Iliada (Kënga VI) – Homeri, test i mbështetur mbi komentet e çelësit të Letërsisë dhe Gjuhës shqipe
Ky është një model testi në lëndën e letërsisë i cili u vjen në ndihmë maturantëve për provimin në këtë lëndë. Ai është hartuar sipas modelit të testeve të Çelësit të Letërsisë dhe Gjuhës shqipe për Maturën Shtetërore, Albas. Në test trajtohet Kënga VI e veprës Iliada nga Homeri.
TEST
Homeri- Iliada
Kënga VI – Fragment
…….Kur Hektori sosi,
atje përpara i doli e ëma e dashur
me vajzën më të bukurën Laodikën.
Për dore e kapi dhe i tha me emër:
“Pse erdhe, bir, dhe e le luftën e gjakshme?
Fort po na lodhin danajt e urryer
duke luftuar rreth kalasë; ty ndoshta
ndonjë dëshirë e zjarrtë të shtyu të vish
majë qytezës të ngresh duart nga Zeusi.
Prit, shpirti i nënës, të sjell verë si mjalti,
si të kesh njomur atin Zeus së pari
dhe zotat e tjerë, pastaj pi vetë të përtërihesh,
njeriut t’molisun vera i forcon shpirtin,
ti je këputur duke mbrojtur shokët.”
Ia priti i madhi Hektor tarogzëtundësi:
“Verë mos më nxirr, o nënë shumë e nderuar,
në daç gjymtyrët t’mos më shkrehen fare,
e të mos humb trimërinë dhe forcën.
Me duar ndoshta nuk guxoj të njom
me verë të pastër atin Zeus, s’lejohet
n’asnjë mënyrë përlyer me gjak e pluhur
të eprit atë, që vrenjt e kthiellt, t’i lutem.
Por ti në tempull të Athinë pretares
shko me timjan e mblidh zonjat e rënda.
Dhe një nga velat, që ke më të madhin
dhe më të bukrin, që t’pëlqen më tepër
nga paja jote, Athinës flokëpraruar
vërja në prehër; taksi perëndeshës
dymbëdhjetë mëzorë motakë në zgjedhë pa mbrehur,
për t’ia bërë fli të mishërojë qytetin...
............................................
U nis, dhe pas zonjat e rënda e ndoqën.
E kur arritën n’tempullin e Athinës
në majë t’ kalasë, ua çeli dyert Teania,
bija e Kiseut me faqe trëndafili..
.................................................
Me britma e klithma t’gjitha gratë njëherësh
duart lart i ngritën nga Athina Pallada.
.........................................................
“O zonja Athinë, o mbrojtëse e mbarë qytetit,
që më hyjnorja je në gjithë hyjneshat,
dërrmoje heshtën e Diomed mizorit
dhe atë përmbyse para dyerve Skee!
.....................................
S’e kreu fjalën dada, dhe Hektori
Vrik jashtë shtëpie brodhi rrugëve t’bukura .................................................
Atje i doli para
Me vrap e shoqja Andromaka, e bija
e Etion shpirtmadhit, që shumë pajë i pruri.
........................................................................
Ai, duke i hedhur sytë nga i biri, i heshtur,
i buzëqeshi, ndërsa Andromaka
lot duke derdhur iu qas burrit pranë,
për dore e kapi dhe i tha me emër:
“Gjithë ky guxim, o i shkretë, do të hajë kokën.
S’i s’ke pak dhimbje për tënd bir ferishte
as për mua korbën, që pa ty së shpejti
do mbesë e ve, pse për mbi ty mbarë danajt
do të vërsulen për ta shuar jetën.
Si të rroj pa ty? Për mua më mirë do t’ishte t’hyj gjallë në dhe. Kur të vdesë ora jote,
asnjë shpresë jetën s’do ma ngrohë, veç brengat...
- Veç ti m’ke mbetur,
Hektor, veç ty të kam babë e nënë të’nderuar
Të kam vëlla e burrë në lule t’moshës
Prandaj tani për mua je gjithçka.
Rri këtu në pirg, jetim mos e lër djalin
As mua të ve.
Ia priti i madhi Hektor tarogzëtundësi:
“Të rri këtu fort ma ka ënda o grua,
por mua turpi më zë nga trojanët
dhe gratë trojane hijerënda të veshura,
t’i dredhoj luftës e të rri larg i si dobëti.
..................................................................
Por mua më mirë nën dhe më mbuloftë mortja
Se të ndiej klithmat e robërisë tënde...
Dhe atëherë grykas loçkën e vet e mori
e puthi ëmbël dhe në duar e tundi.
Dhe iu lut Zeusit e hyjnive të tjera:
“O ati Zeus, dhe zota të tjerë, ju bëfshi
që edhe im bir të ndahet n’shenjë ndër teukër
si unë, trim i fortë e i plotfuqishëm
n’Ilion sundoftë e ku nga lufta t’kthehet
ngarkuar me plaçka larë n’gjak t’armikut
të thotë ndokush: “Më trim se ai doli”.
Rrethoni alternativën e saktë.
1. Në këto vargje mbizotërojnë notat:
a. dramatike,
b. lirike,
c. heroike,
ç. tragjike,
d. të gjitha së bashku.
2. Fragmenti karakterizohet nga pasioni, si dhe mbizotërojnë ndjenja, të tilla si:
a. mëria/xhelozia,
b. dashuria/dhimbja,
c. urrejtja/përulja.
3. Ku ndodh ngjarja në fragment?
a. në pallatin e Priamit;
b. në sheshluftë;
c. në çadrën e grekëve;
ç. në pallatin e Priamit dhe në tempullin e Athinës.
