Lidhja e Shkrimtarëve “Aleksandër Moisiu”
Qëllimi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu’’ është që të promovojë kulturën shqiptare në Austri, me theks të veçantë të letërsisë, të prezantojë dhe afirmojë autorët shqiptarë
Si u krijua shoqata “Aleksandër Moisiu” në Vjenë?
Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu” (www.moisiu.eu) u krijua në vitin 2011 me iniciativën e disa shkrimtarëve shqiptarë në Vjenë. Duke marrë në konsideratë faktin se në Austri jetojnë dhe veprojnë dhjetëra krijues nga të gjitha viset shqiptare në Ballkan, u arrit që të themelohet një subjekt kulturor, i cili do të ishte një adresë e përbashkët e të gjithë dashamirëve të letërsisë, të cilët shkruajnë në gjuhën shqipe dhe kanë vepra të botuara, qoftë në atdhe apo në Austri. Sot kjo lidhje në gjirin e saj ka mbi 30 anëtarë, jo vetëm shkrimtarë por edhe aktorë, piktorë, skulptorë, gazetarë, publicistë, etj.
Cili është qëllimi i saj dhe si funksionon ajo?
Qëllimi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu’’ është që të promovojë kulturën shqiptare në Austri, me theks të veçantë të letërsisë, të prezantojë dhe afirmojë autorët shqiptarë që jetojnë në këtë shtet mik, si dhe të krijojë ura të miqësisë me institucionet kulturore austriake dhe me autorë vendas dhe të huaj që jetojnë në këtë vend. Kjo lidhje funksionon përmes strukturave të saj, që përbëhen nga kuvendi i anëtarëve, kryesia, bashkëpunëtorët e jashtëm dhe anëtarët e nderit. Vlen të theksohet se anëtarë nderi të saj janë kryesisht krijues austriakë dhe të huaj (nga Turqia, Sudani, etj), ndër ta edhe kryetari i PEN Klubit të Austrisë Helmuth A. Niederle. Në pesë vitet e ekzistimit të saj kjo shoqatë ka organizuar rreth 50 orë letrare (në të dy gjuhët, shqip dhe gjermanisht) dhe promovime librash. Në vitin 2012, për nder të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, u botua antologjia e parë e krijuesve shqiptarë në Austri me emrin “Ilyricum I”. Antologjia e radhës “Ilyricum II” pritet të dalë nga shtypi në shkurt të vitit 2017.
Keni ndonjë informacion afërsisht sa shqiptarë jetojnë në Austri?
Nuk ka ndonjë statistikë zyrtare për sa i përket numrit të shqiptarëve në Austri. Supozohet se këtu jetojnë rreth 80000 shqipfolës, shumica prej tyre nga Kosova (rreth 60 000), pastaj Maqedonia (10 000), Lugina e Preshevës (5 000), Shqipëria (4 000) dhe Mali i Zi (1 000). Një pjesë e madhe e tyre posedojnë shtetësinë austriake.
Për çfarë diskutojnë shqiptarët kur mblidhen në raste festash?
Preokupimi kryesor i shqiptarëve në Austri është gjendja politike dhe shoqërore në atdhe si dhe mundësitë e integrimit në jetën sociale dhe publike në Austri. Një temë shumë e diskutuar është edhe pengimi i asimilimit të gjeneratës së re të emigrantëve shqiptarë në Austri.
A është trashëguar gjuha shqipe tek fëmijët të cilët kanë lindur në Austri?
Në Austri funksionon mësimi plotësues në gjuhën shqipe, i cili koordinohet dhe implementohet nga 24 mësimdhënës shqiptarë të mbledhur në Shoqatën e Mësuesve “Naim Frashëri’’ (www.naimfrasheri.at). Në familjet shqiptare, në masë të madhe, ende flitet dhe kultivohet gjuha shqipe. Për sa i përket vijueshmërisë së nxënësve në mësimin plotësues në gjuhën shqipe, duhet të theksohet se numri i vijuesve është ende i vogël në krahasim me numrin e nxënësve shqiptarë që me familjet e tyre jetojnë këtu. Po ashtu vetëdija e prindërve për të mbështetur mësimin shqip për fëmijët e tyre në Austri është në nivel jo dhe aq të kënaqshëm.
