Kriza e të mësuarit - Shkaqet, pasojat dhe zgjidhja
Neglizhimi i të mësuarit është një "dhimbje" me pasoja të pallogaritshme. Teknologjia ka sjell lehtësimin e aksesit ne njohuri dhe informacion. Pra rrethanat janë, por duhet të jenë njerëzit që të përfitojnë nga këto aksese tejet të favorshme për të mësuar.
Përgatiti Muhamet Selmani, Drejtor i shkollës “Ibrahim Gjorgji” Radomirë, Kala e Dodës, Dibër
“Në ka ndonjë gjë për të cilën shqiptarët duhet të kujdesen me të tëpërt, ajo pa dyshim është dituria (të mësuarit)” - Sami Frashëri
“Duhet të ndriçohet mendja me të gjitha degët e diturisë”. (Zgjimi i Shqipërisë, nr.8 Janar,1909)
Paraqitja e problemit
Sigurisht që jetojmë në epokën e informacionit ku nëpërmjet zhvillimit teknologjik na mundësohet përafrimi në kohë dhe hapësirë duke na u bërë i disponueshëm lehtësisht i gjithë informacioni i planetit. Brezi që jeton në këtë epokë ka një mundësi të jashtëzakonshme për t’u informuar mirë. Nisur nga realiteti të çon të thuash se kemi një krizë në të mësuar dhe një rënie të vazhdueshme intelektuale. Të flitet për krizë në të mësuar në epokën e artë të informacionit është një paradoks që kërkon një analizë të thelluar për të kuptuar se pse kjo krizë në një kohë kur është zgjeruar rrethi i mundësive. Përdorimi i teknologjia së informacionit jep një ndikim të kundërt në raport me forcimin e të mësuarit dhe diturisë duke qenë shumë të informuar por pak të ditur.
Sakaq vetë titulli ka nevojë për një varg dritëhijesh paraprake. Studimi i këtij fenomeni duhet parë në shumë dimensione duke trajtuar anët pozitive dhe negative që kanë ndikuar në periudhën tridhjetë vjeçare të tranzicionit në arsim. Ndryshimet e mëdha në arsim, në emër të reformimit, janë një nga arsyet që ka prodhuar krizë në të mësuar si shkak i destabilitetit dhe mos përshtatjes së duhur me realitetin tonë kombëtar. Gjetja e ekuilibrit midis të menduarit globalisht dhe të vepruarit lokalisht është një sfidë sfiduese. Kalimi nga modeli klasik i funksionimit të shkollës drejtë ndryshimeve, që diktojnë zhvillimet për të qenë i informuar me arritjet më të mira të kohës, kërkon një impenjim sistematik të përkushtuar. Ekuilibri ndërmjet ruajtjes së përvojave tona historike më të mira në arsim të trashëguara dhe aplikimi i një modeli në një vend, të një vendi tjetër duke marrë një sistem arsimor copy-paste nga vendet tjera të zhvilluara ka prodhuar rënie graduale të cilësisë së arsimit si shkak i luhatjeve të papërputhshme me realitetin shqiptarë.
Në mungesë të fokusimit për ta pasur arsimin prioritet numër një, ka munguar edhe një debat publik për arsimin me të gjithë aktorët dhe faktorët për të identifikuar rrënjët e fenomenit të krizës së të mësuarit dhe planifikimi i një strategjie për arsimin ku të gërshetohet një ndërthurje hibride mes përvojës tonë më të mirë historike dhe arritjeve më të mira të vendeve të zhvilluara duke i aplikuar në mënyrë të përshtatshme në kontekstin shqiptar. Neglizhimi i të mësuarit është një "dhimbje" me pasoja të pallogaritshme, sepse jetojmë në botën digjitale në realitetin bashkëkohorë, ku rrugët për të arritur tek dituria dhe të mësuarit janë të shumta. Teknologjia ka sjell lehtësimin e aksesit ne njohuri dhe informacion pra rrethanat janë por duhet të jenë njerëzit që të përfitojnë nga këto aksese të plot favorshme për të mësuar. Dituria ku në thelb ka të mësuarit është shpresa më e madhe për të ardhmen e një populli të gjallë.
Shkaqet e krizës së të mësuarit
- Kur ndodh diçka, faktorët janë të shumtë, duket që janë bashkuar shumë shkaqe që prodhojnë fenomenin krizë në të mësuar, qoftë edhe duke u bazuar tek një rezultat siç është PISA, por jo vetëm, për shkak të procesit të zhvillimit. Një fillim i mirë do të ishte adresimi i shkaqeve të problemit.
