Miqtë, a duhen braktisur që në grindjen e parë?
Studimet tregojnë se duhet të kemi guxim që të prishim një marrëdhënie, nga e cila nuk marrim respektin që presim, ose respektin dhe devocionin që kemi dhënë gjithmonë.
Miqtë, shokët janë ndër dhuratat dhe gjërat më të çmuara që na fal jeta. Ata na zbukurojnë ekzistencën, na mbështesin në momente të vështira, na bëjnë të ndihemi mirë, na zbavitin, por ka edhe raste kur na bëjnë keq. Po si duhet të veprojmë në një rast të tillë?
Studimet tregojnë se duhet të kemi guxim që të prishim një marrëdhënie, nga e cila nuk marrim respektin që presim, ose respektin dhe devocionin që kemi dhënë gjithmonë. Në këtë pikë duhet të jemi më “të pamëshirshme” dhe më pak emocionale.
Për një femër, solidariteti femëror është një nga gjërat më të çmuara që ka në jetë dhe, kur ndodh, është shumë bukur, por jo gjithmonë gjërat shkojnë mirë, pasi një marrëdhënie përplaset edhe me padrejtësi, me mungesë ndershmërie apo mbështetjeje. Në rast të një marrëdhënieje romantike, mes një mashkulli dhe një femre, zakonisht kur ndodhin gjëra të tilla, partnerët ndahen. Atëherë janë të shumtë ata që pyesin: Përse të mos ndodhë kjo edhe në rastin e një miqësie apo shoqërie? Pra, përse duhet të tolerohet vetëm se bëhet fjalë për një mik apo mikeshë të së njëjtës gjini me ty?
Por le të jemi të sinqertë. T’i japësh fund një miqësie nuk është kurrë e lehtë. Madje në disa raste, e vështirë sa edhe dhënia fund e një historie dashurie. Por gjithsesi, ajo që nuk duhet të harrojmë kurrë së bëri është që jemi të hapur dhe të qartë në momentin e shkëputjes. Ish-miku duhet ta dijë nga ne që marrëdhënia ka marrë fund. Kjo është diçka që nuk duhet ta lëmë në harresë. Ka edhe mënyra për të lënë një shok. Për shembull, në vend që ta lësh në mënyrë të “ashpër” përmes një mesazhi apo telefonate, mjafton që ta prezantosh me dikë tjetër që t’i mendon se do t’u bëhet shok dhe do të shkojnë mirë bashkë. Kjo është një mënyrë shumë elegante në fakt.
Ndërkaq, ka edhe të tjerë që kanë një këndvështrim më tolerant për sa u përket momenteve të këqija dhe të krizës me miqtë dhe shokët. Ata thonë se duhet t’u japim më shumë shanse njerëzve me të cilët kemi kaluar kohë dhe kemi ndarë momente të këndshme dhe të vështira. Sipas disa psikologëve, miqësitë dhe shoqëritë janë të formave dhe përmasave të ndryshme dhe nuk mund të ketë një recetë për mbarëvajtjen e një marrëdhënieje miqësore, sidomos receta në lidhje me mënyrën se si duhet të veprosh kur marrëdhënia është në krizë. Gjëja më e mirë që duhet bërë është që para se të marrësh një vendim, t’i peshosh gjërat dhe të vesh në balancë vlerën e miqësisë me problemin që ajo të ka shkaktuar.
Vetëm pas një balancimi të tillë, të bërë me kujdes dhe mbi të gjitha me gjakftohtësi, mund të marrësh një vendim, por, edhe kur e merr, duhet që të jesh tolerant dhe i hapur, pasi gjërat mund të ndryshojnë dhe nga përballja me shokun apo me mikun mund të mësosh gjëra të reja dhe të ndryshosh këndvështrim dhe qëndrim. Ajo që gjithmonë duhet të kesh parasysh është se një miqësi është diçka e shenjtë dhe jo rastësisht këta njerëz kanë hyrë në jetën tonë. Edhe pse një lidhje ka kohën e saj të “skadencës”’ ka pasur gjëra që ne kemi marrë dhe dhënë, ndaj duhet që të bëjmë shumë kujdes, si kur zëmë shokë apo miq, ashtu edhe kur na duhet që t’i lëmë ata përgjithmonë.
Si lindi shkolla, një nga institucionet më jetëgjata të qytetërimit tonë?
Thëniet më të bukura që përshkruajnë mësuesin/en
Forbes: "Nuk ka më mësues të rinj, kriza epike që po përballet e gjithë bota në vitin 2024"