Si lindi shkolla, një nga institucionet më jetëgjata të qytetërimit tonë?
Shkrimi nga Geron Kamberi trajton historinë e shkollës, nga origjina e saj në Greqinë e lashtë deri në sistemet moderne. Ai përshkruan evolucionin e arsimit në kultura të ndryshme dhe rolin e reformatorëve, duke theksuar rëndësinë e shkollës si një institucion i fuqishëm për zhvillimin e shoqërisë.
Nga Geron Kamberi
Sapo hyn muaji Shtator fjala më e përmendur është “shkollë“, teksa të gjithë familjet e fëmijët e tyre përqendrohen tek kjo fjalë që do ti shoqërojë ata deri në fillim të verës së ardhshme.
Në të vërtetë kjo fjalë që e ka origjinën nga greqishtja (skoli), e cila fillimisht kishte kuptimin "kohë e lirë" dhe gjithashtu "vendi në të cilën kalohej koha e lirë", më vonë e lidhi kuptimin e saj me atë të "një grupi njerëzish që mblidheshin në një vend për të marrë mësime ".
Teksa kam renditur një histori të përmbledhur të krijimit të këtij institucioni nga antikiteti deri në periudhën moderne, vlen të theksohet se jetëgjatësia e saj tregon që e ka shërbyer njerëzimit si armë e fuqishme për t'u zhvilluar përgjatë shekujve...
Koncepti i shkollës në antikitet
Ideja e koncepti e shkollës mund të gjurmohet që në Greqinë e lashtë ku terma të tillë si Gjimnaz, Lice, Akademi, e kanë origjinën atje. Në Greqinë antike djemtë nga familjet e pasura kur mbushnin moshën 16 vjeç, dërgoheshin për të studiuar filozofi dhe retorikë. Nëse dikush dëshironte të bëhej me ndikim dhe e fuqishëm, të kuptuarit e retorikës ishte thelbësore. Të dije se si të flisje dhe të kishe sa më shumë dëgjues do të thoshte se mund të drejtoje një tubim politik ose të bëje emër në një gjykatë, apo.të bëhesh një emër e njohur në darkat ku debatohej filozofia që quheshin Simpoziume. Në qytet-shtetin e Spartës së Lashtë, djemtë 6 vjeç për tê shkuar në shkolle do të linin prindërit e tyre dhe të merrnin pjesë në një sistem arsimor shtetëror të krijuar për të rrënjosur disiplinën dhe bindjen. Në moshën 16-vjeçare, djemtë në Spartën antike e bashkoheshin një organizate të njohur si "Krupteia", një forcë policore ushtarake. Më pas ata dërgoheshin të jetonin në xhunglën e Messenisë, ku iu kërkohej të mbijetonin vetë dhe të frikësonin popullsinë vendase. Prandaj, arsimimi në Spartë e vinte theksin tej forca, stërvitja ushtarake dhe udhëheqjen, duke e trajnuar të rinjtë në artin e luftës. Në Romën e lashtë nuk kishte "shkolla" zyrtare. Në vend të kësaj, familjet punësoni tutorë qe ishin kryesisht skllevër nga Greqia që i mësonin fëmijët në shtëpi. Kushtet e ambienteve ku mësohej ndryshonin në Romën antike. Ndërsa një mësues që mësonte një familje të pasur romake e bënte këtë me rehati dhe lehtësira, shumë të tjerë do të duhej të jepnin mësim në një mjedis jo të favorshme. Historiani romak Suetonius e referohej dhomës në të cilën ai mësonte si Pjergull,(Pergola) verandë ose oborr. Disa mësues në Romën antike me më pak burime i zhvillonin mësimet në hapësira publike të jashtme si rrugët apo sheshet e qytetit. Me kalimin e kohës, arsimi filloi të bëhej në grupe më të mëdha. Kuintiliani (35-96 e.s.) besonte se shkolla ishte më e pëlqyeshëm në shtëpi për shkak të komunitetit shoqëror në të cilin përfshiheshin nxënësit. Pra, ndërsa disa mësues si poeti Martial, kishin maksimum 3 nxënës Kuintilian thotë se kishte një ‘turmë’ nxënësish në shkollat e gramatikës dhe retorikës. Nga ana tjetêr shkolla në Indinë e Lashtë përqendrohej