
Historike/ Gjuha shqipe futet në arsimin publik në New York
Për herë të parë në historinë e sistemit arsimor të qytetit të Nju Jorkut, një program i plotë dygjuhësh në gjuhën shqipe dhe angleze do të nisë në shtator 2025 në shkollën publike PS 108 Philip J. Abinanti, në lagjen Bronx.
Për herë të parë në historinë e sistemit arsimor të qytetit të Nju Jorkut, një program i plotë dygjuhësh në gjuhën shqipe dhe angleze do të nisë në shtator 2025 në shkollën publike PS 108 Philip J. Abinanti, në lagjen Bronx. Ky është një hap historik për komunitetin shqiptar në SHBA dhe një mundësi unike për fëmijët që të rriten duke mësuar në dy gjuhë.
Regjistrimi për vitin shkollor 2025–2026 tashmë është i hapur dhe fillon me klasat e kopshtit (kindergarten), ndërsa programi do të zgjerohet gradualisht në klasat më të larta çdo vit.
“Jam e lumtur të ndaj këtë lajm të jashtëzakonshëm. Kjo është një fitore për të gjithë komunitetin shqiptar në NYC,” – tha Drita Gjongecaj, një nga nismëtaret e projektit, duke shtuar se mësimi do të zhvillohet 5 ditë në javë në gjuhën shqipe dhe angleze, nga mësues të certifikuar të Departamentit të Arsimit të Nju Jorkut.
Mark Gjonaj, ish-këshilltar bashkiak në qytetin e Nju Jorkut dhe një prej mbështetësve kryesorë të këtij programi, u bëri thirrje të gjithë prindërve shqiptarë në zonë:
“Mos e humbni këtë mundësi të artë. Ruajtja e gjuhës sonë është mbrojtja më e mirë e identitetit dhe trashëgimisë sonë kulturore.”
Pse të zgjedhim një program dygjuhësh?
- Nxit zhvillimin e aftësive dygjuhëshe dhe të gjuhës akademike
- Sjell përfitime të rëndësishme në të kuptuarin dhe zhvillimin kognitiv
- Ruajtja e gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë
- Përmirësim i ndjeshëm në performancën akademike
Adresa e shkollës:
1166 Neill Ave, Bronx, NY 10461
Afati për regjistrim: Maj 2025
Kontakti për regjistrim: 718-863-9829
Thirrje për mësues:
Nëse jeni mësues i çertifikuar në shtetin e Nju Jorkut dhe dëshironi të jepni mësim në këtë program, mund të dërgoni CV-në dhe letrën e interesit në adresën:
[email protected]
(Certifikata “Bilingual Extension” është një avantazh, por jo e detyrueshme.)
Ky program është një arritje e madhe për diasporën shqiptare në SHBA dhe një investim i jashtëzakonshëm për të ardhmen e brezave të rinj.

Referuar Diaspora Shqiptare
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Mjedisi, një thesar i çmuar që duhet ruajtur
Pse duhet të lexosh? Këto 100 thënie për leximin janë për ty...
Hap dyert, shkolla shqipe në Grabs të kantonit të St. Gallenit