Mjekja pediatre Ilsa Mula Kraja: Virozat e stinës te fëmijët dhe si dallohen ato nga COVID-19
Këshilla për prindërit dhe edukatoret në lidhje me virozat e stinës në dallim me virusin COVID-19 te fëmijët e vegjël. Mjekja pediatre Ilsa Mula Kraja gjatë një interviste dhënë për Portalin Shkollor Albas ka specifikuar se kur duhet të tregoni kujdes dhe si mund të forconi imunitetin e të vegjëlve.
Dihet se kjo është një periudhë gjatë të cilës fëmijët sëmuren shpesh, e për më tepër nga viroza të ndryshme stinore. Por duke qenë se këtë vit është prezent edhe pandemia COVID-19, dallimi bëhet i vështirë, ndaj ne kemi zhvilluar një intervistë me mjeken pediatre, Ilsa Mula Kraja, për këtë çështje dhe jo vetëm. Më poshtë do të gjeni edhe këshillat se si duhet të veproni teksa fëmija ka simptoma të lehta gripi ose viroze në kushtet e shtëpisë ose në ambientet e çerdhes\kopshtit. Po kështu me disa sugjerime ju mund forconi imunitetin e fëmijëve tuaj.
Jemi në një periudhë ku virozat janë tejet të pranishme ndër fëmijët tanë. Për më tepër, në prezencë të virusit të përhapur në mbarë botën, COVID-19, identifikimi i tyre bëhet më i vështirë. Ndaj doktoreshë, do donim të dinim fillimisht se si mund të dallohen virozat e stinës së vjeshtës dhe të dimrit te fëmijët, cilat janë simptomat?
COVID-19 është një virus i cili indukton te fëmijët të njëjtën simptomatologji si të gjithë virozat e tjera stinore. Kështu që dallimi nga ana klinike bëhet i vështirë. Të gjitha viruset stinore përfshirë këtu edhe COVID-19 mund të shprehen me shenja tipike si rrufë, sekrecione nga hundët, kollë, temperaturë, dhimbje veshi, mungesë oreksi apo simptoma jo specifike si diarre, të vjella apo dhimbje barku. Për të diferencuar nëse kemi të bëjmë me COVID-19 gjithmonë bazohemi në kontekstin ku fëmija jeton apo ambientet që frekuenton, pra nëse ka familjarë apo kujdestarë pozitiv.
Kur është e nevojshme që prindërit t’i drejtohen vizitave spitalore dhe mjekëve specialist?
Nëse simptomat persistojnë më shumë se tri ditë dhe kemi kompromentim të gjendjes së përgjithshme të fëmijës (që duket i lodhur, i këputur, reagon dobët) atëherë mund të kontaktohet mjeku.
Çfarë u këshilloni prindërve për kurimin e fëmijëve nga gripi në kushtet e shtëpisë? Cilat janë rekomandimet tuaja specifike, pasi dihet që e mira është të qëndrojmë sa më larg antibiotikëve?
Fillimisht përpara se t’i drejtohen mjekut, prindërit duhet të fillojnë t’i trajtojnë fëmijët në shtëpi duke pasur kujdes në drejtim të monitorimit të hundës në mënyrë të vazhdueshme me sol fiziologjik, hidratim të mirë me lëngje (ujë, qumësht, çaj apo lëngje frutash). Baza për një imunitet të mirë mbetet gjtihmonë një ushqyerje e shëndetshme me një dietë gjithëpërfshirëse (produkte mishi, bulmeti, fruta dhe zarzavate) dhe një regjim i mirë gjumë-zgjim.
Po edukatoret e çerdheve dhe të kopshteve si mund të kujdesen kur simptomat e virozës janë të lehta dhe fëmijët pranohen të qëndrojnë në institucion?
Kujdesi konsiston fillimisht në drejtim të tutelimit të temperaturës që në mëngjes me pranimin e fëmijëve në çerdhe apo kopsht. Në rast temperature të informohet menjëherë prindi, ndërkohë fëmija në rast shfaqje temperature, mbahet me rroba të lehta, kompresa apo lëngje të freskëta nga goja deri në mbërritjen e prindërve. Ndërkohë rekomandohet ndërrimi i shpeshtë i panolinave dhe kujdesi për pastrimin e hundës.
Nga ana tjetër, si t’i ruajmë fëmijët nga mosmarrja e viruseve këto kohë? Është e mundur kjo?
IN premis do thoja që gjallesat për të mbijetuar duhet të jenë në kontakt me viruse e baktere në mënyrë që të krijojmë një imunitet të fituar. Pas çdo sëmundje që ne kalojmë fitojmë në organizëm një ushtri antikorpesh që na ndihmojnë për të përballuar më tej infeksione edhe më të rënda apo impenjative. Të gjithë duhet të bëjmë një rrugëtim të tillë që fillon pikërisht në moshën fillore. Pra nuk pretendohet që ne të shmangim të gjitha virozat e stinës. Sigurisht që përdorimi i maskave këtë vit do i mbroj fëmijët e moshës shkollore edhe nga marrja e virozave të tjera stinore. Gjithsesi rekomandimet janë përveç mbajtjes së maskës, shmangien e ambienteve të mbyllura dhe të popullarizuara.
Si mund të forcohet imuniteti i fëmijëve? Cilat janë ritet e përditshme që duhet të bëjnë nënat kundrejt fëmijëve të tyre, në mënyrë që këta të fundit të gëzojnë një shëndet sa më të mirë, pavarësisht moshës?
Baza për një zhvillim të mirë është një regjim konstant në drejtim të ushqyerjes që nënkupton ushqyerje në shtëpi me vakte të mirëfillta dhe jo “junk food” dhe sidomos plotësimi i orëve të gjumit që për çdo moshë ka specifikat e veta. Një rekomandim i fuqishëm qëndron në aktivizimin me aktivitete fizike që në moshë të vogël si dhe shmangia nga qëndrimi për kohë të gjata pranë aparateve digjitale apo televizorit.
Intervistoi: Nanila Allkja Biçaku
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Çdo lloj dhune nuk është bullizëm, por çdo lloj bullizmi është dhunë.
Rëndësia e bashkëpunimit shkollë-familje
Shembuj se si mund të përpiloni një CV