Hamleti (Oda e Mbretëreshës)-Uilliam Shekspir, test i mbështetur mbi komentet e çelësit të Letërsisë dhe Gjuhës shqipe
Ky është një model testi në lëndën e letërsisë i cili u vjen në ndihmë maturantëve për provimin në këtë lëndë. Ai është hartuar sipas modelit të testeve të Çelësit të Letërsisë dhe Gjuhës shqipe për Maturën Shtetërore, Albas. Në test trajtohet Hamleti (Oda e Mbretëreshës) e Uilliam Shekspir.
Test për maturantët në lëndën e letërsisë.
Fragment nga Hamleti i Uilliam Shekspir, Oda e Mbretëreshës, Akti III, Skena e IV
...
Fantazma
Shpëtomëni, mbulomëni me krahët,
O ëngjëj gardianë! Ç’do, o shpirt?
Mbretëresha
E mjera unë! Ësht i lojtur mëndsh!
Hamleti
Mos vjen që të qortosh tët bir të vonët,
Që humbet kohën duke çfryr’ e s’vë
Në veprim detyrën e tmerruar?
Oh, thuaj!
Fantazma
Mos harro; kam ardhur vetëm
Të mpreh qëllimin, që t’u mpi pothuaj.
Po shih, jotëm’ e humbi krejt toruan;
Oh, hyr në mes të shpirtit të saj luftues!
Sugjestja1) punon fort në të sëmurët,
Pra, foli, Hamlet.
Hamleti
Nënë, ç’ke?
Mbretëresha
E mjera unë, ti më thua ç’ke,
Që zbrazëtirës syrin ia mbërthen
Dhe bisedon me erën që s’ka formë?
Shkëndija t’egra të lëshojnë sytë,
Dhe si ushtarëve të zgjuar në kushtrim,
Të ngrihet qim’ e kokës gjemb përpjetë,
Si gjë e gjallë! O i dashur bir,
Në flak’ e nxehtësi të turbullimit
Spërkat durim të flladët. Ku shikon?
Hamleti
Mbi të, mbi të! Shih, sa i zbehtë duket!
Fytyr’ e çështj’ e tij mund të lëviznin
Dhe gurët vetë! Ah, mos më shiko,
Se syri yt i dhembshur mund t’a zbutë
Vendimin e egër që të kam caktuar
E t’ia këmbejë ngjyrën: lot për gjak!
Mbretëresha
Kujt po i flet ashtu?
Hamleti
S’po sheh asgjë atje?
Mbretëresha
Asgjë, dhe shoh çdo gjë që ka këtu.
Hamleti
As s’e dëgjove kur më foli?
Mbretëresha
S’dëgjova tjetër përveç nesh të dy.
Hamleti
Për zotin, shih atje, shih qysh largohet;
Im at’ i veshur, si kur ish i gjallë;
Shih, qysh po ikën, ja tanith, nga porta!
(Del Fantazma)
Mbretëresha
Ky është thjesht prodhim i trurit tënd;
Fantazma jote është mëndjeshkrepje.
Hamleti
Si? Mëndjeshkrepje!
Si yti, pulsi im troket me rregull,
Me ritëm të shëndoshë; s’janë marrëzi
Ato që fola; vërmë në provim,
Dhe do t’i përsërit fjalë për fjalë,
Gjë që s’e bën dot mëndjeshthururi,
Për zotin, nënë, për të mirën tënde,
Mos e gënje me përkëdhelje shpirtin,
Që të flet gjoja marrëzia ime;
Kështu do ta mbulosh me cipë plagën,
Po qelbi fryhet tinës, i shkallmon
Të gjitha brenda. Hapja zemrën qiellit;
Pendohu nga të pritmet; mos përhap
Më tepër plehë për të rritur barëra.
Ma ndje virtytin; se në kohën tonë
Të ngjallme e shpirtrash’ u dashka vetë
Virtyti t’i kërkojë ndjesë vesit,
T’ulet, t’i lutet që t’i bëjë mirë.
Mbretëresha
O Hamlet, mu në mest ma çave zëmrën.
Hamleti
Oh, hidhe tutje pjesën më të keqe
Dhe rro me gjysmën tjetër më të pastër.
Natën e mirë! Me tim ungj2) mos fli!
Bëj të virtytmen, edhe në mos qofsh...
S’dëgjova tjetër përveç nesh të dy.
1 sugjestja : sugjestionimi
2 ungj: xhaxha
Rrethoni përgjigjen e saktë
1. Konflikti në tragjedinë Hamleti krijohet nga:
a. krimi i antagonistit/ hakmarrja e protagonistit;
b. përplasja e interesave mes protagonistit dhe antagonistit;
c. krimi i protagonistit/hakmarrja e antagonistit.
