Reflektim

Mos harroni: Fëmijët ose nxënësit nuk duhet t’i ndrydhni...

S’është fryma kritike ajo që e afron më së shumti prindin me fëmijën e vet, apo mësimdhënësin me nxënësin, përkundrazi është finesa në komunikim dhe niveli në mënyrën e të reflektuarit përpara tij/saj. Fëmijëve në familje ose shkollë promovojini lojën dhe argëtimin për zhvillimin e tyre dhe nxënien.

Nga Evans Drishti


Një bashkëbisedim mes prindit dhe mësuesit:

-Interesohem për fëmijën tim, si duket ecuria e tij? 

- E keni të mrekullueshëm – nis të përgjigjet mësuesi – Është një fëmijë tepër i urtë, shumë i kujdesshëm dhe me sjellje model. E vlerësoj shumë – vijon të shpjegohet mësuesi – për natyrën e tij të çiltër, për buzëqeshjen e tij, për një intuitë të zhvilluar dhe saktësi në përgjigje. Natyrshëm, ka raste që qëndron edhe në heshtje, por nuk përbën asnjë problem shqetësues. Deri tani jemi në rrugë të mbarë. 


-Ju lutem zoti mësues, - reagon prindi – mos m’i thoni fjalë të mira fëmijës tim. Kam ardhur për një takim për kritika dhe jo për lëvdata. Djali im është tepër i heshtur dhe unë nuk e dua të këtillë. 


Nga pas u dëgjua zëri i një gruaje që po i bërtiste vajzës së saj, teksa po ecte me hapa të ngadaltë në kënaqësinë fëmijërore. – Luaji moj këmbët, se më plase, mos qofsh më mirë! Faj kam unë që të mora me vete, kinse të shëtisësh. Më dëgjon se ç’them apo të ta jap për së mbrapshti?!... 


Vogëlushja nisi të qante nga e folura e ashpër e së ëmës si dhe nga pamundësia për t’iu përgjigjur kërkesës dëshpëruese, e cila e kishte mërzitur së tepërmi. 


Në të shumtën e rasteve harrohet se kur një fëmijë vjen në jetë ka të përcaktuara edhe disa tipare që përbëjnë fizionominë dhe natyrën e tij/saj të trashëguara këto jo vetëm nga prindërit, por edhe nga disa brezni. 


Prindërit janë të detyruar të jenë intelektualë, në mënyrë që të kuptojnë botën e brishtë dhe plot ngjyra të fëmijës që sollën në jetë. 

Po aq edhe mësimdhënësit janë të detyruar t’u sjellin nxënësve “gjykime largpamëse” dhe vizionare rreth ecurisë dhe zhvillimit ideor të tyre. 


Fëmija s’është një qenie që duhet rritur mbyllur në kafaz apo të robotizohet mbi bazën e kërkesave “shtrënguese”, “sfilitëse”, “tensionuese”, “monotizuese”, “zvarritëse”, “ashpërsuese”, “intriguese” të prindërve, e jo në pak raste edhe të mësimdhënësve e drejtuesve. 


Do jetë shumë influencuese për fëmijën nëse prindi interesohet për mbarëvajtjen e procesit shkollor dhe përtej shkollës të djalit / vajzës (pavarësisht moshës) jo me qëllimin e kritikës, por me idenë e mirë të një mbështetjeje dhe solidariteti për t’ia lehtësuar “peshën” fëmijës së vet. 


Ashtu sikurse edhe mësimdhënësi do të ketë më shumë rezultat në punën e tij profesionale për sa kohë të ofrojë një atmosferë të paqtë në procesin mësimor. Ai ç’tensionon dhe lehtëson situatat e ndryshme, gjithnjë në kërkim të formimit të identitetit të nxënësit si një figurë me vlerë dhe peshë. 


S’është fryma kritike ajo që e afron më së shumti prindin me fëmijën e vet, apo mësimdhënësin/ drejtuesin me nxënësin, përkundrazi është finesa në komunikim dhe niveli në mënyrën e të reflektuarit përpara tij/saj. Kjo pasi fëmija është 

  • një vlerë 
  • një personalitet 
  • një figurë 
  • një filiz frytdhënës dhe aromëshpërndarës 
  • një vigjilent 
  • një kurator 
  • një potencial 
  • mbi të gjitha 
  • fëmija është një krijesë me shpirt që kërkon gjallëri 


Çdo kërkesë shtrënguese ndaj fëmijës që bie në kundërshtim me temperamentin e tij/saj sjell padiskutim “sforcim” të zhvillimit ideor, e për rrjedhojë e bën më stresues dhe për fat të keq “të vrazhdë”, “sfilitës”, “agresiv” në reagime. Të tilla situata shkaktojnë më pas pakënaqësi të shumta në raporte në familje, në shkollë e jo më pak në shoqëri. 


Vini re diçka: 

Sapo t’ua përmendni fëmijëve në familje apo në shkollë “lojën” dhe “argëtimin” dalloni lehtësisht një “çlirim” jo vetëm fizik, por edhe ideor dhe shpirtëror tek ta.  


E dini pse? 


Fëmijët janë të “rraskapitur” nga “ndrydhja” që u ka sjellë “rutina e bezdisshme”, qoftë në familje të mbyllur në “dhomën e burgut” të gozhduar përpara rrezeve verbuese të ekranit telefonik, të ngelur viktima të  gjykimeve gërryese të mendjeve prindërore që nuk ofrojnë asnjë vizion për një jetë aktive, qoftë në shkollë të futur në “auditorët e burgut” të mpirë nga monotonia e pakapërdishme e një procesi mësimor. 


Në të shumtën e rasteve e ndjejnë veten si një “plaçkë” që përdoret rëndomtë, ndërkohë ata janë të bindur, se kanë shumë ç’të japin…




Nga Evans Drishti 

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

561 Lexime
9 muaj më parë