
26 vite nga eksodi i Kosovës – Fotoja që flet më shumë se fjalët, botim i Albas
Në 26-vjetorin e eksodit të shqiptarëve të Kosovës, një fotografi nga albumi “100 fotografitë që ndryshuan botën”, botuar nga ALBAS, rikujton dhimbjen dhe shpresën e refugjatëve. Një fëmijë që kalohet përmes telave me gjemba, një imazh që mishëron triumfin e jetës mbi dhunën dhe luftën.
Sot më 16 prill, shënohet 26-vjetori i eksodit të shqiptarëve të Kosovës, një ndër ngjarjet më të dhimbshme dhe domethënëse të historisë së afërt të kombit shqiptar. Gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999, rreth një milion shqiptarë u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre për të shpëtuar nga represioni i ushtruar nga forcat paramilitare serbe. Shumë prej tyre gjetën strehim në Shqipëri dhe Maqedoni, në kushte të vështira, por me një qëllim të vetëm: të mbijetonin.
Në këtë përvjetor, vëmendja ndalet tek një foto ikonike që përfaqëson dhimbjen, shpresën dhe fuqinë e dashurisë familjare. Fotoja është pjesë e albumit të rrallë “100 fotografitë që ndryshuan botën”, një botim i përbashkët i shtëpisë botuese Albas dhe White Star, i cili përmbledh imazhe të cilat kanë lënë gjurmë në ndërgjegjen kolektive të njerëzimit.

Fotografia është realizuar më 3 maj 1999 në Kukës, nga fotografja e njohur Carol Guzy, e cila fitoi çmimin Pulitzer për këtë punë. Ajo dokumentoi jetën në kampet e refugjatëve bashkë me kolegët e saj nga The Washington Post, duke sjellë në dritë për botën atë që po ndodhte me mijëra njerëz të pambrojtur.

Në foto shfaqet një fëmijë i vogël, Agim Shala, vetëm 2 vjeç, që po kalon përmes një gardhi me tela me gjemba në krahët e gjyshërve të tij, të cilët ndodhen jashtë kampit të refugjatëve. Nga ana tjetër janë prindërit e tij, brenda kampit. Të ndarë nga dhuna, por të bashkuar nga shpresa. Një grua buzëqesh, e mbushur me emocion, ndërsa gjyshërit përpiqen të përqafojnë nipin për herë të parë pas një kohe të gjatë, mes frikës dhe pasigurisë. Kompozimi diagonal i fotos, drita që godet fytyrën e fëmijës dhe kontrasti me telat me gjemba e bëjnë këtë imazh të paharrueshëm – një dëshmi vizuale e triumfit të jetës mbi dhunën dhe përçarjen.
Përmes kësaj fotoje, e cila ka “ngrirë” në kohë një çast të dhimbshëm por tejet njerëzor, prekim thellë dramën e eksodit kosovar dhe fuqinë e qëndresës njerëzore.

Ky album përfshin edhe një tjetër imazh të fortë për historinë shqiptare: eksodin e shqiptarëve me anijen “Vlora” në Bari në vitet ’90, një tjetër moment ku shqiptarët përballen me kufijtë, me urinë, me “telat me gjemba”, por edhe me shpresën.
Albumin e gjeni online në këtë link: 100 fotografitë që ndryshuan botën
Përgatiti Nanila Allkja Biçaku
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Pse duhet të lexosh? Këto 100 thënie për leximin janë për ty...
23 prilli, Dita Botërore e Librit
Junila Lala, ndër mësueset e gjuhës shqipe në Greqi që u shpërblye nga shteti shqiptar pas disa vitesh vullnetarizëm