Shuarja e papritur e prof.dr. Artur Sula, mirënjohjet për dekanin me vlera të larta njerëzore
Botën akademike dhe jo vetëm e ka pushtuar zia prej ndarjes nga jeta në mënyrë të papritur të Prof. Dr. Artur Sulës, Dekanit të Fakultetit të Gjuhëve të huaja të UT. Profesori i nderuar Artur Sula do të mbahet mend si model i përhershëm i qytetarisë, figurë e dashur dhe e respektuar nga të gjithë.
Humbje e madhe dhe e parakohshme që la pas shumë dhimbje qe ndarja nga jeta e Prof. Dr. Artur Sulës, Dekanit të Fakultetit të Gjuhëve të huaja të Universitetit të Tiranës, në moshën 53-vjeçare. Lajmi i kobshëm i ka prekur të gjithë pasi atë e kujtojnë si dekanin premtues, model të qytetarisë por edhe si figurë njerëzore dhe të respektuar nga të gjithë.
Prof. dr. Artur Sula ka qenë pedagog i departamentit të Gjuhës Italiane që prej vitit 1991. Ai ka kryer me devotshmëri funksione të ndryshme, si: përgjegjës i departamentit të Gjuhës Italiane, anëtar i Këshillit të Profesorëve, anëtar i Senatit Akademik, dekan i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja dhe së fundi, anëtar i Këshillit Bashkiak të qytetit të Tiranës.
Prof. Dr. Artur Sula, Dekani i Fakultetit të Gjuhëve të huaja të UT me një pjesë të kolegëve
Prof. dr. Artur Sula është dalluar gjithmonë për kontributin e lartë dhe energjinë e tij pozitive e të pashtershme për zhvillimin e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, si edhe në vendimmarrjet e rëndësishme për Universitetin e Tiranës.
Kujtimi i tij do të mbetet i paharruar për të gjithë. Veçuam disa nga kolegët, miqtë dhe bashkëpunëtorët e profesorit të ndjerë Artur Sula, të cilët kanë dhënë ngushëllimet e rastit...
Prof. dr. Artan Hoxha, rektori i UT
“Prof. dr. Artur Sula do t’i mungojë familjes, kolegëve, studentëve e miqëve të tij! Në këto momente të rënda të dhimbjes e të pikëllimit, i përcjellim ngushëllimet më të thella familjes dhe të gjithë të afërmve për këtë humbje të madhe e të parakohshme! Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij”.
Mirela Kumbaro, ish-ministre e Kulturës
“Mba dorën o Zot..! Shumë i ri për ta humbur familja, shumë energjik për t’ia hequr jetës, shumë ambicioz për të ikur nga drejtimi i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, shumë bujar për ta ndarë nga shokët e kolegët, shumë e padrejtë mbyllja këtu e rrugëtimit premtues të dekanit të Gjuhëve të Huaja Artur Sula. Lamtumirë Shok i dashur!”.
Kreshnik Çollaku, kryetari i Departamentit të Politikës së Jashtme në PD
“U endëm bashkë korridoreve e klasave të së njëjtës shkollë të mesme, e më tej auditorëve të universitetit...,e më pas u bëmë kolegë, më pas ti ishe drejtues i departamentit e së fundmi dekan i fakultetit, ku ne studiuam dhe më pas u bëmë profesorë. Në këtë udhëtim përgjatë 30 viteve, nëse studentë apo profesorë, nëse drejtues apo dekan, ti mbete i njëjti, ti mbete i njëjti Turi, shok e mik. Sa herë të takoja harroja se ishe dekani, por ai Turi që linim mësimin për të pirë cigare fshehur pas shkollës së mesme të Gjuhëve të Huaja, apo për të organizuar ndonjë festë ose dëgjuar muzikë të ndaluar. Vendose të ikësh shpejt, për të lënë pas kujtimin e një shoku e miku të mirë që koha e jeta nuk e ndryshoi kurrë deri në orën e fundit. Lamtumirë Turi, prehu në Paqe të Zotit tani!”.
Ambasada Italiane në Tiranë
“Ngushëllimet tona më të ndjera për ndarjen nga jeta të dekanit të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, Artur Sula. Artur Sula ishte një pikë referimi në Shqipëri për gjuhën italiane, duke përhapur dashurinë dhe pasionin e tij të thellë për kulturën italiane tek brezat e rinj shqiptarë. Ambasada e Italisë u është pranë familjarëve të tij”.
Kristo Goci, Ambasador Nderi në Misionin Diplomatik Paqja dhe prosperiteti
“LAMTUMIRE Prof. ARTUR SULA...! Ti u largove o mik i mirë sot më 21/02/2021, në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare. U largove duke lënë një boshllëk në zemër për të gjithë ata që të njohën, të respektuan dhe të deshën. Veçanërisht për ne armenët (vllahët) e Shqipërisë do të mbetesh i paharruar për faktin se ishe i pari dekan i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të UT, që aprovove kërkesën tonë për njohjen dhe studimin e gjuhës armene-vllahe në universitet. Shpirtërisht je në qiell sot, por për ne do të mbetesh në mesin tonë, në zemrat tona sikundër je në mesin e kësaj fotografie historike. Armenët erdhën nga gjithë Europa për të gëzuar këtë event aty, në zyrën e Dekanit, në zyrën tënde profesor Arturi...! Të ndrittë shpirti yt rinor si yll engjëllor profesor Artur Sula...!”.
Foto nga Kristo Goci, Ambasador Nderi në Misionin Diplomatik Paqja dhe prosperiteti
U prehsh në paqen e meritur Prof.Dr. Artur Sula! Ngushëllime familjarëve edhe nga stafi i Portali Shkollor Albas!
Publikim N. Allkja Biçaku
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Shënohet 22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe, prezantohet drafti
“Abetaret elbasanase” nga Natasha Shuteriqi Poroçani