Mënyra për të angazhuar nxënësit introvert në mësim
Mësuesit bien dakord që ka një kategori nxënësit që shkëlqejnë në detyrat e shkruara, por çalojnë në komunikimin verbal. Si ta përfshijmë këtë kategori nxënësish në orët mësimore? Profesorët nga Universiteti i Masaçuset propozojë 5 metoda efektive për mësuesit të cilat i gjeni në këtë artikull.
Sa nxënës njihni në klasë që ngurojnë të angazhohen në mësim?
Nxënësit në çdo klasë ndahen në dy grupe personalitetesh. Nxënësit ekstrovertët janë aktiv, përfshirës, në qendër të vëmendjes, nuk ngurojnë të angazhohen, plot energjikë, komunikues dhe elokuentë. Në krahun tjetër, kemi nxënësit introvert me personalitet më të mbyllur, të cilët preferojnë të qëndrojnë në hije, të tërhequr, duke nguruar hera-herës të flasin pasi janë të pasigurt dhe nuk u pëlqen vëmendja. Diferenca në personalitet nuk i ndan në nxënës në të mirë dhe të dobët. Fakti që një pjesë e nxënësve janë introvertë dhe ngurojnë të flasin apo të përgjigjen vjen nga natyra më e mbyllur, por nuk përcakton njohurinë apo inteligjencën.
Pse nxënësit introvert shikohen më problematikë në optikën e mësuesve?
Për mësuesit, kjo kategori nxënësish është delikate dhe ndonjëherë e vështirë në të menaxhuar. Nxënësit introvertë zgjidhin heshtjen para fjalës. Pavarësish sa herë mund të pyeten mbi mësimin, apo mbi pëlqimet vetjake, sërish një pjesë zgjedhin heshtjen dhe të mos prononcohen. Shpesh herë, këmbëngulja e mësuesve shikohet si presion i shtuar. Ndonëse detyra e mësuesit është pyetja dhe angazhimi i nxënësve, në këto raste specifike mbetet e vështirë zgjidhja. Mësuesit bien dakord që ka një kategori nxënësit që shkëlqejnë në detyrat e shkruara, por çalojnë në komunikimin verbal. Si ta përfshijmë këtë kategori nxënësish në orët mësimore?
Profesorët nga Universiteti i Masaçuset propozojë 5 metoda efektive për mësuesit:
1- Ndërtoni grupe bashkëpunuese mes nxënësve
Brenda mjedisit mësimor, mësuesi mund t‘i bëjë nxënësit të ndihen të sigurt me pjesëmarrjen e tyre aktive. Nxënësit introvertë mund të preferojnë distancimin social dhe marrin kohë të përshtaten brenda një grupi, megjithatë, duke i angazhuar me grupe të vogla, ndryshimi vjen gradualisht. Si mësues, mund të caktoni grupe të vogla me dy ose tre nxënës në ezaurimin e detyrave brenda klasës. Kjo ndarje i ndihmon nxënësit introvert të përshtaten dhe të veprojnë me të tjerët duke i nxjerrë nga guaska e rehatisë. Puna në grup i ndihmon nxënësish të jenë aktiv e më të angazhuar. Një shembull i mirë janë edhe detyrat me shkrim, si esetë, pasi i japin siguri dhe i bëjnë më përfshirës në dhënien e mendimeve nxënësit.
2. Mësimi i bazuar mbi një problem konkret jep rezultate më të mira
Profesorët e Universitetit të Masaçuset kuptuan nga vëzhgimet se puna individuale ose në grup, kur përqendrohet në një zgjidhje konkrete jep rezultate më të mira për çdo kategori nxënësish. Studimi nxori në pah se nga mësimi i bazuar në një problem rritej fryma bashkëpunuese në grup, të menduarit kritik dhe kreativiteti. Me pak fjalë, kur nxënësit kanë më shumë kontroll mbi të mësuarin duke krijuar një bazë të vetëdijes dhe besimit, atëherë motivimi dhe angazhimi përmirësohen ndjeshëm.
3. Përdorni metodën e konkurrencës
Nga studimi i kryer u kuptua se konkurrenca është një mjet i mirë për t’iu treguar mësuesve përgatitjen e nxënësve. Rezultati i marrë nga konkurrimi mbi leximin e librave tregoi se nxënësit introvertë kishin prioritet më të lartë krahasuar me nxënësit ekstrovert. Leximi shkon në përshtatje me nxënësit më të mbyllur, duke u ardhur në prioritet dhe përgatitje. Ata zgjedhin të lexojnë kur pjesa tjetër e nxënësve zgjedh të socializohet apo të aktivizohet me aktivitet. Nëse mësuesi do kërkonte leximin e përmbajtjes së një tregimi dhe të kërkonte me shkrim apo diskutim mbi çfarë u kuptua, atëherë kjo do u kthehej në prioritet nxënësve introvert.
4. Materialet shtesë i ndihmojnë nxënësit në thithjen e informacionit
Përpos kurrikulave bazë, materialet plotësuese si audio apo video janë ndikues pozitiv si për nxënësit introvertë dhe ata ekstrovertë. Një studim që trajtonte anglishten si gjuhë e dytë u përpoq të përcaktonte efektin audio/vizual në mësimdhënie. Rezultatet treguan përmirësim të ndjeshëm në përthithjen e informacionit tek nxënësit. Projektet, librat shtesë, materialet e ardhura nga interneti janë të dobishme në mësimdhënie, gjithashtu u vijnë në ndihmë mësuesve.
5. Teknologjia angazhon çdo student në nxënie e mësimit
Përdorimi i teknologjisë mbush hapësirat boshe të arsimit në shumë nxënës. Metoda e aplikuar në një studim ishte përdorimi i SRA (sistemi i reagimit ndaj audiencës). Kjo formë e re teknologjie tregoi interesimin dhe angazhimin në klasë të nxënësve që identifikoheshin si introvertë. Nga këto studime, mësuesit arrijnë të kuptojnë se nxënësit introvertë kanë nevojë të krijojnë zonën e tyre të rehatisë, para se të qasen me mjedisin e jashtëm. Nëpërmjet teknologjisë, materialeve audio-vizuale, dhe shkrimit, çdo mësues mund të përcaktojë angazhimin e nxënësve mbi mësimin, edhe tek ata që janë të mbyllur dhe diskret.
Përgatiti: Xhoana Jaku
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Stop bullizmit te të gjithë!
Ramazan 2024, çfarë duhet të kenë parasysh mësuesit për nxënësit që agjërojnë?
Këshilla si të mbajmë klasën të motivuar