Loja, gjuha kryesore e fëmijës
Prindërit apo edukatorët shpeshherë ndihen të dyjëzuar rreth mënyrës sesi duhet të sillen me fëmijën. Sigurisht, këshillat më të mira nuk mund të vijnë në formë manuali, por disa këshilla të cilat vijnë nga eksperiencat praktike, janë të nevojshme.
Kontakti fizik me fëmijën është i rëndësishëm, një përqafim, një puthje ofron ndjenjën e sigurisë. Ky kontakt më së miri realizohet përmes lojës.
Loja:
■ I largoni fëmijët nga tema specifike të vështira
■ U siguroni atyre një kanal përmes të cilit (vizatimi, vallëzimi, aktrimi) ata mund të lëshojnë një pjesë të peshës që mbajnë
■ Ju ndihmon të normalizoni situatën
■ Forconi marrëdhënien tuaj me ta
Loja është gjuha kryesore e fëmijës. Çdo fëmijë ka nevojë për një lojë. Ai nuk ka nevojë për lodra. Është mjaftueshëm kreativ vetë, por ka nevojë të luajë (mundësisht me baltë, me rërë, me mjete rrethanore), sepse fëmija në gjenezë ka nevojë të ndihet i lirë, njësh me natyrën. Mjafton t’i ofroni një ambient të sigurtë, ku kontakti njerëzor është i shëndetshëm.
■ Duke luajtur me ta, ju normalizoni çdo situatë me fëmijët
■ Ju forconi marrëdhënien me ta
■ Por ju ndihmoni gjithashtu veten
Nëse nuk keni durim ose kapacitet, mos ua prishni argëtimin, thjesht lejini ata të lirë. Lejoni që fëmija juaj t'ju gëzojë dhe t'ju bëjë të qeshni.
Largojini fëmijët nga lajmet që mund t’i lëndojnë
Është e rëndësishme të mbrojmë fëmijët nga pamjet dhe lajmet tronditëse që ndjellin dhembje, trishtim, humbje, dëmtim. Ata janë si sfungjerë që thithin gjithçka.
Bisedat dhe shpjegimet janë të rëndësishme, por shembulli dhe përvoja janë shumë më tepër. Pyesni fëmijët si ndihen, por jo gjithmonë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Nëse është e qartë që nuk janë mirë, mos i lëndoni me pyetje boshe retorike.
Jini të vetëdijshëm se shumë fëmijë mund të kenë edhe disa reagime shqetësuese, të shfaqin shenja zemërimi aty ku nuk pritet. Ndaj, normalizojeni situatën dhe jepni një shembull nga vetja juaj, kur edhe ju jeni sjellë çuditshëm, duke përdorur nota të lehta humori, por kurrsesi tallëse. Kujdesuni për fëmijën, ndiqni të gjitha reagimet që mund t'ju frikësojnë, por mos kërkoni patologji aty ku nuk ka.
Gjatë gjithë kohës, kudo që të mundeni, edhe nëse po kaloni kohën më të vështirë, kujtojini atij se është i mirë dhe i mbarë. Fuqëzoni fëmijë tuaj! Ai është perfekt ashtu siç është.
✿ Vëzhgoni, respektoni dhe mos injoroni atë që po kalon një fëmijë afër jush. Kërkoni një kanal komunikimi, të përshtatshëm për të.
✿ Normalizoni reagimet e papërshtatshme të fëmijës. Mos kërkoni "patologji" tek fëmija. Nëse keni një fëmijë me aftësi të kufizuara, ata do të kenë nevojë për mbështetje shtesë.
Fëmijët megjithëse të vegjël, priren të "marrin përgjegjësi" dhe të zhvillojnë një ndjenjë faji atje ku nuk duhet. Në këtë pjesë duhet të tregoheni të kujdesshëm, sepse fëmijët e ndihmojnë vetveten. Kërkoni ndihmë nga fëmija juaj për gjëra të vogla. Kjo u jep atyre siguri në vete. Ata ndihen të fuqishëm dhe të dobishëm në këtë mënyrë.
Mos harroni që përkrahja shpirtërore nuk vjen vetëm nga prindi, por edhe nga gjyshërit, xhaxhai, daja, tezja, shoku, edukatori, etj. Ndaj, të gjithë së bashku për një shoqëri të shëndetshme.
Përshtati P.Shtini
Burimi: https://www.skolskiportal.hr/sadrzaj/savjeti-strucnjaka/igra-je-glavni-jezik-djeteta/
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Çdo lloj dhune nuk është bullizëm, por çdo lloj bullizmi është dhunë.
Rëndësia e bashkëpunimit shkollë-familje
Shembuj se si mund të përpiloni një CV