ESE

Ese nga nxënësja Aspa Grembi me temë “Njeriu dhe mjedisi”

Aspa Grembi është nxënëse e shkollës Numani. Përmes esesë me temë “Njeriu dhe mjedisi”, ajo përmend sfidat me të cilat natyra po përballet, duke treguar përmes argumentash, se sa e rëndësishme është mbrojtja e mjedisit.

Mjedisi është vendi në të cilin njeriu zhvillon aktivitetet jetësore, por rëndësia e tij është universale. “Ngjyrat janë buzëqeshja e natyrës, ndërsa natyra është buzëqeshja jonë”! Është mëse e dukshme se midis njeriut dhe mjedisit ekziston një lidhje e fortë, duke krijuar gjithashtu një raport varësie midis tyre.


Njeriu përfiton prej mjedisit. Ajri që thithim, uji dhe produket që konsumojmë janë dhuratë prej tij dhe hapësira në të cilën na mundëson të jetojmë, po ashtu. Gjithçka është ndërtuar në mënyrë perfekte. Kjo marrëdhënie qëndron ndërthurur midis shumë nuancash e ngjyrash. Për aq kohë sa ne kujdesemi për mjedisin, po të njejtin kujdes marrim prej tij.

    

Natyra njerëzore është e tillë që pavarësisht çdo përparimi, kërkon më tepër, kërkon një përmirësim më të madh vazhdimisht e ndoshta pushtuar prej lakmisë dhe egoizmit, sytë mund të shohin veç përfitim dhe një rrugë të drejtë përgjatë saj, pa vënë re pasojat përreth. Zhvillimi ekonomik apo i teknologjisë nuk po favorizon mjedisin, përkundrazi po ndodh krejt e kundërta.

      

Është e vërtetë që midis mjedisit dhe njeriut ekziston një raport varësie dhe “barazie”, por fatkeqësisht ky raport nuk është parë kurrë i tillë nga ana njerëzore, sepse njeriu është munduar gjithmonë të shfrytëzojë të mirat që mjedisi ofron në favorin e tij, të marrë gjithçka e njëkohësisht të mos japë asgjë. Panorama mjedisore formohet në dy anë të medaljes, në njërën shohim zhvillimin e lartë, ndërtesat e mirëndërtuara dhe njerëzit që jetojnë në kushte të “mira” jetese, por tjetra është ajo që ne ndoshta përpiqemi ta anashkalojmë sepse jemi të vetëdijshem që jemi fajtorë, ndotja e tokës, ajrit, ujit, pemët e prera apo habitatet e shkatërruara.

      

Vjen një ditë kur rëndësia e mjedisit kuptohet më shumë se kurrë më parë. Dhe pikerisht sot, kur gjithçka jashtë ka ndaluar e të gjithë qëndrojnë brenda. Mjedisi pa njeriun në të duket se po “merr frymë”. Mjafton një vrojtim, jo vetëm në vendin tonë, por kudo për të parë se mjedisi pa veprimtarinë njerëzore është i pastër, plot ngjyra dhe pa re tymi e ndotjeje.

     

E verteta është se ne nuk jetojmë dot pa mjedisin dhe “nesër” kur gjithçka tëë kthehet në normalitet, rikthimi në mjedis duhet të jetë jo duke e rikthyer atë në gjendjen e mjerë te mëparshme, por duke u kujdesur më shumë për përmirësimin e tij. Nuk duhet të presësh pemët, të përdorësh pa fund lëndët djegëse, nëse dëshiron që ajri të jetë i pastër, nuk duhet të ndërtosh pa fund ndërtesa nëse dëshiron që të mos shkatërrohet natyra, nuk duhet ta ndotësh nëse mendon vërtet për shëndetin tënd. E do të doja ta përfundoja me atë që themi të gjithë duke shpresuar se s’do të mbetet veç një thënie: “Mbroni mjedisin!”

  

                                                                                   


Punoi nxënësja Aspa Grembi

 © Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

28,853 Lexime
4 vjet më parë