të përqeshur apo bullizuar. Shpjegojani atyre se mbajtja e një çante të përdorur bart ëndrra të njëjta sikur një e re. Ju lutemi mësoni fëmijët tuaj ,të mos  përjashtojnë askënd nga shoqëria se janë “ndryshe” apo se nuk i kanë mundësitë e njëjta ekonomike që ata mund t’i kanë. Shpjegojuni atyre se ngacmimi dhe bullizimi lëndon,  dhe se ata shkojnë në shkollë PËR TË MËSUAR, dhe jo për të garuar apo për të qenë i pasjellshëm.

Ju lutemi mësojuni atyre mirësjelljen. Edukimi fillon në familje! Edukimi vjen nga familja!



Si t’i rrisni fëmijët në ditët e sotme!? Si duhet të bashkëpunojmë së bashku, prindër-mësues?


Kujdes të nderuar prindër! Mos luani me psikologjinë e fëmijës tuaj! Drejtohuni pak nga vetja...

Në një vend ku rritja e fëmijës quhet sakrificë e mundim dhe të rriturit betohen për kokën e fëmijës, pa diskutim që do të ketë të rritur të papërgjegjshëm dhe mbi të gjitha të dhunshëm. 

Nuk duhet ta mohojmë se dhuna fizike dhe verbale është prezentë ende në familjet shqiptare. Pra, ende vazhdon edukimi nëpërmjet frikës dhe jo nëpërmjet përgjegjësisë dhe respektit të njeriut ndaj njeriut. 

Një fëmijë që rritet me frikën dhe ndjenjën e fajit ndaj nënës apo babait apo të dyve bashkë, nuk mund të bëhet një i rritur i përgjegjshëm dhe njeri i lirë e pa komplekse. 

Një njeri i lirë nuk fyen dhe vret një njeri tjetër aq më tepër një njeri të familjes. Krimi në familje dhe vrasja e grave nga bashkëshortët dhe të dashurit po rritet. 

Ky fenomen i frikshëm, është tregues i një edukimi të mbrapshtë që vazhdon të jetë prezent dhe të dominojë mënyrën tuaj se si i rrisni dhe edukoni fëmijën në familjen tuaj. 


Ne si mësues kemi përgjegjësin t’i mësojmë dhe t’i mbrojmë fëmijët që mos të bullizohen në shkollë nga moshatarët e tyre ndaj dhe ju bëni fort punën tuaj . Mos u dorëzoni para fëmijës . Ashtu siç ka rregulla familja, ku të respektohen të gjithë pjesëtarët, e njëjta gjë ndodh dhe në shkolla. 


Rregulli dhe disiplinat duhet të zbatohen me përpikëri, në mënyrë që ju si prindër, por edhe ne si mësues të bashkëpunojmë që të rrisim një shoqëri të kulturuar, të informuar dhe të shëndetshme për gjithçka që jeta u sjell.


Bashkëpunimi, komunikimi është çelësi kyç ku ne mund të pengojmë situatat e pakëndshme që po ndodhin çdo ditë me fëmijët. Të gjithë bashkë duhet të luftojmë për të ardhmen e fëmijëve. Por...


Edukimi vjen nga familja!


Të nderuar prindër së bashku përgatisim të ardhmen...

Bashkëpunimi juaj do jetë forca jonë...

Faleminderit! 



Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,153 Lexime
2 muaj më parë