Kujdes!

Ja cilat janë ushqimet më të vështira për t'u tretur

Disa ushqime edhe pse bëjnë pjesë në grupin e ushqimeve të shëndetshme mund të shkaktojnë dhimbje të lehta në stomak, kjo për shkak të vështirësisë që kanë për t’u tretur.

Ushqimet e skuqura përthithin sasi të mëdha yndyre, për këtë mund të shkaktojnë diarre dhe bëjnë që ju të mos ndiheni rehat. Ëmbëlsirat kremoze dhe salcat e yndyrshme mund të shkaktojnë këtë problem.

Në disa raste kur stomaku nuk është mirë, përmbajtja e fibrave te agrumet mund të shkaktojë përshkallëzim të situatës.

Ëmbëltuesit artificialë përdoren gjerësisht në çamçakëz dhe karamele. Nëse tejkaloni masën mund t’ju irritojnë stomakun duke shkaktuar kontraktime dhe fryrje.

Fibrat bimore që gjenden te drithërat e plotë dhe te fruta-perimet janë mjaft të dobishme për tretjen dhe shëndetin. Por, nëse ju konsumoni shumë prej tyre dhe për një kohë të shkurtër, stomaku dhe zorrët mund të pësojnë “shok” dhe të ndjeni fryrje, gazra dhe tension abdominal. Për këtë arsye, konsumi i fibrave duhet të rritet gradualisht.

Fasulet, janë ndër ushqimet më të shëndetshme por, kanë një lloj sheqeri të patretshëm sepse stomaku ynë nuk i përmban enzimat përkatëse. Ky lloj sheqeri përpunohet nga bakteret që kemi në zorrët tona me pasojë çlirimin e gazrave. Nëse doni ta evitoni këtë efekt anësor të fasuleve, thjeshtë lërini ato në ujë për 24 orë përpara se t’i gatuani. Ujin e derdhni.

Lakra, lulelakra, brokoli, përmbajnë të njëjtin sheqer të patretshëm si fasulet, duke i bërë ato shkaktare njësoj për gazra të sikletshëm. Për ta evituar këtë fenomen mund të gatuani pak në ujë të valuar.

Fruktoza, ky lloj sheqeri përmbahet me shumicë te mjalti dhe te ëmbëlsira të ndryshme si karamelet. Mund të shkaktojë kontraksione, diarre dhe diskomfort nëse bie me shumicë në stomak bosh.

Disa njerëz mund të kenë probleme me tretjen ose refluks pas konsumit të ushqimeve pikante, djegëse. Kapsikaina që gjendet te speci djegës mund të jetë fajtori kryesor.

Bulmeti, kryesisht qumështi, është një ndër produktet ushqimore përgjegjës për intolerancë më të zakonshme që është ajo ndaj laktozës. Zakonisht nënproduktet e tij janë më mirë të tolerueshme. Nëse ekziston kjo intolerancë, konsumi i qumështitshoqërohet me diarre, spazma dhe dhimbje. Evitoni krejtësisht qumështin dhe tentoni me kujdes nënproduktet e tij.

Kafja dhe çokollata mund të irritojnë mukozën e sipërfaqes së stomakut me pasojë ndjesinë e djegies. Kjo mund të evitohet me rënie në peshë, konsum të sasive të kufizuara dhe evitimin e shtrirjes menjëherë pas ngrënies.

(Blerina Bombaj)

2,874 Lexime
8 vjet më parë