Nxënësit mëngjarashë

Çfarë duhet të dinë mësuesit për të ndihmuar nxënësit mëngjarashë që të kenë sukses

Në rastin e nxënësve mëngjarash, vërehet pak ngathtësi në shkrim, pasi ata shpesh janë të paqartë cilën dorë duhet të përdorin. Me këtë rast sjellim disa këshilla praktike që u vijnë në ndihmë mësuesve.

Mitet e gabuara të ardhura nga historia


10 % e popullsisë është mëngjarashë. 6 presidentë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë qenë mëngjarashë. Leonardo da Vinçi realizoi një kryevepër si Xhakonda me dorën e majtë. Madje ai shprehej “Unë vizatoj me të djathtën dhe pikturoj me të majtën”. Në të shkuarën, historia na tregon shembuj diskriminues ndaj njerëzve që shkruanin dhe vepronin me dorën e majtë. Veçanërisht për gratë bëhej edhe më e vështirë, pasi akuzoheshin si magjistarë. Për shekuj me radhë, termi i ardhur nga latinishtja ‘majtas’ lidhej me emërtimin “i pafat” ose “i keq”, duke u konsideruar nga kisha djallëzor dhe i papërshtatshëm. Asokohe, njerëzit mësonin të përvetësonin dorën e djathtë. Ky ishte edhe rasti i Mikelanxhelos, i cili u trajnua të ushtronte skulpturën me dorën e djathtë. 


Mësimi i nxënësve mëngjarash për të shkruar saktë


Sot, mendësia mbi njerëzit mëngjarash ka ndryshuar. Mësuesit i ndihmojnë nxënësit si të përvetësojnë shkrimin pavarësish dorës së përdorur. Në rastin e nxënësve mëngjarash, kemi shkrim më të ngathët, pasi fëmijët shpesh janë të paqartë cilën dorë duhet të përdorin, si të mbajnë lapsin, letrën, këndin e shkrimit. Kemi edhe fëmijë të cilët kanë lehtësi të shkruajnë me të dyja duart. 


Për nxënësit që kanë vështirësi me shkrimin, ja disa këshilla praktike që do u vijnë në ndihmë mësuesve:


  1. Mësojini nxënësit mëngjarash të anojnë letrën në drejtim të kundërt me studentët që përdorin dorën e djathtë. 
  2. Pozicionojini letrat disa centimetra lart në tavolinë, kjo u vjen në ndihmë. 
  3. Kur hartoni ushtrime në fletore, sigurohuni që shkronjat ose figurat të jenë në krye, ose në dy anët e faqes. Nëse modeli qëndron në të majtë, nxënësit mëngjarashë do t’u duhet të ngrenë dorën për t’i parë figurat teksa punojnë. 
  4. Nxënësit mëngjarashë duhet të përdorin dorën e djathtë për të mbajtur letrën të fiksuar kur shkruajnë.
  5. Sigurohuni që nxënësit ta mbajnë të kapur stilolapsin në mes, larg nga maja. Mënyra e mbajtjes së stilolapsit/lapsit është e rëndësishme pasi duhet të krijojë lehtësi. 
  6. Merrni parasysh se nxënësve mëngjarash u pëlqen të shkruajnë simbole si “O” në drejtim të akrepave të orës, ose shkronjën “t” nga e djathta në të majtë në shenjë kryqi. Si mësues, mos e ndryshoni këtë metodë që shkakton lehtësi dhe rehati. 
  7. Shmangni përkuljen e kyçit të dorës për të shkruar nga lart, sepse shkakton ngërç muskulor. Në vend të kësaj, inkurajoni nxënësit të mbajnë kyçin e dorës nën vijë dhe kapjen larg majës, në mënyrë që të shohin se çfarë po shkruajnë. 
  8. Ka nxënës të cilët preferojnë të shkruajnë në anën e djathtë të faqes dhe jo nga e majta. Si mësues, vendosni një pikë në fillim të rreshtit për t’i orientuar të fillojnë siç duhet. 
  9. Për nxënësit që shkruajnë për herë të parë rekomandohet që të bëjnë germat e mëdha. Me kalimin e kohës shkrimi do u normalizohet. 
  10. Informohuni nga metodat e shkrimit të njerëzve të rritur mëngjarash që ju mund të njihni. Interneti ju vjen në ndihmë me shembuj videosh ndihmuese. 


Mos i veçoni nxënësit që shkruajnë me të majtën!


Për të pasur barazi mes nxënësve në klasë, si mësues do ishte e duhur të mos i diferenconit nxënësit mëngjarashë nga pjesa tjetër. Ky veprim do i bëjnë të ndihen të veçuar. Në vend të kësaj, vëzhgojini nxënësit për disa ditë me radhë. Nxënësit që shkruajnë me dorën e majtë mund të përplasen vazhdimisht me nxënësit që shkruajnë me dorën e djathtë. Vendosini nxënësit në skaj, ose në të majtë të shokut të tavolinës. 


Siguroni mjete të dobishme


Kohët moderne mundësojnë një sërë pajisjesh në ndihmesë të personave mëngjarash. Garantimi i gërshërëve, lapsave, stilolapsave për dorën e majtë, u krijojnë lehtësi nxënësve. Mjetet janë të nevojshme, duke qenë se redukton lodhjen e muskujve për nxënësit mëngjarashë. Madje, edhe komandat e kompjuterit janë krijuar me funksion të ndryshueshëm. Mjafton të ndryshohen komandat e programimit, dhe nxënësit mund të përdorin krahun e majtë. Mjetet dhe hapat udhëzues për mësuesit janë ndihmesë për edukimin e shëndetshëm të fëmijëve mëngjarashë. 



Burimi: weareteachers.com / bbvaopenmind.com 


Përgatiti: Xhoana Jaku

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,180 Lexime
2 vjet më parë