Mësimi përmes shembujve
Tek nxënësit e arsimit të ulët ilustrimet janë mjeti më i mirë i nxënies së mësimeve. Po tek nxënësit e arsimit të mesëm cilat janë metodat më efektive në nxënien e mësimit? Artikulli ju tregon disa metoda, për t'i praktikuar.
Praktikat dhe shembujt janë rruga më e mirë drejt përftimit të dijeve. Nëse përsëritja është mëma e dijes, shembujt janë bija e memorizimit afatgjatë në kujtesë. Përmes shembujve, nxënësit e kanë më të lehtë të krijojnë ide nga termat mësimore. Tek nxënësit e arsimit të ulët ilustrimet janë mjeti më i mirë i nxënies së mësimeve. Po tek nxënësit e arsimit të mesëm cilat janë metodat më efektive në nxënien e mësimit?
Metoda tradicionale ose deduktive
Përmes metodës deduktive kemi kalim nga parimi i përgjithshëm në shembuj specifik. Mësuesi sqaron termat dhe përkufizimet, për t’i ilustruar më pas me shembuj përkatës. Përgjithësish, kjo metodë tradicionale është e përhapur gjerësisht dhe vijon të përdoret nga mësuesit dhe edukatorët. Kur në klasë shtrohet pyetje, si: “çfarë kuptoni me organizma të gjallë?”, nxënësit priren të japin përkufizimin, e më pas ta shoqërojnë me shembuj ilustrues. Metoda tradicionale paraqet shpesh pakënaqësi dhe demotivim mes nxënësve, pasi shikohet si më mekanike në proces. Mësuesi flet dhe shpjegon tematikën e ditës, ndërkohë një pjesë e nxënësve mundet të humbasin interesin, pasi e shikojnë çështjen si të parëndësishme. Kjo dukuri ndodh në masë tek nxënësit e arsimit të mesëm, të cilët gëzojnë prirje më të lartë për të shpërqendruar, porsa lënda e humbet gjallërinë.
Metoda alternative ose induktive
Përmes metodës alternative kemi kalim nga shembuj specifik në parimin e përgjithshëm. Në këtë rast, mësuesi merr rol dytësorë dhe nxënësit kthehen në aktorët kryesorë. Në këtë rast, mësuesit nuk paraqet konceptet e ekspertëve të lëndës, por i ndan nxënësit në grupe. Nëpërmjet një ushtrimi të thjeshtë, listohen disa organizma, të gjallë si, baktere, kafshët, insekte dhe jo të gjallë si, shkëmbi, zjarri, druri. Detyra e nxënësve është të bëjnë ndarjet, bazuar nga aktualiteti, ndërtimi i hipotezave dhe fakteve. Ky ushtrim i inskenuar mund të aktivizojë nxënësit në një nivel më të lartë krahasuar me metodën tradicionale.
Përse të mësuarit induktiv jep rezultate më të mira?
Të mësuarit induktiv ose analogjik, pra përmes krahasimit siguron efekte pozitive tek nxënësit. Metodat bashkëkohëse përqafohen më mirë për shkak të lirshmërisë dhe aktivizimit në masë të nxënësve. Nxënësit kanë arritje më të larta në nxënien e mësimeve nga një seri faktorësh, si:
- Parashtrimin e ideve, fakteve dhe hipotezave të para nga këndvështrimi personal;
- Shembujt i ndihmojnë të reflektojnë më mirë.
- Konceptet ruhen në kujtesë afatgjatë.
- Puna në grup rrit besueshmërinë dhe bashkëpunimin.
- Orët mësimore nuk mbartin bezdisje, pasi nuk janë mekanike, përkundrazi shndërrohen në orë sa zbavitëse aq edhe edukuese.
- Duke sjellë shembuj, nxënësit vendosin në punë të menduarit kritik dhe kreativitetin, dy elemente tejet të rëndësishëm.
Shembujt mësimorë në shkollat tona
Pjesa më e madhe e arsimit tonë realizon shembuj tradicional, deduktiv. Me pak fjalë, mësuesit u tregojmë nxënësve konceptet, në vend që t'i nxisin ata të bëjnë vëzhgime dhe të përdorin të menduarit e tyre për të përgjithësuar. Pse ndodh kjo? Me ndryshimin e kurrikulave ndër vite, janë bërë përpjekje të vazhdueshme për të krijuar metodika bashkëkohore, duke e kthyer në mësim drejt praktikave dhe angazhimit të nxënësve. Mësimi induktiv ka në fokus rritjen produktive të nxënies së mësimit, duke i ndërgjegjësuar mbi rëndësinë e detyrave. Pyetja mbetet se: cila nga këto shembuj funksionon më mirë, dhe sa pëlqehen nga nxënësit dhe mësuesit në një orë mësimore?
Përgatiti: Xhoana Jaku
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Stop bullizmit te të gjithë!
Ramazan 2024, çfarë duhet të kenë parasysh mësuesit për nxënësit që agjërojnë?
Fëmija juaj ka shpërthime? Disa këshilla për “Tantrum-et”