Adeljana Shehaj: Metodologjia e mësimdhënies, rasti i gjeografisë
Adeljana Shehaj ka bërë një studim në lidhje me metodologjinë e mësimdhënies në lëndën e gjeografisë. Që në fillim të këtij studimi është folur për didaktikën e gjeografisë, ndërkohë janë dhënë edhe shembuj si si duhet të zhvillohet konkretisht kjo lëndë.
Procesi i të mësuarit në shkollë është objekt i shumë disiplinave të fushave të pedagogjisë dhe psikologjisë, të cilat japin parime të përgjithshme të organizimit dhe zbatimit të procesit të të mësuarit në aspektin psiko-pedagogjik. Por, disiplina të veçanta që zbatohen në shkollë kanë veçori specifike në përmbajtjen e tyre, ndaj ato kërkojnë trajtime specifike të të mësuarit. Objekti i metodikës së gjeografisë është procesi i të mësuarit, studimit të parimit bazë, formave dhe metodave të punës që përdor mësuesi në shkollë, me nxënës brenda dhe jashtë klasës për tʼi aftësuar nxënësit në procesin e të mësuarit të materialit gjeografik. Në procesin e të mësuarit ka ndodhur kalimi nga të mësuarit dogmatik në të mësuarit shpjegues e më pas në atë krijues. Një fenomen tjetër në këtë periudhë është dhe njohja totale e shkollës tonë, e cila duke punuar me sistemin e vendeve lindore arriti që të krijojë një sistem arsimor të konsoliduar. Përpjekjet e bëra gjatë dekadave në vazhdim për konsolidimin e shkollës dhe të sistemeve arsimore kanë nxjerrë në pah vlera pozitive, përvojat e veçanta të mësuesve, të cilat janë grumbulluar dhe eksperimentuar dhe pasi ato kanë marrë të drejtën e qytetarisë janë bërë pjesë e metodikave, ku ndër të cilat bën pjesë dhe metodika e gjeografisë.
Që në fillim të këtij studimi është folur për didaktikën e gjeografisë, pra se çfarë ka në themel ana metodike e saj. Një orë mësimi në gjeografi që të realizohet me objektivitet të lartë shkencor si nga ana e mësimdhënies ashtu dhe nga ana e mësimnxënies duhet që të ndiqen disa parime dhe rregulla të cilat nënvlerësohen apo mbivlerësohen nga mësuesit. Në këtë proces ka kaluar edhe shkolla jonë, dukuri që vihet re në vitet 70ʼ-80ʼ të shekullit XX, kur u futën për herë të parë forma dhe metoda, të cilat studiojnë të mësuarit logjik aktiv dhe krijues. Me ndihmën e sistemit u vu re një vërshim i metodave bashkëkohore perëndimore nëpërmjet përkthimit të literaturave apo trajtimit të specifikave të ndryshme. Kjo prurje krahas vlerave pozitive që pati, nxori në pah edhe vlera negative, për arsyen se ato u përkthyen në mënyrë shabllone dhe u kërkua zbatimi i tyre pa marrë parasysh kushtet tona konkrete. Për realizimin e një ore mësimore në gjeografi, objektivave që ka përcaktuar mësuesi, duhet që ky i fundit të garantojë një sere kriteresh ndër të cilat më kryesorja është zgjedhja dhe përdorimi i metodave me anë të të cilave ai/ajo do të bëjë në përpunimin e mësimit. Por duhet të theksojmë se metodat nuk duhen që të shkëputen nga faktorët e tjerë si; përgatitja e lartë shkencore e mësuesit, pasi çdo metodë e përdorur prej tij do të ishte e dështuar, ndër to mund të përmendim: përshkrimin, demonstrimin, bisedën, shpjegimin, metodën e kallzimit, etj.
Gjeografia duhet të zhvillohet në lidhje të ngushtë me disiplinat e tjera. Lënda e gjeografisë dhe lëndët e tjera duhet të ndihmojnë në mënyrë të ndërsjellë njëra-tjetrën. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të realizohen siç duhet dhe objektivat kryesore të shkollës dhe të shoqërisë në fushën e arsimit. Por çfarë do të thotë e gjitha kjo në një optikë të zhvilluar nga pikëpamja metodologjike?
Së pari, gjeografia mund të shfrytëzojë informacionin dhe çështjet që trajtohen në lëndët e tjera për të sqaruar, për të konkretizuar dhe për të argumentuar më mire objektivat e saj.
