MËSUESI PËRBALLË SISTEMIT

Film me metrazh të shkurtër “Përgjigjet alternative në matematikë”

Ju ftojmë të ndiqni një film me metrazh të shkurtër, nga i cili nxirren disa mesazhe, apo nënkuptohen disa probleme të sistemit “modern” arsimor.

Një nxënës, në matematikë jep përgjigje të gabuar. Mësuesja butësisht ia vë në dukje, por sistemi (drejtori, komisioni, prindërit, media, shoqëria) e dënon, duke i thënë mësueses se duhet të jetë e hapur dhe duhet të pranojë si të sakta të gjitha përgjigjet. Ndaj shtrohen pyetjet: 


- Deri ku ka të drejtë nxënësi?

- Deri ku duhet t’ia vërë në dukje gabimin mësuesi? 

- A po shkelet integriteti akademik?

- A po i japim më shumë liri se çduhet nxënësve?

- A po keqedukojnë prindërit, duke i përkedhelur nxënësit? 

- A di drejtori të vlerësojë punën e një mësuesi? 

- A e kamuflon media të vërtetën? 

- Ku ka përfunduar respekti ndaj mësuesit? 


(Më poshtë do të gjeni titrimin e filmit në gjuhën shqipe; videon e filmit e gjeni në krye të këtij artikulli) 


Dita e hënë


Mësuesja: Oh, përshëndetje Deni! Futu brenda. Mesa duket ke pak probleme me mbledhjen. Mos u mërzit. Jemi këtu për të mësuar dhe ne mësojmë nga gabimet. Të gjithë gabojnë.


Nxënësi: Jo


Mësuesja: Le të shikojmë këtë pyetjen, sa bëjnë dy plus dy? Ti ke shkruar 22. Kur mbledhim, nuk i vendosim numrat njëri pas tjetrit. Nëse marr dy lapsa në një dorë dhe dy lapsa në dorën tjetër, sa lapsa kam gjithsej?


Nxënësi: 22 


Mësuesja: Jo, Deni, janë katër. 



Dita e martë


Prindërit: Jemi prindërit e Denit.


Mësuesja: Përshëndetje, po hyni ju lutem. Mos u shqetësoni. Është shumë normale për një fëmijë të ndjejë frustrim, teksa përballet me vështirësi në një lëndë. Ne bëmë një test. Njëra nga pyetjet ishte sa bëjnë dy plus dy. Deni kishte dhënë përgjigjen 22. 


Prindërit: Edhe?


Mësuesja: Nuk është një përgjigje e saktë. 


Prindërit: Sipas kujt? 


Mësuesja: Sipas matematikës. 


Prindërit: Po e quan fëmijën tim budalla? 


Mësuesja: Sigurisht që jo. 


Prindërit: Kush je ti për t’i thënë fëmijës tim nëse e ka saktë apo gabim? Mos je gjë në prag pensioni? (Ofendimet vazhdojnë…..)


Mësuesja: Unë nuk e vazhdoj më këtë bashkëbisedim. 


Prindërit: Do të ankohemi në drejtori. 



Dita e mërkurë


Drejtori: Dje keni patur debate me prindërit e njërit prej fëmijëve. Kur gjërat të dalin nga kontrolli, unë dua të më lajmërosh. 


Mësuesja: Sigurisht. Si mendon se duhet përballuar kjo situarë? 


Drejtori: Mendoj që duhet t’i kërkosh falje.


Mësuesja: Falje?? Mamaja e tij më goditi, i ati më ofendoi. 


Drejtori: Por, ti i the Denit, që përgjigja e tij ishte e gabuar. 


Mësuesja: Sepse ashtu në fakt ishte. 


Drejtori: Nuk është detyra jonë t’u themi nxënësve kur e kanë mirë apo keq. 


Mësuesja: Atëherë cila është puna jonë? 


Drejtori: Sjellja jote nuk është në rregull, sepse ti nuk je mësuesja “superstar” që duhet të ndryshosh botën. 



Dita e enjte


(Në shkollë zhvillohet protestë për këtë ngjarje dhe mësuesja vihet përpara një komisioni)


Komisioni: Ju lutem, Zonja Wells, uluni. Ju keni shkaktuar stres tek një minoren dhe trazira të shumta. 


Mësuesja: Thjesht i thashë një nxënësi që dy plus dy bëjnë katër. 


Komisioni: Duam që ta rimendosh. Mund të ketë disa përgjigje të sakta. 


Mësuesja: Kjo nuk është e vërtetë. Është një budallallëk. Vetëm një përgjigje është e saktë në këtë rast. 


Komisioni: Duhet t’i rimendosh këndvështrimet e tua ekstremiste, në të kundërt je e pushuar. 


(Mësuesja e shikon veten në çdo kanal televiziv. Çdo kanal po transmetonte “skandalin” e saj, duke thënë “Një mësuese e shkollës fillore, u kap duke shkelur të drejtat e një fëmije. Kjo mësuese i thotë fëmijës se përgjigja e tij është e gabuar dhe vetëm përgjigja e saj është e saktë. Ekspertët janë të dyjëzuar. Disa thonë se dy plus dy bëjnë katër dhe disa mendojnë se bëjnë 22”.


Pas pak, mësuesja merr një telefonatë, ku i thuhet se të nesërmen duhet të japë dorëheqjen, për të mirën e të gjithëve).



Dita e premte


(Kur mësuesja hyn në shkollë, shikon para vetes shumë media e gazetarë)


Drejtori: Faleminderi që erdhe dhe më vjen keq që nuk u treguat mendjehapur


Mësuesja: Po integriteti i matematikës, integriteti akademik? 


Drejtori: Je e pushuar, por ne do t’i përmbushim të gjitha detyrimet financiare. 2000 dollarë për periudhën e shkuar dhe 2000 dollarë për këtë semestër. Bëjnë 4000 dollarë. 


Mësuesja: Gabim. Bëjnë 22000 dollarë. :) 

Përktheu Parajsa Shtini

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

4,645 Lexime
3 vjet më parë