4. Lutja në tempullin e Athinës bëhet për të:
a. nderuar zotat;
b. mbrojtur qytetin;
c. treguar ndikimin e zotave në fatin njerëzor;
ç. treguar zakonet dhe mënyrën e jetesës;
d. të gjitha së bashku.
5. Lufta për të cilën flitet në fragment zhvillohet mes:
a. danajve dhe teukërve
b. grekëve dhe trojanëve,
c. të gjitha së bashku.
6. Atmosfera është në fragment është:
a. e nderur dhe konfliktuale,
b. tragjike dhe pesimiste,
c. dramatike me nota të heroizmit,
ç. e paqtë, por e dhimbshme.
7. Trajtat rrëfimtare në fragment karakterizohen nga:
a. dialogu dhe rrëfimi,
b. rrëfimi në vetën III,
c. monologu,
ç. rrëfimi dhe përshkrimi.
8. Një nga teknikat rrëfimtare e përdorur në fragment është:
a. digresioni,
b. parandjenja (parashikimi),
c. episodi,
ç. retrospektiva.
9. Në fjalët e nënës se Hektorit ndihet:
a. qortim,
b. krenari,
c. keqardhje,
ç. dashuri.
10. Cili nga vargjet mbart parashikimin e Andromakës?
a. Gjithë ky guxim, o i shkretë, do të hajë kokën;
b. ty ndoshta ndonjë dëshirë e zjarrtë të shtyu të vish/majë qytezës të ngresh duart nga Zeusi;
c. O ati Zeus, dhe zota të tjerë, ju bëfshi/që edhe im bir të ndahet n’shenjë ndër teukër.
11. Figura dhe mesazhet e Hektorit si kryetrojan marrin kuptim e vlerë, kur del në mbrojtje të:
a. gruas së vet,
b. birit të vet,
c. trojanëve,
ç. të gjitha së bashku.
12. Çfarë nënkupton vargu: që edhe im bir të ndahet n’shenjë ndër teukër?
a. Hektori dëshiron që i biri të ndahet nga trojanët;
b. Hektori uron që i biri të shquhet mes trojanëve si më i zoti;
c. Hektori uron që trojanët ta përçmojnë të birin.
13. Mes fjalëve të nënës së Hektorit dhe gruas së tij ka dallim. Ty dyja së bashku e orientojnë personazhin drejt:
a. famës e bëmave heroike;
b. nderit e bëmave heroike;
c. turpit e dashurisë për familjen;
ç. nderit, bëmave heroike e dashurisë për familjen;
d. asnjëra nga alternativat.
14. Në vargjet e mëposhtme ndihet stili i të folurit, karakteristikë për heronjtë në Antikitet, i cili është:
Të rri këtu fort ma ka ënda o grua,
por mua turpi më zë nga trojanët
dhe gratë trojane hijerënda të veshura,
t’i dredhoj luftës e të rri larg i si dobëti.
a. i lartë,
b. i ulët,
c. i mesëm,
ç. të gjitha së bashku.
15. Me cilin nga heronjtë e krijimtarisë sonë popullore ngjan Hektori në këtë fragment?
a. Muji dhe Halilin,
b. Gjergj Elez Alinë,
c. Skënderbeun,
ç. asnjëra prej alternativave.
16. Ç’nënkupton fjala loçkë në vargjet e mëposhtme?
Dhe atëherë grykas loçkën e vet e mori
e puthi ëmbël dhe në duar e tundi.
a. Gruan,
b. djalin,
c. nënën,
ç. të gjitha së bashku.
17. Në cilin prej vargjeve të mëposhtme është përdorur kontrasti:
a. Të rri këtu fort ma ka ënda o grua, /por mua turpi më zë nga trojanët;
b. njeriut t’molisun vera i forcon shpirtin,/ti je këputur duke mbrojtur shokët;
c. Si të rroj pa ty? Për mua më mirë do t’ishte t’hyj gjallë në dhe.
18. Në fragment shprehet përjetimi i dhimbjes së Andromakës në përmasa dramatike e tragjike. Këto përmasa lidhen me faktin se:
a. dhimbja është e pashmangshme;
b. lufta dhe fati tragjik i heroit janë të pashmangshme;
c. mbrojtja dhe nderi i Atdheut është i pashmangshëm.
19. Cila nga figurat e shqiptimit poetik është e pranishme në vargjet e mëposhtme?
O zonja Athinë, o mbrojtëse e mbarë qytetit,
që më hyjnorja je në gjithë hyjneshat,
dërrmoje heshtën e Diomed mizorit
dhe atë përmbyse para dyerve Skee!
a. Pyetja retorike,
b. apostrofa,
c. epanastrofa,
ç. asnjëra.
20. Përdorimi i ligjëratës së drejtë në rrëfimin e ngjarjes:
a. thyen trajtën rrëfimtare për të mos e bërë rrëfimin të mërzitshëm;
b. i jep rrëfimit objektivitet;
c. krijon distancë mes rrëfimtarit dhe ngjarjes;
ç. afron lexuesin me ngjarjen, e bën ta përjetojë më afër atë;
d. të gjitha së bashku.
21. Shpesh emrave të personazheve, për të treguar cilësitë e tyre, autori u bashkëngjit fjalë përcaktuese, që janë:
a. metafora,
b. epitete,
c. krahasime,
ç. hiperbola.
22. Vargu që e karakterizon fragmentin është;
a. varg 10-rrokësh me rimë,
b. varg 11-rrokësh i bardhë,
c. varg 8-rrokësh me rimë,
ç. varg i thyer i bardhë.
23. Iliada është poemë:
a. epike-lirike,
b. liriko-epike,
c. epike,
ç. dramatike.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Njohuri për tekstin joletrar: teksi informues, përshkrues dhe argumentues
Model testi Matematikë, Matura Shtetërore 2022
Analizë e veprave letrare, klasa XII