A ruhen traditat dhe zakonet shqiptare?
Tradita dhe zakonet shqiptare ruhen me fanatizëm në pjesën më të madhe të familjeve shqiptare në Austri. Në lidhje me këtë kontribut të madh janë duke dhënë edhe disa shoqata kulturo-artistike, nga të cilat veçohet shoqata “17 shkurti’’ nga qyteti i Badenit (rreth 20 km larg Vjenës), e cila disa herë në vit organizon koncerte me këngë e valle me motive nga të gjitha trevat shqiptare.
Për çfarë i merr më shumë malli shqiptarët, çfarë ju mungon nga Shqipëria?
Shqiptarët në Austri e mbajnë gjallë kujtimin për atdheun, mbajnë kontakte të vazhdueshme me familjarët dhe të njohurit e tyre në vendlindje dhe një shumicë e tyre i kalon pushimet vjetore në Shqipëri, nga ku kthehen me mbresa të mira.
Po afrojnë festat e fundvitit, cili është urimi juaj?
Urimi im për festat e fundvitit është: Paqe, dashuri dhe mirëqenie për të gjithë shqiptarët kudo që janë; fuqizim të shteteve shqiptare në Ballkan dhe afërsi dhe ngrohtësi mes të gjithë pjesëtarëve të kombit tonë, pa marrë parasysh bindjet politike apo fetare. Qoftë viti 2017 vit i realizimit të aspiratave tona për faktorizim në rajon dhe suksese edhe më të mëdha të diasporës shqiptare në mbarë rruzullin tokësor.
Biografi
Anton Marku u lind më 15 gusht 1971 në Gjakovë, ku kreushkollën e lartë pedagogjike ‘‘Bajram Curri”-dega gjuhë dhe letërsi shqipe.Fakultetin juridik e përfundoi në Universitetin e Prishtinës, ndërsa nëUniversitetin e Vjenës magjistroi shkencat politike (studimet ballkanike dheevropiane).
Ka shtatë vite që jeton dhe punon në Austri. Shkruankryesisht poezi për të rritur, por dhe prozë të shkurtër. Deri më tani kabotuar pesë libra me poezi, të cilët janë përkthyer edhe në gjuhën angleze,gjermane, rumune dhe kroate:
1. “Cikloni i dashurisë”, (2000)
2. “Gjurmë mbi hije”, (2002)
3. “Dielli i mesnatës”, (2004)
4. “Vizioni blu”, (2010)
5. “Në duet me vetveten” (2012)
Ai po ashtu është prezantuar edhe në revistën “Zwischenwelt” (“Mes botërave”, 2014) si dhe në disa antologji me poezi dhe tregime të shkrimtarëve me origjinë të huaj që jetojnë në Austri, si në vëllimin “Manfragt mich, ob ich bin” (“Pyetem nëse jam”, 2009), “Stadtschattirungen” (“Dritëhijet e qytetit”, 2015), WORTE & WELTEN-Eine Bilinguale Österreichische Zeitschrift für Migrantenliteratur (2016) dhe në disa antologji të krijuesve shqiptarë në mërgim.
Anton Marku është anëtar i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, i PEN Klubit të Austrisë, iIG Autorinen und Autoren në Austri, i Klubit letrar ‘‘Gjon Nikollë Kazazi” të Gjakovës si dhe i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu”.
(Portali Shkollor)
Çdo lloj dhune nuk është bullizëm, por çdo lloj bullizmi është dhunë.
Çfarë mund të bëjë shkolla për të parandaluar bullizmin?
Prindër, kuptoni fëmijën tuaj dhe respektoni punën e mësuesit!