- Kriza e të mësuarit është si rezultat i dekadave të trajtimit jo adekuat të sfidave kryesore strukturore dhe reformave eksperimentale të projektuara nga qeveri të ndryshme prej tridhjetë vitesh.
- Ajo që ka ndodhur në Shqipëri është huazimi, imitimi dhe importimi i modeleve arsimore nga jashtë. Një kopjim i tillë pa filtra përshtatës ndonjëherë mund të jetë edhe pikë çorientimi duke përshtatur forcërisht “kostume” të huaja për “trupin tonë” që nuk i përshtaten kontekstit shqiptar, duke mos gjetur zbatim efektiv.
- Të prirur nga imitimi kanë ndodhur ndryshime pozitive dhe negative. Ndryshim pozitiv në konceptimin e dijes që ishte më parë “përsëritja nga nxënësi të asaj që i shpjegonte mësuesi” kurse tani kërkohet nga nxënësi jo vetëm përsëritja e dijes, por drejt zhvillimit të kompetencave dhe aftësive. Ndryshimet në aspektin negativ se tekstet tona ishin më parë me përkufizime akademike, kurse sot janë tekste me orientim teknologjik me pak përkufizime dhe më shumë me zbatime praktike ku në realitetin shqiptar nuk gjejnë zbatim për shkak të mungesës së ambienteve.
- Kurrikula, lëndët mësimore, tekstet janë marrë nga një vend me nivel shumë të lartë si Britania, ku në thelb është të mësuarit nëpërmjet praktikës, mjeteve mësimore, kabineteve dhe laboratorëve të cilat në Shqipëri nuk janë ato kushte dhe kështu nuk funksionon, nuk kemi një kurrikulë të përshtatshme me kushtet e vendit tonë.
- Problemet kyçe me të cilat përballet sot sistemi arsimor global është konfuzioni me përkufizimet e termave, të kompetencave dhe aftësive që duhet të duhet të zotëroj nxënësi. Ndryshimi i koncepteve ndaj të mësuarit se çfarë duhet të dinë nxënësit.
- Modifikimet dhe ndryshimet në arsim të pa studiuara për ndikimin që do kenë, e si të tilla nuk garantojnë rezultat, shpesh të pambështetura nga vlerësimi i nevojave reale të verifikueshme nga poshtë ndikojnë në regres, në hapa mbrapa.
- Për cilësinë e dobët në arsim ka ndikuar edhe politizimi i skajshëm i sistemit arsimor përgjatë tridhjetë viteve, ku kriteri i përkatësisë partiake ka dominuar në dëm të meritokracisë.
- Konteksti i ri me metoda tej të vjetruara, paaftësia për t’u përshtatur me trendin e kohës është një pengesë që prodhon krizë në të mësuar dhe nuk mund të logjikosh për realitete të reja me metoda të vjetra, sepse realiteti ka ndryshuar fuqishëm. Epoka digjitale çka kërkohet nga mësimdhënësit, që edhe metodat e mësimdhënies duhet të integrohen në përputhje me trendin e kohës. Mungesa e mësuesve cilësor është një pengesë e mësimdhënies cilësore.
- Shumë shpesh reformat dështojnë, kjo ndodh sepse njerëzit duan të bëjnë ndryshime por në të njëjtën kohë ruajnë të njëjtat mendime dhe kështu nuk funksionon.
- Shkak i krizës së të mësuarit po bëhet edhe përdorimi i teknologjisë dhe rrjeteve sociale për argëtim dhe jo në funksion të të mësuarit. Mungesa e interesit dhe qëllimit për të mësuar janë faktor ndikues. Industria mediatike po rivalizon shkollat dhe të mësuarit duke i tërhequr brezat drejt argëtimit.
- Një shkak tjetër i krizës është digjitalizimi i tejskajshëm i arsimit duke e zhvendosur arsimin nga libri drejt kompjuterit, nga regjistri faktik i shkruar drejt regjistrit digjital, duke i bërë një zhvleftësim librit dhe fjalës së shkruar, fjalës së mbetur në letër që u ka rezistuar të gjitha kohërave. Letra e shkruar u zëvendësua me digjitalizimin. Jetëgjatësia e ruajtjes së informacionit të digjitalizuar parashikohet nga studiuesit se mund të zgjat deri në dyzet vjet. Koha do e tregoj këtë fakt por zhvillimet e shpejta teknologjike e vërtetojnë këtë pohim.