2. Ç’përfaqëson Hamleti?
a. Thelbin i njeriut kompleks në të gjitha kohërat;
b. përpjekjen për të kuptuar dilemën ekzistenciale njerëzore;
c. simbiozën e kontradiktës shpirtërore njerëzore;
ç. të gjitha së bashku.
3. Cilat gjetje artistike përdor Shekspiri për të zbuluar thelbin e qenies njerëzore?
a. Krijon tension tragjik përmes krimit që prish të gjithë ekuilibrat;
b. krijon një situatë të pezullt me anë të elementit magjik-fantastik;
c. krijon gracka për antagonistin përmes marrëzisë së protagonistit dhe çmendurisë së të dashurës së tij;
ç. të gjitha së bashku.
4. Cila nga alternativat shpreh mesazhin e tragjedisë?
a. Vepra ngre lart kultin e njeriut të pajisur me virtyte e moral të fortë;
b. dëshmon luftën e njeriut kundër së keqes;
c. godet luftën kundër krimit dhe padrejtësive;
ç. godet shoqërinë e kalbëzuar njerëzore me gjithë veset e saj;
d. të gjitha së bashku.
5. Cilat nga arsyet e mëposhtme e bën Ofelinë figurë tragjike:
a. përfaqëson gruan e cila nuk ka një pozicion të qartë në shoqëri;
b. nuk është në gjendje të kuptojë Hamletin;
c. është e pastër shpirtërisht dhe pa vese;
ç. dashuron me shumë pasion Hamletin;
d. vetëvritet, kur nuk përballon më dhimbjen e dashurisë;
dh. të gjitha së bashku.
6. Në monologun e famshëm të Hamletit, bie në sy aftësia e tij për të analizuar dhe për të shtruar dilema. Ky monolog është dëshmi se Hamleti:
a. është në krizë intelekti;
b. nuk vlerëson drejt situatën në të cilën ndodhet;
c. zgjidh dilemat me veprime të shpejta e të nxituara.
7. Themi që ky monolog shpreh gjithë ankthin metafizik të njeriut të çdo kohe, sepse Hamleti:
a. ka shpirt kontradiktor;
b. është pafundësisht në kërkim të së vërtetës;
c. kërkon të zgjidhë dilemën njerëzore: “ç’është jeta”;
ç. simbolizon fatin ironik të njeriut, i cili përpara individuales vendos t’i përgjigjet detyrave kolektive (si: nderi, familja, shteti, shoqëria);
d. ashtu si njeriu i ditëve të sotme, lufton i vetëm kundër të tërëve;
dh. të gjitha së bashku.
8. Atmosfera në fragment mbart:
a. nota optimizmi e alegorie mes personazheve;
b. elemente të paqes e ëndërrimit të personazheve;
c. tension të psikologjik në përjetimet e thella të personazheve;
ç. asnjëra prej tyre.
9. Skena mes Hamletit e Gertrudës na shfaqet e përmbysur. Kjo përmbysje vjen sepse:
a. personazhet kanë ndërruar rolet;
b. Gertruda thërret Hamletin për ta qortuar;
c. Hamleti qorton Gertrudën dhe ngre dyshime për vdekjen e të atit;
ç. fantazma qorton Hamletin për shmangien nga qëllimi;
d. të gjitha së bashku.
10. Në vargun: Të mpreh qëllimin, që t’u mpi pothuaj, figura letrare është:
a. metaforë emërore,
b. epitet metaforik,
c. metaforë foljore,
ç. shprehje metaforike.
11. Situata e pezullt në fragment krijohet artistikisht nga:
a. dialogu mes personazheve,
b. tensioni psikologjik,
c. futja e fantazmës,
ç. sjellja e çuditshme e Hamletit.
12. Shfaqja e fantazmës së mbretit është dëshmi e:
a. prishjes së ekuilibrave universalë, është përzier bota e gjallë me të vdekurit;
b. besimit te bota magjike e fantastike;
c. ndikimi nga Antikiteti grek-romak e nga folklori;
ç. asnjëra prej alternativave.
13. Në vargjet: Si yti, pulsi im troket në me mjegull/ me ritëm të shëndoshë; s’janë marrëzi, ku flitet për funksionimin fiziologjik të organeve të trupit të njeriut, theksohen veçori të kësaj periudhe letrare:
a. Antikitetit greko-romak,
b. Humanizmit e Rilindjes Europiane,
c. Mesjetës,
ç. Romantizmit Europian.