Së dyti, lëndët e tjera duhet të shfrytëzojnë përmasën dhe këndvështrimin e gjeografisë për të aktualizuar dhe për të kuptuar më mirë çështjet e tyre në diskutim, si dhe për të nxitur përgjegjësinë dhe motivimin qytetar të nxënësve në shkollë dhenë komunitetin ku ata jetojnë dhe veprojnë. Aspekti i integrimit të gjeografisë me disiplinat e tjera, ndër të cilat, e tillë është dhe disiplina e Edukimit Qytetar. Kjo e fundit ka të përbashkëta me to konceptet dhe shprehitë, duke patur këto dy elemente, ato shpesh i kanë detyruar organet vendore që të ndërmarrin pjesë në rritjen e ndjenjës së qytetarisë. Kjo gjeografi ka lidhje dhe me lëndën e Historisë, pasi ato kanë të përbashkët konceptet dhe përmbajtjen, bashkëpunimi i këtyre disiplinave e ndihmon gjeografinë që të zgjidhi problemet aktuale, qofshin ato mjedisore apo ekonomike. Më poshtë kemi paraqitur shembullin mbi integrimin Gjeografisë në Edukimi Qytetar, si dhe lidhjet e ndërsjella midis tyre.
Edukimi Qytetar dhe Gjeografia.
Lënda e gjeografisë dhe ajo e Edukimit Qytetar kanë të përbashkët:
1. Konceptet: p.sh. mjedis, rend ekonomiko-shoqëror, marrëdhënie njeri-mjedis, marrëdhënie ndërshtetërore, globalizëm, përfaqësimi, liria etj.
2. Aftësitë dhe shprehitë: p.sh. përshkrimi, analiza, shpjegimi, diskutimi, kërkimi, interpretimi etj.
Gjeografia u jep aktualitet më të madh çështjeve me të cilat merret Edukimi Qytetar. Në këtë mënyrë, ajo i ndihmon nxënësit të kuptojnë rëndësinë e edukimit qytetar në jetën e tyre të përditshme.
Si mund të realizohet lidhja ndërmjet lëndës së Gjeografisë dhe Edukimit Qytetar?
Së pari, kjo lidhje mund të realizohet përmes përfshirjes në kurrikulën e gjeografisë të çështjeve, fakteve, të ngjarjeve, etj., të trajtuara në lëndën e Edukimit Qytetar me kushtin që përmasa e mësimit të Gjeografisë duhet:
- Të jetë çështja thelbësore e mësimit;
- Të lidhet me kurrikulën e Edukimit Qytetar.
Së dyti, objektivat mësimore duhet të shprehen qartë dhe të jenë pjesë e kurrikulës kombëtare të gjeografisë. Kështu lidhja ndërmjet tyre mund të realizohet dhe përmes elementeve të tjera si:
- konceptet, për shembull si marrëdhënia njeri-mjedis;
- tema, në disa mësime mund të theksohet përmasa e qytetarisë, për shembull në çështjet e të drejtave të njeriut;
- fusha kurrikulare, rishqyrtimi i vazhdueshëm gjatë gjithë vitit i çështjeve të tilla si demokracia;
- përmasa vendore, gjeografia duhet të ndihmojë në rritjen e pjesëmarrjes qytetare në jetën e bashkësisë përmes projekteve, në të cilat mund të marrin pjesë breza të ndryshëm.
Së treti, gjeografia ndihmon në edukimin qytetar kur ajo përdoret në debatet për çështje dhe ngjarje të rëndësishme.
Shembulli sesi mund ta zhvillojmë lëndën e gjeografisë mbi bazën e gjithë këtyre elementeve që përmendëm më sipër, këtu janë marrë parasysh kompetencat e lëndës në përputhje me objektivat mësimore në fushën e gjeografisë.