- Një faktor tjetër i krizës së të mësuarit është edhe dilema profesionale e vlerësimit, tronditja e vlerësimit të nxënësve duke deformuar vlerësimin dhe tjetërsuar gjithë traditën historike ku në emër të përafrimit me vendet e zhvilluara kemi ndryshuar edhe mënyrën e vlerësimit të nxënësve, herë me simbole e herë me notë duke humbur ndjesinë që ka nxënësi për notën si një vlerësim historik i joni që duhet ruajtur. Tradita historike e vlerësimit me notë është një ndjesi psikologjike që përjeton nxënësi po edhe motivohet për të mësuar. Fenomeni kopje, një problem kombëtar në të gjitha nivelet dhe vlerësimi fiktiv jo mbi bazë merite dhe kriteri ka ndikuar shumë negativisht në prodhimin e krizës së të mësuarit.
- Zhvleftësimi i figurës së mësuesit në emër të të drejtave të fëmijëve u cenua vlera morale e tij në marrëdhëniet mësues-nxënës duke e transformuar tolerancën në liberalizëm dhe rregullin në konservatorizëm. Orët e mësimit në shkollat shqiptare zhvillohen përmes zhurmës, negzhizhencës, mungesës së motivimit, qëllimit, interesit, mos përkushtimit dhe mungesa e kulturës së punës sistematike në shtëpi.
Pasojat e krizës së të mësuarit
- Pasoja e mos të mësuarit, është populli i cili importon çdo gjë nga gjilpëra deri tek sistemet arsimore. Madje importi, edhe nëse bëhet për shkaqe të ndryshme, ai përsëri është shkak i dobësisë, sepse ti ia dorëzon vetën tënde dikujt tjetër. Populli i cili nuk ndërton një strategji të tij, ai nuk zotëron lirinë e reformave të përdorimit të tyre.
- Kriza e të mësuarit është një pasojë që vjen pas gjithë reformave që janë bërë deri më sot çka tregon që këto reforma nuk kanë qenë efektive.
- Pasoj e krizës së të mësuarit janë rezultatet e PISA 2022 çka tregon për masat thelbësore që duhen marrë për cilësinë.
- Mungesa e të mësuarit në vazhdimësi dhe pasiviteti pengon rritjen e qëndrueshme dhe adaptimin e modeleve të reja të zhvillimit.
- Largimi i nxënësve nga libri dhe braktisja e madhe e arsimit nga të rinjtë është një tjetër pasojë që reflekton krizën e të mësuarit.
Zgjidhja e krizës së të mësuarit
Arritjet më të mëdha në të mësuar si komb i kemi realizuar kur kemi mbajtur gjallë shpirtin dhe frymën e të mësuarit. Të mësuarit do të ishte çelësi i të gjitha zgjidhjeve prandaj ja vlen ta mbajmë gjallë.
Mësuesi është baza e rezultateve në arsim, prandaj mësuesit cilësor në klasë do ishte një zgjidhje e krizës së të mësuarit. Në këtë drejtim vitet e fundit janë hedhur ca hapa efikas në funksion të emërimit të mësuesve mbi bazën e meritokracisë. Zhvillimi profesional i mësuesve për të përfituar nga standardet e kohës dhe për t’iu përgjigjur sfidave do i shërbente cilësisë.
Kurrikula, tekstet shkollore të ngrihen mbi praktikat më të mira ekzistuese por duke përshtatur ambientet mësimore që kurrikula të gjej zbatim.
Të matet efektshmëria e reformave në arsim për ndikimin që kanë duke identifikuar problematikat dhe harmonizuar format e ndërhyrjes se çfarë të ruhet e çfarë të ndryshohet.
Procesi i ndryshimeve në arsim kalon në disa faza si:
- Faza e orientimit/nevojave. Cili është problemi që na shqetëson?
- Faza e fillimit/miratimit. Si duhet ta bëjë?
- Faza e zbatimit/ përdorimit. Si duhet ta bëjë?
- Faza institucionalizimit/vazhdimësisë. A do ketë jetëgjatësi? Injorimi i këtyre ligjësive prodhon regres.
Dijet ndryshojnë me zhvillimet e kohës kështu që duhet të rendim drejt cilësisë. Përmbajtja e teksteve duhet përshtatur në kontekstin shqiptar. Zgjedhja e modelit ndikohet edhe nga prirja e kohës. Gërshetimi dhe harmonizimi midis traditës tonë kombëtare të arsimit dhe integrimi me risitë dhe arritjet më të mira që u përgjigjen nevojave të kohës. Ndryshimi kërkon dije dhe arsyetueshmërinë e ndryshimit se pse po e bën ndryshimin. Nevoja e formimit të brezit të ri përmes mendimit shqiptar të traditës arsimore dhe atij bashkëkohës përbën një bazë themelore.