rreth figurës së Gurusë. Fëmijët linin familjen dhe shtëpinë e tyre në mënyrë që të jetonin me këtë guru në atë që quhej Gurukul. Kjo formë edukimi nuk kërkonte asnjë tarifë, ishte krejtësisht falas, por varej nga një gjë: puna fizike. Pra, ndërsa guru do të kujdesej për gjithçka, duke siguruar ushqim, rroba dhe strehim; fëmija do të punonte në tokë çdo ditë. Kështu ‘paguanin’ shkollimin e tyre. India e lashtë në fakt kishte dy 'sisteme' edukimi, Vedike dhe Budiste. Temat e mbuluara në sistemin Vedik ishin njohuritë rituale, metrika, gramatika, fonetika dhe astronomia, së bashku me historinë, logjikën dhe arsyetimin. Në sistemin budist, fëmijët do të mësonin për ligjin, artet interpretuese, etikën, artin, arkitekturën dhe shkencën ushtarake. Ndërsa Kina e lashtë Kina e lashtë kishte një formë çuditërisht të zhvilluar të edukimit shkollor. Shkollat e para u krijuan qysh në Dinastinë Xia (2070 pes-1600 pes). Këtu shkollat ndaheshin midis atyre që merrnin fëmijët e fisnikërisë dhe atyre ku studionin fëmijët e qytetarëve të thjeshtë. Shkollat shtetërore ishin ekskluzivisht për fëmijët e fisnikërisë. Këto shkolla përbëheshin nga shkolla fillore dhe kolegje të nivelit të lartë. Nga ana tjetër, shkollat e fshatit, të cilat quheshin edhe shkolla lokale, u kategorizuan në katër nivele: Shu, Xiang, Xu dhe Xiao. Në përgjithësi, studentët që performuan mirë në Shu do të përparonin deri në Xiang e kështu me radhë. Studentët më të vendosur dhe këmbëngulës do të arrinin në Xiao dhe, nëse do të performonin mirë, do të kishin një shans për të shkuar në kolegj. Në Egjiptin e Lashtë kultura dhe arsimi egjiptian u ruajt dhe u kontrollua kryesisht nga priftërinjtë, një elitë e fuqishme intelektuale në teokracinë egjiptiane, e cila shërbeu gjithashtu si bastione politike duke parandaluar diversitetin kulturor. Shkencat humane si dhe lëndë të tilla praktike si shkenca, mjekësia, matematika dhe gjeometria ishin në duart e priftërinjve, të cilët jepnin mësim në shkollat zyrtare. Aftësitë profesionale në lidhje me fusha të tilla si arkitektura, inxhinieria dhe skulptura në përgjithësi u transmetuan jashtë kontekstit të shkollimit formal. Egjiptianët zhvilluan dy lloje shkollash zyrtare për të rinjtë e privilegjuar nën mbikëqyrjen e zyrtarëve qeveritarë dhe priftërinjve: njëra për Skribët dhe tjetra për Priftërinjte. Në moshën 5 vjeçare, nxënësit hynë në shkollën e shkrimit dhe vazhduan studimet për lexim dhe shkrim deri në moshën 16 ose 17 vjeç. Në moshën 13 ose 14 vjeç, nxënësit kryenin trajnim praktik në zyrat për të cilat përgatiteshin. Trajnimi për priftëri fillonte në Kolegjin e Tempullit, në të cilin djemtë hynin në moshën 17-vjeçare; kohëzgjatja e trajnimit në varësi të kërkesave për detyra të ndryshme priftërore. Si një qytetërim bashkëkohor me qytetërimin egjiptian, Mesopotamia zhvilloi arsimim mjaft të ngjashëm me atë të homologut të saj në lidhje me qëllimin dhe formimin e tij. Edukimi formal ishte praktik dhe synonte të trajnonte Skribë dhe Priftërinj. Ai u zgjerua nga leximi bazë, shkrimi dhe feja në arsimin e lartë si drejtësi, mjekësi dhe astrologji. Në përgjithësi, të rinjtë e klasave të larta ishin të përgatitur për t'u bërë Skribë, të cilët varionin nga kopjuesit deri te bibliotekarët dhe mësuesit. Thuhej se shkollat për priftërinjtë ishin aq të shumta sa tempujt. Kjo tregon jo vetëm tërësinë, por edhe epërsinë e edukimit priftëror në këtë qytetërim.
