Mësime për jetën

Letër nxënësve gjimnazistë...

Cilat mund të jenë këshillat më të vyera që një mësues mund t’ia drejtoj nxënësve të tij? Mësuesi Luan Stafasani në këtë fillim viti shkollor ka zgjedhur të shkruaj një letër të hapur për të rinjtë gjimnazistë, e cila dikton mësime të vlefshme për jetën e që ata duhet t’i kenë vath në vesh.

Të dashur nxënës! Së bashku bisedojmë çdo ditë për problemet që më nxisin t’ju shkruaj. Arsyeja kryesore pse vendosa tu drejtohem me këtë “Letër të hapur” si duket lidhet më së shumti me thënien e famshme: “E shkruara mbetet, fjalët i merr era”.


Të punosh me ju është nder, privilegj, kënaqësi, sfidë…e të gjitha këto kërkojnë nga ne mësuesit përkushtim, përgatitje, durim, maturi. Por puna e mësuesit të shtyn edhe në të tjera forma e metoda, që kërkojnë frymë e shpirt njerëzor për t’i dhënë jetë një brezi, që kërkon të rritet me kërkesat e kohës.


Koha që jetojmë është e vrullshme, pse jo dhe e egër. Ajo shpesh të lë mbrapa nëse nuk ecën me hapin e saj. Ndaj ju dikton të jeni të përqendruar në mësime, të përpiqeni t’i përvetësoni sa më mirë ato. Koha që jetoni është më optimalja për të mësuar. Ky stad i jetës nuk përsëritet më për ju.


Të dëgjoni sa më shumë dhe të mendoni do të jetë diçka pozitive për ju. Ajo që duhet të ngulitni mirë në mendjen tuaj është fakti që prindërit dhe mësuesit kanë gjithmonë të drejtë. Këshillat dhe sugjerimet e tyre duhet t’i zbatoni pa hezitim, të paktën deri sa të mbërrini në fund të studimeve të pjekurisë, që lidhen me maturimin tuaj.


Është e dobishme gjithashtu të angazhoheni në “Punët e shtëpisë”, duke e parë këtë gjë nga dy pika vështrimi: e para, lehtësimi sado pak i prindërve tuaj, e dyta, edukimi juaj me ndjenjën e punës dhe të marrjes përsipër të përgjegjësive. E ardhmja nuk është gjithnjë shesh me lule. Jeta ka zigzaget e saj, ndaj kërkohet të jeni sa më të aftë për tu ballafaquar me vështirësitë e të fshehtat e saj.


Edukimi juaj duhet të shihet po ashtu prej jush si diçka e domosdoshme. Duhet ta edukoni veten me normat e mirësjelljes, mënyrës së qëndrimit në ambiente të ndryshme, mënyrës se si kërkoni të shprehni mendimet tuaja. Nuk duhet të harroni parimin: “Mirësjellja nuk kushton asgjë, por blen gjithçka”. Me edukimin lidhet edhe letërsia artistike. Ajo edukon shpirtin e njeriut me botën e jetuar dhe ëndrrat për të ardhmen. Një njeri i letrave ka thënë diku: “Leximi të fisnikëron, të mundëson që të zësh një vend të vogël në këtë botë të madhe”.


Me botën e sportit duhet të “shkoni mirë”. Sporti është një mik i madh e i pa zëvendësueshëm. Po e respektuat atë ai do t’ua kthejë respektin, i cili do të lexohet në fytyrën dhe trupin tuaj.


Ju duhet të jeni promotor i një mënyre të re të të ushqyerit. Të largoheni nga ushqimet e shpejta (Fast food), fara luledielli, patatina e krokerì të tjera, asnjë të mirë nuk ju sjellin. Konsumoni ushqimin që përgatisin prindërit tuaj. Ushqehuni sipas etikës së ushqyerit që mësoni në shkollë, duke aplikuar të rejat e kohës në përmirësim të jetës suaj e familjarëve tuaj.


Është mirë të krijoni disa tabu në përditshmërinë tuaj. Mos konsumoni duhan, alkool, drogë. Besoni te familja, shkolla, shoqëria, Atdheu, Zoti.


Argëtimi, shoqëria, mësimi, puna, sporti, çdo gjë duhet të jetë e organizuar. Çdo gjëje jepini hapësirën e duhur. Nëse i jepni më shumë do të krijoni lidhje varësie. Lidhjet e varësisë me këdo e çdo gjë  janë shumë të dëmshme, mbi të gjitha nuk ju bëjnë njerëz të lirë.


Të jeni njerëz të organizuar është ajo që duhet të synoni vazhdimisht, të mbushni me kuptim çdo moment të jetës, tek e fundit do të jetë fitorja më e madhe në jetën tuaj.


Pa ju dhe përpjekjet tuaja, ne mësuesit nuk ndjejmë se kemi bërë detyrën që duhet. Jeni ju ata që me nivelin dhe aftësinë në ngjitje, bëni të mundur rritjen e botëkuptimit për punën dhe jetën, realizimin e objektivave për një reformë të thellë siç po flitet, që shkolla jonë të ecë përkrah atyre europiane.

Nga Luan Stafasani 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

2,589 Lexime
3 vjet më parë