BOTKUPTIMI I ADOLESHENTËVE

“Ju lutem më duroni dhe pak!”, letra motivuese e Helen Wingens, sikur atë e ka shkruar një adoleshent...

Nëse keni fëmijët apo nxënësit tuaj në periudhën e adoleshencës atëherë lexoni këtë letër kuptimplotë dhe një ditë, kur mjegulla e adoleshencës të ngrihet, do të gjeni një të rritur të sigurtë, të fortë, kompetent dhe të sjellshëm.

Të dashur babi dhe mami,

Ju lutem më duroni dhe pak!


Nuk mund të mendoj qartë për momentin, sepse më mungon një pjesë e konsiderueshme e korteksit tim parafrontal. Është një pjesë mjaft e rëndësishme, diçka që ka të bëjë me mendimin racional. Dhe nuk do të zhvillohet plotësisht derisa të jem rreth 25 vjeç, gjë që në këtë moment duket tmerrësisht larg…


Truri im nuk është zhvilluar plotësisht


S’ka rëndësi nëse jam i zgjuar; edhe një rezultat i shkëlqyer në testin e matematikës nuk më shpëton nga fazat normale të zhvillimit që kalojnë të gjithë. Mendimi praktik dhe inteligjenca janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme.

Dhe, e njëjta gjë që e bën trurin tim jashtëzakonisht fleksibël, krijues dhe si sfungjer, gjithashtu më bën impulsiv. Jo domosdoshmërish të pamatur apo të pakujdesshëm, por më impulsiv se sa do të jem më vonë në jetë.


Ju lutem më duroni dhe pak!


Pra, kur më ngulni sytë sikur jam bërë me dhjetë kokë pasi kam bërë një "budallallëk" ose nuk kam arritur të bëj diçka "fantastike", vërtet nuk po më ndihmoni.

Ju të rriturit u përgjigjeni situatave me korteksin tuaj parafrontal (arsyen), ndërsa për reagimet e mia më së shumti është përgjegjës pjesa e amigdalës së trurit (emocionet). 

D.m.th kur më pyet se "Ku e kishe mendjen???" Përgjigja është “Nuk po mendoja”, të paktën jo në mënyrën tuaj. Mund të më fajësoni mua, ose Nënën Natyrë, por përsëri, kjo kështu mbetet.

E di që ju më doni shumë, por për mua tani shokët e mi janë më të rëndësishëm. Kuptojeni këtë ju lutem. Tani për tani unë zgjedh miqtë e mi, por, mos u gënjeni për të kundërtën, juve po ju vështroj. Me kujdes.

Ju lutem më duroni dhe pak!


Ja çfarë mund të bëni për mua:


1. Modelimin e të rriturit


Shikoj sjelljet që bëni dhe i dëgjoj të gjitha fjalët që thoni. Ndoshta jo me vëmendje, por ju dëgjoj.  Duket sikur nuk i përfill këshillat dhe jam i rrethuar me mure por veprimet dhe fjalët tuaja depërtojnë. Kjo është sigurt. Nëse vazhdoni të më tregoni rrugën e duhur, unë do ta ndjek atë edhe nëse devijoj shumë herë para se të arrijmë në destinacionin tonë.


2. Më lini t'i kuptoj gjërat vetë


Nëse më lejoni të përjetoj pasojat e veprimeve të mia, unë do të mësoj prej tyre. Ju lutem më jepni pak liri dhe më tregoni se mund t'i zgjidh gjërat vetë. Sa më shumë t'a bëj, aq më shumë siguri do të fitoj.


3. Më tregoni për veten


Më tregoni të gjitha gjërat e çmendura që keni bërë si adoleshent dhe çfarë mësimesh keni nxjerrë prej tyre. Pastaj më jepni hapësirë të bëj të njëjtën gjë.


4. Më ndihmoni me perspektivën


Vazhdoni të më kujtoni tërësinë e pamjes së gjërave. Do zgurdulloj sytë para jush dhe do psherëtij duke shfryrë në çdo lloj forme. Do t'ju bëj të ditur në mënyrë të pasigurt se nuk mundeni të kuptoni asgjë nga ajo që po kaloj. Por, unë po dëgjoj. Me të vërtetë, po. Është e vështirë për mua të shoh diçka përtej shkurreve të këqija në të cilat jam zhytur aktualisht. Më ndihmo të shikoj përtej dhe të përqendrohem në pamjen afatgjatë. Më kujto se ky moment do të kalojë.


5. Me mbani të sigurt


Ju lutem më kujtoni se drogat dhe drejtimi i makinës nuk përzihen. Vazhdoni të më thoni se do të më shpëtoni nga çdo situatë e rrezikshme, pa inat, pa leksione, pa pyetje. Por gjithashtu më bëni të ditur vazhdimisht se jeni aty për të dëgjuar kur kam nevojë për ju.


6. Jini të sjellshëm


Unë do të mësoj mirësinë nga ju dhe nëse jeni të "pamëshirshëm" në mirësinë tuaj ndaj meje, një ditë do ta imitoj atë sjellje. Mos më tallni kurrë, ju lutem, dhe mos u tregoni mizorë. Bëni humor - se unë mendoj se di gjithçka. Me siguri ashtu keni bërë edhe ju në moshën time. Lëreni të kalojë.


Një ditë, kur mjegulla e adoleshencës të ngrihet, do të gjeni një të rritur të sigurtë, të fortë, kompetent dhe të sjellshëm atje ku dikur qëndronte një adoleshent!



Me dashuri, 

Adoleshenti juaj (Adoleshentja juaj)


Burim: Helene Wingens

Helene Wingens

Përktheu: Metoda Aviva

Redaktim: zj. Savjola Konja psikologe


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,520 Lexime
2 vjet më parë