Shkolla si institucion në Mesjetë
Shkolla në Europën mesjetare drejtohej kryesisht nga kisha. Qëllimi e këtyre shkollave monastike dhe katedrale ishte trajnimi e klerikëve dhe murgjve të ardhshëm. Mësimi u përqendrua kryesisht në edukimin fetar, leximin dhe shkrimin latin dhe studimin e shkrimeve të shenjta. Nxënësve iu mësohej aftësia për të mësuar përmendësh dhe për të interpretuar fragmente biblike, për të mësuar rreth jetës së shenjtorëve dhe për të kuptuar konceptet teologjike. U theksuan vlerat morale dhe etike të krishtera, me mësimet mbi sakramentet, Dhjetë Urdhëresat dhe parimet e jetesës së krishterë. Ndërsa shumica e arsimit përqendrohej në parimet e krishtera, nxënësit merrnin njohuri gjithashtu në aritmetikë, shkrimi dhe gramatik. Pjesa më e madhe e kësaj lidhej me aftësitë praktike që u duheshin njerëzve për të qenë pjesë e shoqërisë: aritmetika kufizohej kryesisht në llogaritjet bazë të lidhura me biznesin dhe tregtinë, ndërsa shkrimi ishte vendimtar për komunikimin, mbajtjen e shënimeve dhe krijimin e dokumenteve fetare. Edhe pse Bizanti humbi shumë nga madhështia e kulturës romake dhe ekstravaganca në procesin e mbijetesës, Perandoria Bizantine theksoi efikasitetin në manualet e saj dhe sistemi arsimor bizantin vazhdoi deri në rënien e perandorisë në 1453 pas Krishtit. Nga ana tjetër në Europën Perëndimore, gjatë Mesjetës së Hershme u krijuan një numër e konsiderueshëm Shkollash Katedrale( Monastic Scholae) me qëllim që të mësonin klerikët dhe administratorët e ardhshëm, Gjatë Mesjetës dhe në pjesën më të madhe të periudhës së hershme moderne, qëllimi kryesor e shkollave në dallim nga universitetet, ishte të mësonin gjuhën latine. Kjo çoi në termin Shkolla e Gramatikës( Grammar School,) e cili në Shtetet e Bashkuara informalisht e referohet një shkolle fillore, por në Mbretërinë e Bashkuar do të thotë një shkollë që përzgjedh nxënësit në këto shkolla në bazë të aftësive Kurrikula shkollore u zgjerua gradualisht për të përfshirë shkrim-leximin në gjuhën popullore dhe lëndët teknike, artistike, shkencore dhe praktike. Këto lloj shkollash janë ndër më të vjetrat dhe disa prej tyre ende ekzistojnë e funksionojnë në Mbretërinë e Bashkuar si, Kings School, themeluar në vitin 597 të e.s). King's School, Rochester, themeluar në vitin 604 e.s, St Peter's School, York, themeluar në vitin 627 dhe Thetford Grammar School e themeluarnë vitin 631 e.s Duke filluar në shekullin e 5-të të erës sonë, shkollat monastike u krijuan gjithashtu në të gjithë Europën Perëndimore, ku jepnin lëndë fetare dhe laike. Ndërsa në Europë, universitetet u shfaqën gjatë shekullit të 12-të dhe në këto institucione skolasticizmi ishte një mjet e rëndësishëm dhe akademikët quheshin shkollarë( Scholars) që kishte kuptimin e atij që studionte. Megjithëse Europa mesjetare dhe qytetërimet e kësaj periudhe kishin sisteme arsimi në bazë të modelit të shkollave, këto nuk mund të konsiderohen vërtet shkolla 'moderne'.
