Gratë, këto krijesa kaq të veçanta
Gratë, këto krijesa kaq të veçanta janë një mister çdo ditë i hulumtueshëm. Në çdo cilësi unë shoh secilën prej jush. Jeni frymëmarrja e jetës!
Jeta është e mbushur me gjurmët e shpirtit të tyre. Mirësia ka simbol buzëqeshjen e tyre, surprizat lundrojnë nëpër fantazitë e mendjes së tyre. Fëmijët rriten me anë të dashurisë që ato dinë ta japin në një mënyrë shumë unike. Miqësia mes tyre është e freskët dhe e ëmbel si mjalt i kulluar që shëron plagët e shpirtit.
Ato dinë të qajnë dhe të qeshin; dine të duan dhe të... duan sërish, dinë të këndojnë e të vallëzojnë si ëngjëjt, dinë të gezohen dhe të trishtohen edhe për gjëra fare të vogla. Dinë të puthin e të përkëdhelin, nuk të puthin po si përkëdhele.
Dinë të falin edhe kur nuk është për të falur; dinë të durojnë edhe kur durimit i ka afruar afati i skadencës. Dinë të gatuajnë edhe kur frigoriferi ka vetëm kos; dinë të qepin edhe kur modeli që ti do ka dalë jashtë mode me kohë. Dinë të të dëgjojnë edhe pse vdesin që të tjerët t’i dëgjojnë ato.
Dinë të të lavdërojnë edhe pse ti je për tu zënë me shpulla; dinë të kombinojnë ngjyrat edhe pse ty me ngjyrën e shpirtit të shkon vetëm “jeshilja zhuzhak”. Dinë të të lënë të pushosh, ndonëse vdesin për pak gjumë në drekë. Dinë të thonë që nuk dinë çdo gjë dhe janë të vullnetshme për të mësuar gjëra të reja.
Dinë të ruajnë sekretet më të thella dhe dinë të bëjnë surprizat më të paimagjinueshme. Dinë të të bëjnë të ndihesh i veçantë dhe dinë të të bëjnë që të kompozosh këngë për to. Dinë të kursejnë dhe dinë di të shpenzojnë të gjitha kursimet për një cingërrimë të momentit.
Dinë të të inkurajojnë dhe kur shpirti i tyre qan nga lëndimi. Dinë të të sjellin në jetë e Zoti i mëson si të të mbajnë të shëndetshëm në këtë jetë. Dinë të të mësojnë të flasësh e ndonjëherë nuk dinë si të shprehen ngaqë ndiejnë kaq shumë.
Gratë, këto krijesa kaq të veçanta janë një mister çdo ditë i hulumtueshëm.
Në çdo cilësi unë shoh secilën prej jush. Jeni frymëmarrja e jetës!
Me admirim e dashuri,
Edi Gogu.
(Edi Gogu për Portalin Shkollor)
Prindër, kuptoni fëmijën tuaj dhe respektoni punën e mësuesit!
Çdo lloj dhune nuk është bullizëm, por çdo lloj bullizmi është dhunë.
10 mendime të Maria Montessori-t për të edukuar fëmijët me shumë dashuri