Tematika | Kreu/Objektivat | Konceptet | Numri i orëve |
---|---|---|---|
Pozita gjeografike dhe harta politike e trevave shqiptare | Në fund të klasës së nëntë, nxënësi/ja duhet të jetë i/e aftë: · Të njoh pozitën gjeografike të trevave shqiptare në Ballkan, në Evropë dhe në Mesdhe; të interpretojë rolinekësaj pozite në dukuritë natyrore, popullimin dhe zhvillimin social-ekonomik të tyre. · Të njoh dhe të interpretojë proceset historike, politike dhe gjeografike që përcaktuan ndryshimet dhe formimin e hartës politike të trevave shqiptare, shkaqet e coptimit të tyre në disa shtete ballkanike; statusi i sotëm politik dhe e ardhmja e tyre në familjen e madhe Evropiane. · Të njoh përbërjen e trevave shqiptare, vendosjen e tyre sipas shteteve, tʼi dallojnë ato në hartën politike të Evropës Jug-Lindore. | Pozita gjeografike e trevave në Ballkan dhe roli i tyre në zhvillimin e tyre. Faktorët historikë, politikë dhe gjeografikë që ndikuan në ndryshimin e hartës politike. Njohja me vendodhjen e trevave shqiptare. | 2 |
Natyra e trevave shqiptare | Në fund të klasës së nntë, nxënësi/ja duhet të jetë i/e aftë: · Të vlerësojë rolin e pozitës gjeografike, të formimit dhe të përbërjes së truallit të trevave shqiptare në larminë dhe shumëllojshmërinë epasurive minerare të tyre; mundësitë që ofrojnë këto pasuri në zhvillimin e tyre. · Të shpjegojë veçoritë kryesore dhe larminë e formave të relievit të trevave shqiptare, të njoh shtrirjen e elementeve kryesor të këtij relievi dhe të interpretojë rolin e tyre në dukuritë natyrore, në popullimin dhe zhvillimin ekonomik, të njoh hartën fizike të trevave shqiptare. | Pozita gjeografike dhe pasuritë minerale që zotërojnë trevat shqiptare. Faktorët që ndikojnë në format e relievit. Interpretimi i hartës fizike të trevave shqiptare. Faktorët që ndikojnë në formën e klimës. Shfrytëzimi i klimës në favor të ekonomisë dhe turizmit. | 4 |
Në programin e ri të lëndës së Gjeografisë 9, në arsimin e mesëm të ulet (AMU), janë konsoliduar ndryshimet e bëra në programin e fundit të Gjeografisë 9 (botim i vitit 2000), në të cilën është zhvilluar Gjeografia e Shqipërisë dhe e trevave të tjera shqiptare. Në lidhje me këtë të fundit janë përfshirë trajtime të tjera, të cilat theksojnë përmbajtjen shkencore të saj dhe e aktualizojnë atë me problemet më të reja të gjeografisë së Republikës së Shqipërisë dhe trevave të saj. Në ndërtimin e këtij programi fokusin kryesor e zënë metodologjitë bashkëkohore të planifikimit dhe programimit kurrikular të dijeve në shkollë, të tilla si:
Konsolidimi i ndryshimeve në programin e fundit. Këto ndryshime ishin të drejta dhe pasqyronin rikonceptimin e objektit të gjeografisë, mbi bazën e kërkesave të zhvillimeve të reja në botë dhe në vendin tone.
Përmbajtja lëndore e programit është rikonceptuar mbiz bazën e kritereve dhe koncepteve të gjeografisë së sotme shkollore. (Instituti i Kurrikulave dhe i Standarteve, Njohuri të Përgjithshme, Tiranë, 2006, f. 15-17.)
Sipas konceptimit rajonal, trajtohen për herë të parë të gjitha trevat shqiptare së bashku, duke u dhënë mundësi nxënësve të njohin trevat shqiptare në Ballkan, mbi shkaqet e copëtimit të tyre; veçoritë natyrore, sociale dhe ekonomike; si dhe perspektivat e zhvillimit të tyre.
Vend të rëndësishëm në programin e ri zënë trajtimet e problemeve të mjedisit, duke e vënë theksin mbi shkaqet dhe pasojat e dëmtimit si dhe përgjegjësitë e gjithsecilit prej nesh, në formimin e një edukate të qëndrueshme ekologjike.
Vëmendje të veçantë programi u jep dhe punëve praktike me përmbajtje të re, pra në përforcimin e punës individuale të nxënësve në fushën e gjeografisë.
Gjeografia dhe Historia. Lënda e gjeografisë dhe ajo e Historisë kanë të përbashkët:
1. Konceptet
2. Përmbajtjen
Së pari, mësimet e Gjeografisë kanë si pjesë përbërëse dhe objekt studimi mjedisin natyror. Ato duhen të lidhen me konceptet e zhvillimit të shoqërisë njerëzore, qytetarisë, si p.sh. me lidhjet e ndërsjella midis elementëve natyror dhe shoqëror të mjedisit dhe pasojat e tyre, si dhe përfshijnë veprimtari të tilla si diskutimet. Së dyti, përmasa e mësimit të historisë gjatë zhvillimit të temave të gjeografisë duhet:
Si mund ta ndihmojë lënda e gjeografisë në trajtimin e çështjeve të lëndës së historisë?