Prusia e Johan Hecker si ideator i arsimit të detyrueshëm në shkollë
Prusia zbatoi një sistem arsimor të detyrueshëm në shkolla qē në vitin 1763 që u bë model më pas edhe për vende. Ai u prezantua përmes asaj që u njoh si Generallandschulreglement (Rregullorja e Përgjithshme e Shkollës), një Dekret e Frederikut të Madh të Prusisë (24.01.1712-16.08.1786) në 1763–5. Generallandschulreglement, u hartua nga reformatori gjerman në fushën e arsimit Johann Julius Hecker( 02.12.1707-24.06.1768), kërkoi që të gjithë qytetarët e rinj, vajza dhe djem, të arsimohen nga mosha 5 deri në moshën 13-14 vjeç dhe t'u sigurohet një këndvështrim bazë mbi fenë (e krishterë), bazuar në këndimin, lexim dhe shkrim. mbi një kurrikul të rregulluar, të ofruar nga shteti të teksteve shkollore. Mësuesve, shpesh ish-ushtarë, iu kërkua të kultivonin krimba mëndafshi për të siguruar jetesën, përveç kontributeve nga qytetarët dhe komunat vendase. Në Austri, Hungari dhe në tokat e kurorës bohemiane (tokat çeke), arsimi fillor e detyrueshëm u prezantua nga Perandoresha Maria Theresa që në vitin 1774 ndërkohë Akti Perandorak e Shkollës Fillore (Reichsvolksschulgesetz) e vitit 1869 standardizoi shkollimin e detyrueshëm në tërësi dhe rriti shkollimin e detyrueshëm nga gjashtë në tetë vjet në të gjithë Perandorinë Austro Hungareze.
Horace Mann dhe lindja e modelit modern të shkollës
Personi që konsiderohet se ka shpikur konceptin modern të shkollës është Horace Mann (04.05.1796-02.08.1859). I lindur në 1796, Mann ishte një pionier e reformave arsimore në shtetin amerikan të Massachusetts në SHBA. Pasi u bë Sekretar e Arsimit në 1837, ai ndërmori një nga reformat më të mëdha arsimore në historinë amerikane. Ndërsa ishte Sekretar e Arsimit, Mann shkoi nëpër shtet duke mbajtur Konventat e Mësuesve( Teacher Conventions), duke mbajtur leksione dhe duke prezantuar reforma. Një nga gjërat kryesore që bëri Mann ishte të bindte kolegët e tij që të krijonin ligje që mbështesin arsimin e financuar nga taksat në shtetet e tyre. Këto 'Shkolla të Përbashkëta'(Common School), siç njiheshin, u krijuan për të edukuar të gjithë fëmijët, pavarësisht nga vendndodhja dhe për shkak se ishin të financuara nga taksat, të gjithë fëmijët mund t'i ndiqnin ato. Një pjesë e madhe e suksesit të këtyre shkollave ishte ideja që të gjithë mësuesit duhej të kishin të njëjtin trajnim bazë. Mësuesit do të duhet të ndiqnin 'Shkollat Normale'( Normal Schools) ose Kolegjet e Trajnimit të Mësuesve( Teacher Training Colleges) për të mësuar se si të japin mësim. Kjo do të thoshte, teorikisht, të gjithë mësuesit do të kishin të njëjtin trajnim të standardizuar të mësuesve. Vizioni e Mann ishte të bashkonte fëmijët nga të gjitha klasat shoqërore përmes edukimit, duke krijuar një përvojë të përbashkët të të mësuarit. Ai besonte se arsimimi në Shkollat e Përbashkëta ( Common Schools) do të ndihmonte për të kapërcyer hendekun midis më pak fatit dhe të privilegjuarve, duke krijuar një shoqëri më të barabartë. Ndërsa shumëçka ka ndryshuar që nga koha e Horace Mann, shkollat sot ende mbështeten në të njëjtat ide të testeve të standardizuara dhe të ardhurave nga taksapaguesit që erdhën nga epoka e Shkollave të Përbashkëta( Common Schools) të Horace Mann. Ajo që ka ndryshuar shumë është kurrikula. Sot shkollat mësojnë programe arsimore inovative STEM-=( Science, Technology, Enginiering, Maths) Shkencë, Teknologji, Inxhinieri- Matematikë dhe STEAM -=( Science, Technology, Enginiering, Arts, Maths) Shkencë, Teknologji, Inxhinieri-, Art e Matematikë që kapin imagjinatën e nxënësve përmes edukimit teknik në jetën reale. Këto shpesh mbështeten në pajisjet moderne të mësimdhënies dhe të nxënit që mund t'u japin fëmijëve një kuptim të plotë se si njohuritë teorike mund të përkthehen në përvoja praktike të të mësuarit.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Thëniet më të bukura që përshkruajnë mësuesin/en
Forbes: "Nuk ka më mësues të rinj, kriza epike që po përballet e gjithë bota në vitin 2024"
Krishtlindja, festa e shenjtë e paqes dhe e dashurisë, zanafilla dhe traditat