Eksperti i arsimit, Fiqiri Çifliku: Teknologjia dhe mirëqenia e fëmijëve si kambanë alarmi në Ditën Botërore Të Shëndetit Mendor
"Rastet e vetëlëndimit të nxënësve duhet të trajtohet si alarmante dhe të evidentojë maksimalisht dhe urgjentisht nevojën për veprim psikologjik nga të gjithë aktorët që kanë detyrimin dhe mundësi të bëjnë këtë. E kjo më së shumti mund të ndodh në shkollë".
Nga Fiqiri Çifliku, ekspert arsimi
Rasti i vetëlëndimit të nxënësve në Gjakovë ka rritur shqetësimin edhe në Shqipëri në komunitetin shkollor dhe jo vetëm. Tri nxënëse janë vetëlënduar si pasojë e një sfide të rrezikshme në rrjetin social Tik-Tok. Sipas raportimeve rasti konsiderohet si "shtytje në vetëvrasje". Ndërkohë sipas të dhënave, janë identifikuar gjithsej 19 raste të vetëlëndimit në shkollat e Kosovës, dhe janë marrë masa të menjëhershme për të ndaluar përdorimin e telefonave në mjediset e shkollës.
Muaj më parë ka filluar të qarkullojë një lojë e rrezikshme në Tik-Tok, “Sfidë apo e vërtetë”, e cila nxiste sjelljet vetë dëmtuese të fëmijëve.
Kjo situatë duhet të trajtohet si alarmante dhe të evidentojë maksimalisht dhe urgjentisht nevojën për veprim psikologjik nga të gjithë aktorët që kanë detyrimin dhe mundësi të bëjnë këtë. E kjo më së shumti mund të ndodh në shkollë, me ndihmën e shërbimit psikosocial, oficerit të sigurisë, mësuesit kujdestar por edhe çdo punonjësi tjetër arsimor.
Raste të ngjashme kemi përjetuar më parë edhe në Shqipëri dhe i referohen “Balenës Blu”. Prindërit dhe mësuesit duhet të krijojnë një mjedis të sigurt për fëmijët e tyre dhe tu japin mundësi që ata të shprehin lirshëm për atë që mendojnë. Shpesh jemi ne shkaku që fëmijët nuk flasin as në shtëpi dhe as në klasë e ca më shumë të shkojnë tek psikologu i shkollës për të shprehur shqetësimet që kanë.
Edukimi mbi rreziqet e mediave sociale është thelbësor për të parandaluar sjelljet që ndikojnë në shëndetin e fëmijëve. Kjo situatë kërkon sot më shumë se kurrë funksionimi me kapacitet maksimal të shërbimit psikosocial në shkolla për të siguruar mbështetje psikologjike. E ca më shumë duhet të mendojmë për ndikimin e teknologjisë në shëndetin mendor të fëmijëve sot që gjerësisht e kemi të shpërndarë dhe fëmijët sapo lindin bashkëjetojnë me teknologjinë.
Por çfarë është vetëlëndimi? Në pamje të parë duket e fare e thjeshtë.
Vetëlëndimi është një veprim i qëllimshëm për të shkaktuar dëmtim fizik ndaj vetes, shpesh si një mënyrë për të përballuar emocione të forta, stres ose ndjenja të tjera të vështira. Ky veprim mund të jetë një shenjë e problemeve të shëndetit mendor, si depresioni, ankthi, ose çrregullimet e personalitetit. Është shumë e rëndësishme të kuptohet se vetëlëndimi nuk është një kërkesë për vëmendje, por një thirrje për ndihmë. Personat që vet lëndohen shpesh ndihen të izoluar dhe të pashpresë, dhe mund të kenë nevojë për mbështetje profesionale dhe emocionale.
Ndihma nga një profesionist i shëndetit mendor është gjëja e mirë që mund të bëhet në këto raste. Mbështetja nga familja dhe miqtë gjithashtu mund të jetë shumë e vlefshme.
Në Shqipëri ndër të tjera mund të njoftohet në numrin unik të emergjencës 112 për ndihmë urgjente në rast vetëlëndimi.
Ka disa shenja që mund të tregojnë se dikush është në rrezik dhe këto mund të jenë ndryshime të papritura në sjellje duke qëndruar i tërhequr nga aktivitetet e përditshme, izolim nga miqtë dhe familja.
Mënyra e të shprehurit, duke fajësuar veten, ndjenja e nënvlerësimit apo e shprehur edhe më qartë duke konsideruar veten si të pashpresë. Ndryshime të shpeshta në humor të tilla si shprehje depresioni, ankthi, zemërim i papritur ose irritim. Për të mos folur pastaj për shenja fizike, plagë, prerje ose djegieve të pashpjegueshme në trup.
Në situata të tilla cilido që vëren këto shenja te dikush tjetër e ca më shumë fëmijë, duhet të ofrojë mbështetje dhe të inkurajojë kërkimin e ndihmës profesionale e cila është shumë e rëndësishme. Ka disa mënyra se si mundet që secili të ofrojë sa mundet për ti ardhur në ndihmë rasteve të tilla:
- Dëgjo pa gjykuar: Një nga gjërat më të rëndësishme që mund të bësh është të dëgjosh me dhembshuri dhe pa gjykuar. Kjo i ndihmon ata të ndihen të dëgjuar dhe të kuptuar.
- Inkurajo ndihmën profesionale: Ndihma profesionale është thelbësore. Inkurajo personin të kërkojë ndihmë nga një psikolog, këshilltar ose mjek.
- Qëndro në kontakt: Mbaj kontakt të rregullt me personin për t’i treguar se nuk janë vetëm. Kjo mund të përfshijë mesazhe, telefonata ose vizita.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Forbes: "Nuk ka më mësues të rinj, kriza epike që po përballet e gjithë bota në vitin 2024"
Rëndësia e librave në jetën tonë
Italia ndalon celularin në shkollë edhe për qëllime edukative