Reformat ndryshojnë sipas vendit dhe kohës, fjala e urtë popullore “sipas vendit bëhet kuvendi” duhet të kihet parasysh në çdo reformë arsimore. Një sistem filtrash përzgjedhës që nga njëra anë të ndihmojë prirjet integruese dhe nga ana tjetër të rivlerësoj më të mirën që është autentike shqiptare. Strategji dhe reforma që të mbartin karakteristika lokale duke ruajtur bazamentin tone kombëtar dhe vlerat e vërteta të trashëguara në arsim. Të synojmë progresin pa humbur fytyrën tonë. Ne kemi një traditë arsimi kombëtar dhe si të tillë duhet ta ruajmë bazën që ka qenë histori suksesi. Ekuilibri midis ruajtjes së një tradite të trashëguar në arsim ndër breza dhe marrjes nga arritjet më të mira të vendeve tjera përbën një sfidë përzgjedhëse. Kemi modele kjo është avantazh, t’i marrim duke i përshtatur me rrethanat e vendit tonë. Sistemi vjen duke u modeluar duke marrë eksperiencën më të mirë të vendeve tjera dhe duke ruajtur nga e kaluara e begatë eksperiencën tonë.
Përgatitja e brezave në epokën digjitale kërkon rikonceptim të tërë sistemi, modernizimi i kurrikulës, metodologjia e mësimdhënies, përshtatja e ifrastrukturës mësimdhënëse, përfitim nga arritjet shkencore të vendeve tjera etj. Nxënësit të shkojnë drejt dijes dhe aftësive funksionale për jetën reale, për t’iu përgjigjur kërkesave të shekullit të 21-të duke u mbështetur në përvojën e vendeve të ngjashme me Shqipërinë.
Idetë e një projekti të dalluar kalojnë në disa faza si:
- Imitimi i ideve ekzistuese;
- Krijimi i ideve të reja;
- Idetë ekskluzive dhe projektet ekskluzive tuajat.
Ne kemi nevojë të prodhojmë një sistem hibrid të gërshetuar si një projekt arsimi ekskluziv tonin për arsimin e së ardhmes. Një projekt ku të gjej vend “parimi i qëndrueshmërisë dhe stabilitetit” i cili përfshinë një plan veprimi kombëtar duke minimizuar luhatjet e reformave afatshkurtra dhe destabilizuese.
Përballja me krizën e të mësuarit kërkon një strategji kombëtare, ndërpartiake, në nivel ekspertësh duke bërë një debat publik për arsimin me përfshirjen e të gjithë aktorëve dhe faktorëve kompetent të mendimit shqiptar si: Akademik, pedagog, mësues, drejtues duke diagnostifikuar situatën dhe identifikuar nevojat reale nga poshtë-lartë që kanë nevojë për ndryshim, duke menduar me kokën tonë të prodhohet mendim për të gjetur zgjidhjen e daljes nga situata e krizës së të mësuarit. Zgjidhje që duhet të vijë nga brenda e jo e telekomanduar nga jashtë.
Përfundime
Mëso vazhdimisht – ka gjithmonë “një gjë më shumë” për të mësuar! Duhet të zgjohemi, të mençurohemi, të hapim sytë, që tani të fillojmë, të ardhme t’bukur të ndërtojmë. Në brendësi të të mësuarit është dija. Fuqia e të mësuarit është një burim i madhe që garanton sukses, zhvillim të gjithanshëm dhe ecje përpara. Qasja jonë ndaj dijes duhet te jetë prioriteti i parë dhe ndryshimi fillon nga vetë ne se si i qasemi dijes dhe të mësuarit. Të mësuarit duhet kultivuar dita-ditës sistematikisht dhe në vazhdimësi me bindjen e padiskutuar se pa ineresim në të mësuar nuk do kemi zhvillim që bazohet tek dija. Të mësuarit është produkti ynë më i rëndësishëm. Suksesi i pothuajse i të gjitha produkteve të tjera varet prej saj. Të mësuarit është garancia më e fortë për një të ardhme të ndritur të Shqipërisë.
“Dhe drita e diturisë përpara do na shpjerë” - Naim Frashëri
Përgatiti Muhamet Selmani, Drejtor i shkollës “Ibrahim Gjorgji” Radomirë, Kala e Dodës, Dibër
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Çdo lloj dhune nuk është bullizëm, por çdo lloj bullizmi është dhunë.
Stop bullizmit te të gjithë!
Bullizmi në shkolla, si mund ta parandalojmë?