• Ndihmon nxënësit të kuptojnë më mire ndikimin e veprimtarisë ekonomike tek njerëzit dhe te bashkësia ku jetojnë;
• Nxjerr në pah marrëdhëniet ndërmjet zhvillimeve vendore, kombëtare dhe të aspekteve globale;
• Nxjerr në pah mundësinë e qytetarëve për të ndihmuar në jetën e bashkësisë dhe më gjerë;
• Nxit respektin për njerëz dhe kultura të tjera si dhe për mjedisin.
Në ç’mënyrë lënda e historisë ndihmon në zhvillimin e lëndës së gjeografisë?
• Zbulon lidhjet e çështjeve me të cilat merret lënda e gjeografisë me jetën në përditshmërinë e nxënësve dhe nxit interesin e tyre për to;
• Ndihmon nxënësit të kuptojnë rëndësinë e lëndës së gjeografisë;
• Nxit nxënësit të marrin pjesë në projekte, mbi çështjet e ndryshme mjedisore;
• Ndihmon nxënësit të reflektojnë dhe të diskutojnë për rrjedhojat shoqërore të zhvillimeve ekonomike dhe shkencore.
Një pjesë shumë të rëndësishme e luan dhe Zbatimi i Kurrikulës së Lirë, duke zënë gati 15% të orëve të totale, hapësirë kjo tepër e domosdoshme për përmbushjen efektive të nevojave dhe interesave të nxënësve në përputhje me objektivat e programit zyrtar të miratuar nga MASH. Statusi i tyre është sa i detyrueshëm sepse duhen përmbushur deri në fund të vitit shkollor, aq edhe fleksibël, pasi shpërndarja e tyre gjatë gjithë vitit dhe mbushja e tyre me material mësimor është kompetencë e mësuesit të lëndës në bashkëpunim Drejtorinë Arsimore dhe atë të shkollës së bashku dhe me mësuesit e tjerë. Grumbullimi i fakteve, shifrave, të dhënave të ndryshme historike, gjeografike, demografike, kulturore, industriale, bujqësore, etj., mund të kthehen në një burim të vlefshëm për të organizuar një orë mësimore interesante. Organizimi i ekskursioneve në natyrë, të shoqëruara me veprimtari praktike; organizimi i vizitave në qendra të ndryshme prodhimi të shoqëruara me vrojtime dh të pasura me detyra; organizimi i konkurseve Brenda klasës edhe për një kapitull; lojëra të ndryshme zbavitëse me element zhvillojnë të menduarin logjik dhe kritik; përforcimi i njohurive i shoqëruar me metoda e strategji që fuqizojnë të nxënit ashtu edhe mësimdhënien, janë disa veprimtari rekomanduese për rubrikën e orëve të lira. Përmbushja në mënyrë efikase arrihet nëpërmjet bashkëpunimit dhe me mësuesit e lëndëve të tjera duke hartuar paraprakisht një plan të përbashkët disa orësh që shfrytëzon lidhjet konceptuale ndërlëndore dhe aspektet kroskurrikulare.
PËRFUNDIME
Gjeografia është një fushë studimi e gjerë dhe e larmishme, përsa i përket fushës së metodologjisë dhe për studiuesit në fusha të tjera. Gjeografia përdor metodat, strategjitë, dhe teknikat e të mësuarit si p.sh metoda e demonstrimit, kjo metodë bazohet në paraqitjen përpara nxënësve të një modeli veprimtarish dhe ilustrimeve në metodologjinë e mësimdhënies. Shpërndarja dhe larmia e veprimtarive, duhet të bëhet duke analizuar me kujdes si programin dhe kërkesat që parashtrojnë veçoritë vendore. Duhet bërë kujdes që orët e lira të mos shpërdorohen duke i shfrytëzuar për qëllime rutinë të cilat nuk sjellin risi në kurrikulën shkollore. Realizimi i aftësive të mësipërme kërkon nga mësuesi jo vetëm aftësi krijuese, por edhe aftësinë e një krijuesi të vërtetë kurrikule, për rrjedhojë dhe përgjegjësinë profesionale dhe qytetare që bart me vete ky rol. Vlerësimi dhe llogaritja janë dy objektiva me vlerë, që vlerëson në mënyrë të dobishme e të ndershme atë që duhet dhe që nuk shtrembëron procesin e të nxënit duke i shërbyer në këtë lloj forme mjaft mire interesave dhe njohurive të nxënësve.
Adeljana Shehaj, studiuese e kërkimit shkencor njëkohësisht edhe mësuese
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Teste përmbledhëse për të tria periudhat në të gjitha lëndët, klasa IV
Testime dhe detyra përmbledhëse për Arsimin Fillor, viti shkollor 2023-2024
Teste vlerësimi për klasën e parë