Psikologji

Ankthi i ndarjes së fëmijëve nga prindërit, kur shkojnë në kopsht

Meqenëse jemi në kohën kur shumë fëmijë të moshës 3–6 vjeç fillojnë për herë të parë kopshtin, një nga problemet e para që hasin edukatoret dhe prindërit është vështirësia e ndarjes së fëmijëve nga prindërit. Për t’ju ardhur sadopak në ndihmë, po ju paraqesim një shkrim nga Ermioni Cekani.

Ankthi i ndarjes është një tjetër fazë social-emocionale që e përjetojnë shumica e fëmijëve të grupmoshave 3-6 vjeç. Prindërit shqetësohen kur fëmija fillon të qajë pa asnjë arsye kur shkon në kopsht. E kështu ata e pyesin atë dhe përpiqen të gjejnë se ç’problem ka ai në kopsht. Për këtë shpresojnë edhe në ndihmën e edukatores, sepse është një problem që duhet zgjidhur. Ndërkaq, sa më shumë e pyesin fëmijën, ky aq më tepër arsye nxjerr: “Dua të luaj me makinën e kuqe, por s’ma japin asnjëherë. Shoqja ime nuk i pëlqen vizatimet që bëj. Sot s’dua të ngjyros.... Këta janë vetëm disa shembuj për arsyet që mund t’i japë fëmija prindit, kur ky i fundit këmbëngul të dijë pse ai qan sapo shkon te dera e kopshtit. Në të vërtetë, fëmija nuk arrin ta shprehë mirë frikën e vërtetë që ndien: “Po sikur prindërit e mi të mos kthehen më?”


Prindërit dhe edukatoret kanë rolin e tyre të pazëvendësueshëm për t’i bërë fëmijët të ndihen të sigurt në një mjedis të ri siç është kopshti. Është e natyrshme që kjo etapë e fillimit të kopshtit dhe ndarjes nga situata e tyre normale do t’u shkaktojë ankth fëmijëve.


Prandaj ne, si mësuese, duhet ta sigurojmë prindin dhe fëmijën se kopshti është një vend i sigurt, një mjedis i këndshëm dhe i përshtatshëm, që do ta ndihmojë  fëmijën të zhvillojë të gjitha veprimtaritë që i pëlqejnë më shumë. Në vend që të diskutoni me prindërit para fëmijës për çështjen e ankthit të ndarjes, do të ishte më mirë të flisni me prindërit kur fëmija s’është i pranishëm dhe t’ia bëni të qartë se do të ishte më mirë nëse prindërit nuk rrinë më gjatë se ç’duhet në grup, kur fëmija vepron në këtë mënyrë. Në të kundërt, fëmija do të përfitojë nga liria e veprimit që i jepet. 


Më poshtë po rendisim disa sugjerime që mund t’i printoni dhe t’ua jepni prindërve para se të fillojë viti shkollor, në mënyrë që ata t’i kenë parasysh gjatë ndarjes me fëmijët e tyre. 


Sugjerime për prindërit për ndarjen me fëmijët në këtë periudhë


Në mënyrë që fëmija të ndahet me lehtë nga ju, kur e sillni në kopsht, ju lutemi të keni parasysh edhe sugjerimet e mëposhtme: 


1. Tregohuni entuziast/e

Nëse ju si prind do të tregoheni entuziast/e, atëherë fëmija do të marrë nga ngazëllimi dhe besimi juaj. Përsëritini shumë herë fjali të tilla, si: “Jam shumë i/e lumtur që u rrite aq shumë sa mund të shkosh vetë në kopsht. Do të jetë shumë bukur kur ta vendosim vizatimin tënd mbi frigorifer...” Kështu, fëmijës do t’i ngulitet mendimi se do të jetë shumë mirë kur të shkojë në kopsht.


2. Krijoni familjaritet

Përpara se të fillojë viti shkollor, shkoni në kopsht së bashku dhe vizitoni grupin ku do të jetë fëmija. Përpiquni të gjeni fëmijë të tjerë që do të jenë në të njëjtin grup me fëmijën tuaj dhe krijoni mundësinë që fëmija të takohet me ta para fillimit të kopshtit.


3. Krijoni një regjim të caktuar

Vendosni një kohë të caktuar për orarin e gjumit, zgjimin dhe mëngjesin. Lëreni fëmijën të ndihmojë në zgjedhjen e rrobave që do të veshë për në kopsht. Ndërsa, kur të arrini në kopsht, thuajini “mirupafshim” që te dera dhe lëreni të vazhdojë vetë për te grupi.


4. Lëreni të ndihmojë në marrjen e vendimeve

Fëmija duhet të ndihmojë në marrjen e vendimeve. Për shembull, për ritualin e përditshëm të përshëndetjes mirupafshim. Si do të themi “mirupafshim” kur të jemi te dera e kopshtit? Me dy përqafime apo me një përplasje duarsh? Po kështu, planifikoni si do të përshëndeteni në fund të ditës, kur të ktheheni për ta marrë. Kjo i kujton dhe e siguron fëmijën se ju do të ktheheni ta merrni përsëri.


5. Thuajini “mirupafshim” me buzëqeshje

Thuajini fëmijës “mirupafshim” duke buzëqeshur vazhdimisht. Mos e zgjatni kohën për t’u larguar prej tij dhe, pasi të largoheni, mos u ktheni përsëri.


Suksese mësueseve, fëmijëve dhe prindërve, në vitin shkollor 2021 - 2022!


Nga Ermioni CEKANI


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

5,282 Lexime
3 vjet më parë