14. Në dialogun mes Hamletit dhe Mbretëreshës dalin dy variante të së vërtetës. Cila prej tyre është e duhura?
a. Mbretëresha thotë të vërtetën si duket;
b. Hamleti thotë të vërtetën siç është;
c. asnjëra prej tyre.
15. Fantazma është pasojë e:
a. një imagjinate të shfrenuar;
b. një konflikti të lindur nga etja për pushtet;
c. një njeriu të sëmurë psikologjikisht;
ç. një veprimi të kryer: vrasjes së mbretit.
16. Shekspiri përdor si teknikë rrëfimtare nxjerrjen në skenë të fantazmës, sepse:
a. kërkon të nxisë imagjinatën e lexuesit;
b. plotëson skenën me elemente mistike e fantastike;
c. e përdor për të rrëfyer krimin e bërë;
ç. i mungon një personazh dëshmitar i gjallë;
d. kërkon të nxisë më tej zhvillimin e konfliktit në vepër;
dh. të gjitha së bashku
17. Hamleti e luan shumë mirë rolin e tij, sa në tragjedi është e vështirë të dallohet nëse ai shtiret apo është vërtet i marrë. Çfarë e ka sjellë shpërfytyrimin e Hamletit, deri edhe atë fizik?
a. Ambicia për pushtet,
b. instinkti i hakmarrjes,
c. sëmundja e tij psikologjike,
ç. asnjëra nga alternativat.
18. Cili është vargu që kulmon kjo gjendje e tij:
a. zbrazëtirës syrin ia mbërthen;
b. shkëndija t’egra të lëshojnë sytë;
c. të ngrihet qim’ e kokës gjëmb përpjetë, si gjë e gjallë;
ç. të gjitha së bashku.
19. Në vargjet: Vendimin e egër që të kam caktuar/ E t’ia këmbejë ngjyrën: lot për gjak, epiteti metaforik vendimin e egër ngrihet mbi një figurë tjetër, që është:
a. krahasim,
b. sinekdokë,
c. metonimi,
ç. kontrast.
20. Ligjërimi i Hamletit ndryshon nga ai i nënës së tij nga:
a. ngjyrimi emocional i shprehjes;
b. përdorimi i analogjive;
c. përdorimi i fjalëve pa kuptim.
21. Hamleti është hero humanist, të cilin e bën të tillë fakti që:
a. i shërben njerëzimit me veprimtarinë e tij heroike;
b. ngrihet kundër moralit të gënjeshtër të kohës, duke kaluar nga plani individual në atë shoqëror;
c. kryen aksione të mëdha me vlera shoqërore, duke shfrytëzuar dijen e madhe që zotëron.
22. Njerëzve të virtytshëm si Hamleti, u shkakton vuajtje:
a. zhvillimi i vrullshëm i botës,
b. polarizimi shoqëror,
c. veset, krimi dhe imoraliteti,
ç. ambicia për pushtet.
23. Në vargun: Oh, hidhe tutje pjesën më të keqe/ dhe rro me gjysmën tjetër të pastër, kemi figurën e shqiptimit poetik të:
a. apostrofës,
b. epanastrofës,
c. pyetjes retorike,
ç. thirrorit (pasthirrmës).
24. Mesazhi humanist që bartin vargjet e mësipërme është:
a. te njeriu gjendet e mira dhe e keqja, por duhet ushqyer e mira, që të bëhet pastrimi i shoqërisë;
b. e keqja është ajo nga e cila njeriu do të vuajë gjithmonë, pavarësisht së mirës;
c. njeriu mëson nga modelet gjatë gjithë jetës.
25. Getruda është viktimë si:
a. si grua dhe si nënë,
b. vetëm si bashkëshorte,
c. vetëm si grua.
Shëno e vërtetë (V), e gabuar (G)
26. Hamleti emërtohet tragjedi, por brenda saj ka një gërshetim të llojeve poetike.
a. Lirika e dashurisë,
b. komikja,
c. fantastikja dhe misteri,
ç. poezia e lartë tragjike,
d. poezia elegjiake,
dh. dialogu i shpejtë dramatik.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Test i mbështetur mbi komentet e çelësit të Letërsisë dhe Gjuhës shqipe (Fausti-Kopshti)
Modele testi për provimin e pranimit në Universitetin e Mjekësisë
Viktor Hygo - Katedralja e Parisit (Kllapia), test i mbështetur mbi komentet e çelësit të Letërsisë dhe Gjuhës shqipe