Nga Ferrara drejt Kampionatit Italian, motrat Gjoka dy talente premtuese në shah

Asia dhe Cloe Gjoka, dy motrat e talentuara në shah, kanë shënuar një tjetër sukses në Itali, duke u kualifikuar për Kampionatin Italian të të Rinjve. Përveç shahut, ato ndjekin me përkushtim shkollën shqipe në Ferrara, duke dëshmuar disiplinë dhe lidhje të fortë me kulturën shqiptare.

Asia dhe Cloe Gjoka, dy motrat e talentuara në shah, kanë shënuar një tjetër sukses të rëndësishëm në garat sportive në Itali. Pasi triumfuan në Kampionatin e Shahut në Ferrara në kategoritë e tyre përkatëse, ato janë kualifikuar për të garuar në Kampionatin Italian të të Rinjve. Asia, 11 vjeçe, do të përfaqësojë kategorinë U12, ndërsa Cloe, 9 vjeçe, do të konkurrojë në kategorinë U10 shkruan Diaspora Shqiptare.



Përveç pasionit për shahun, Asia dhe Cloe janë gjithashtu nxënëse të përkushtuara në shkollën shqipe të Ferrarës, të cilën e ndjekin prej dy vitesh pa munguar në asnjë orë mësimi apo aktivitet. Kjo dëshmon jo vetëm disiplinën dhe seriozitetin e tyre, por edhe mbështetjen e palëkundur të familjes, e cila i inkurajon si në zhvillimin sportiv ashtu edhe në ruajtjen e kulturës dhe identitetit të vendit të origjinës.

Suksesi i motrave Gjoka është një vlerë e shtuar për komunitetin shqiptar në Ferrara, ku gjithnjë e më shumë fëmijë angazhohen në aktivitete sportive dhe kulturore, duke treguar talent dhe përkushtim në fusha të ndryshme. Ky është një tjetër shembull frymëzues i brezit të ri, i cili, përmes punës dhe pasionit, arrin të shënojë arritje të mëdha edhe në arenën kombëtare.

Marrë nga Diaspora Shqiptare 


© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

131 Lexime
4 ditë më parë