DETYRË

“Vetëvrasja e trumcakut”, analizë nga maturantja Mei Trushi

Detyrë analizë me temë “Vetëvrasja e trumcakut” nga Migjeni, përgatitur nga Mei Trushi, maturante në shkollën e mesme "Petro Nini Luarasi".



                                                    “Vetëvrasja e trumcakut”


Migjeni lindi në Shqipëri aty ku u lindëm edhe shumë të tjerë, pa atë që panë dhe shumë të tjerë, por arriti të përthithte dhe të pasqyronte në punët e tij diçka që pak e ndoshta aspak nuk arritën ta perceptojnë e jo më ta shprehnin në punën e tyre. Në themel të krijimtarisë së tij qëndron filozofia ekzistencialiste, tashmë e formësuar në Europë, por e sjellë në frymën e një shqiptari. Ai rrëfen për temat filozofike si tjetërsimi, neveria, jeta, vdekja e vetëvrasja në rrethanat e vetëpërjetuara. Ndryshe nga intelektualë që e lakmojnë vdekjen, Migjeni e do jetën, por nuk kënaqet dot nga ajo që kjo e fundit i ofron. I ndikuar nga realiteti zhgënjyes ai vendos t`i japë jetë një bote dhe krijese të re në fragmentin vetëvrasja e trumcakut.


Autori vendos një trumcak, një gjallesë krejtësisht të vogël e të imët, para një bote gjigante e të shkretë. Pra trumcaku është dënuar që në ekzistencën e tij. Ai vuen nga melankolia, e cila s`është veçse pasojë e lindjes së tij në këtë formë dhe në këtë botë ku bari ia lë vendin qimeve të derrit, kurse pemët brinave të shtazëve parahistorike. Natyra nuk ka ngjyra, ajo shfaq një monotoni konstante e të admirueshme që s`bën gjë tjetër veçse e shton dozën e melankolisë së trumcakut të vogël. Gjithçka që ky i fundit i kërkon për të jetuar është shumë pak, mirëpo edhe aq duket një pamundësi për t`u siguruar. 


Natyrshëm lind pyetja se si u gjend këtu kjo gjallesë; e autori duke bërë analogji me një gjallesë tjetër, qenien njerëzore, e duke ironizuar Zotin, citon një nga vargjet e Biblës ku Zoti në Zanafillë thotë ‘‘... të bahet dritë! Dhe drita u ba!‘‘. Pra siç jemi të gatshëm të pranojmë realitetin ku jetojmë në emër të një Zoti, atëherë duhet të jemi të gatshëm të pranojmë se autori është Zoti i kësaj pjese dhe nuk ka pse t`i kërkojmë shpjegime për asgjë. Nga ana tjetër shkenca dhe shpjegimet e ofruara prej saj janë veçse hipoteza dhe andrra, sepse siç thotë edhe Kamyja në esenë ‘Muret e absurdit‘, ka një pikë ku as shkenca me gjithë formulat e teoritë e saj nuk arrinë të na bindë për vërtetësinë e saj. 


Më tej autori vazhdon të na japë një përshkrim më të detajuar të trumcakut. Ai nuk është më një trumcak i thjeshtë, ai është një trumcak që qëndron majë një brene, kështu trumcaku ynë realizon atë që Sokrati e quan refleksion filozofik. Ai ndalon dhe kuvendon me veten. Sikurse edhe Sizifi sipas Kamysë ai tronditet dhe i zgjohet  përfundimisht ndërgjegjja, bëhet dëshmitar i jetës së njëtrajtshme pa asnjë kuptim. Ai kërkon përgjigje të cilave bota nuk mund t`i japë përgjigje. Trumcaku hyn në absurd. Ai bëhet melankolik, por melankolia vjen nga inteligjenca e sic shprehet Kierkegardi sa më inteligjent njeriu aq më ankth ka ai e për pasojë aq më melankolik trumcaku inteligjent. Në kulm të melankolisë ai duhet të gjejë përgjigjen e tij për problemin thelbësor filozofik: vetëvrasjen. A duhet të vazhdojë jetën apo duhet t`i japë fund kotësisë së saj? Kamy thotë se njeriu fiton zakonin e të jetuarit para atij të të menduarit andaj shpesh njeriu vendos të jetojë, ama trumcaku ynë shkon kundrejt kësaj logjike dhe vendos të vdesë. Ai revolton për herë të fundit kundrejt botës duke cicëruar tre herë, para së të lërë me një “crrr’ mallëngjyes jetën. Ajo çka lë pas ai është dhimbja që vjen si rrjedhojë e vetëdijes fatale dhe natyrës pasive. 


Trumcaku përfundon i ngulur në një qime derri, ku era luan me trupin e tij duke e sjellë sa andej këndej. Migjeni vë përballë trumcakut të vogël, figurën e derrit, i cili është më i madh në përmasa e deri diku ngjall tek ne njerëzit një ndjenjë pështirësie e neverie, duke i mëshuar edhe më shumë situatës së vdekjes së trumcakut. Për t`i vënë kapakun futet në lojë elementi i erës që na ndihmon të kuptojmë se vdekja e trumcakut ishte vërtetë diçka e parëndësishme. Asgjë nuk ndryshon pas vdekjes së tij, bota ndjek rrjedhën e saj të zakonshme. Dalim në përfundimin se trumcaku ishte jo vetëm i vogël në trup, por edhe në ekzistencë. 


Autori i jep të drejtë lexuesit të lemeriset dhe të revoltohet se këto dokrra janë kapërcime logjike. Është vërtet një kapërcim logjik, diçka që nuk jemi mësuar ta dëgjojmë e aq më pak ta pranojmë, një histori që i cenon rëndë bazat mbi të cilat qenia jonë është ngritur dhe beson, por autori kërkon ta njehsojë mendimin e lexuesit me atë të vetin e deri diku të turbullojë muret e kthjelltë që na rrethojnë duke na premtuar se ajo që thotë është vetëm një nga shumë kapërcimet që ne i njohim, i pranojmë, por për hir të disa barrierave të krijuara prej vetë nesh nuk kemi guximin t`i shohim në sy.


                             Përgatiti: Mei Trushi, maturante në shkollën e mesme "Petro Nini Luarasi"




(Portali Shkollor)

4,764 Lexime
4 vjet më parë