Mësimi shqip në diasporë

“Ruajtja e gjuhës amtare te fëmijët e mërgatës shqiptare”, mbahet Kuvendi i Mësuesve në Diasporë

Me datën 9-10 mars në Augsburg të Gjermanisë u mbajt Kuvendi i Mësuesve me temë “Ruajtja e gjuhës amtare te fëmijët e mërgatës shqiptare”. Qëllimi ishte që pjesëmarrësit, të nxjerrin në pah problematikat me të cilat ballafaqohet ky lloj mësimi, të parashtrojnë kërkesat e tyre si dhe zgjidhjet e mundshme.

Kuvendi i Mësuesve!

…një Kuvend Pune, i cili nxori në pah një mori problemesh, kërkesash dhe nevojash për një organizim më të mirë të mësimit plotësues në Diasporë. Pjesëmarrës përfaqësues institucionesh, studiues, dhe veçmas mësues, të cilët me angazhimin dhe përkushtimin e tyre janë shembulli më i mirë se si duhet të angazhohemi në vendet ku jetojmë dhe veprojmë, me qëllim që sa më shumë të përhapin “dritën e diturisë” në gjuhën shqipe kudo ku ka shqiptarë. 


Me datën 9 dhe 10 mars në Augsburg të Gjermanisë u mbajt Kuvendi i Mësuesve me temë “Ruajtja e gjuhës amtare te fëmijët e mërgatës shqiptare”. U quajt Kuvend pune sepse kishte për qëllim që pjesëmarrësit, në rend të parë mësuesit të nxjerrin në pah problematikat me të cilat ballafaqohet ky lloj mësimi, të parashtrojnë kërkesat e tyre si dhe zgjidhjet e mundshme. Mësues, kryetar Lidhjesh të Shkollave Shqipe apo të Shoqatave, nga shtetet si Gjermania, Zvicra, Suedia, Anglia, Turqia, Italia, Greqia, Austria, Kroacia, Sllovenia, Franca, Amerika, Danimarka, Finlanda, Norvegjia etj., parashtruan punimet e tyre rreth temës në fjalë. Në bazë të kumtesave të parashtruara lirisht mund të thuhet se ky kuvend ia arriti qëllimit, duke vënë në rend dite çështjet që lidhen me të ardhmen dhe sfidat e mësimdhënies në diasporë në vendet e komuniteteve shqiptare.


Vëmendje të veçantë te pjesëmarrësit solli prezantimi i programit të punës së Qendrës së Botimeve për Diasporën për ruajtjen e gjuhës shqipe në diasporë për vitin 2024 të prezantuar nga drejtohesha e këtij institucioni znj. Mimoza Hysa dhe pastaj duke vazhduar me trajtimet e shumta nga vendet e ndryshme si problematikat e organizimit të mësimit plotësues në Zvicër, problematikat e fëmijëve në vijimin e mësimit plotësues në Bavari – Gjermani, mësimi i gjuhës shqipe në Itali, në Turqi, në Austri, në Greqi, Slloveni, Angli, Francë etj. 


Ajo që ngjalli kureshtjen e pjesëmarrësve ishin prezantimet e mësuesve nga shtetet ku mësimi i gjuhëve amtare është integruar siç janë Norvegjia, Finlanda, Suedia, Danimarka, Austria, Kroacia, të cilat edhe për kundër sistemit të gjuhëve amtare në sistemin arsimor të këtyre shteteve numri i fëmijëve shqiptarë që vijojnë mësimet në gjuhën amtare është shumë i ulët, sa që nuk tejkalon numrin e fëmijëve të shteteve ku pagesa bëhet nga ana e prindërve. 


Ky krahasim na detyron që problematikat e organizimit të gjuhës amtare në diasporë t`i analizojmë më thellë duke i përkufizuar kërkesat me qëllim, që të ndryshojmë gjendjen në të mirë të një vijimi të rregullt të orëve mësimore në gjuhën shqipe nga klasa e I – IX. 


Me të drejtë u tha se çështja organizative është një nga elementet bazë ku duhet të veprojmë të gjithë së bashku duke krijuar një strategji kombëtare për t`i përballuar sfidat e shumta. 


Me interes u përcollën edhe ligjëratat tjera, ligjërata e mësueses Drita Gjongecaj rreth organizimit të mësimit në gjuhët amtare Nju Jork të ShBA për “programet e gjuhës shqipe në SHBA dhe masat e nevojshme për arritjen e niveleve të reja”, kumtesa e Isuf Bytyçit me temë “Strategjia kombëtare e shtetërore për organizimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë”, si dhe prezantimi i temës “ndikimet gjuhësore e letrare te nxënësit” e mësuesit Isuf Ismailit. Në mesin e shumë prezantimeve pjesëmarrësit patën rast të dëgjojnë edhe ligjëratën e kryebashkiakut të Horës së Arbëreshëve Rosario Petta me temë: “Mësimi i arbërishtes te Hora e Arbëresheve”, që lirisht mund të thuhet se arbëreshët janë modeli më i mirë përpjekjeve shekullore për ruajtjen e gjuhës amtare. 


Vlen të përmendet se në këtë kuvend pune të organizuar nga Këshilli Koordinues i Diasporës (KKD) në bashkëpunim me Qendrën e Botimeve për Diasporën (QBD) dhe Këshillin Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë (KKAD) morën pjesë mësues dhe kryetar të Lidhjeve të shkollave shqipe të cilët dhanë një ndihmesë të madhe Kuvendit, si Mustafë Krasniqi, Drita Gjongecaj, Mira Shehu, Dritan Mashi, Teuta Tabaku, Anila Kadija, Miradije Berisha, Aurela Konduri, Isuf Bytyçi, Neat Marku, Pjerin Lleshi, Entela Tabaku, Rosario Petta, Muhamet Idrizi, Vera Xhafa – Haliti, Valbona Trashani, Vjollca Zeqiri – Asllani, Daut Gërxhaliu, Nevzat Ibishi, Anita Duriçi, Isuf Ismaili, Enela Markja, Arta Emiri, Vaxhid Sejdiu etj, të cilët me prezantimet e tyre për gjuhën shqipe gjatë dy ditëve Kuvendit i dhanë karakter të plotë pune. 

Mësuesve në këtë Kuvend iu bashkëngjiten edhe përfaqësuesit e institucioneve tona nga Ministria e Punëve të Jashtme e R. së Shqipërisë znj. Artemis Malo, nga Ministria e Punëve të Jashtme e R. së Kosovës, znj. Liza Gashi, nga Ministria e Arsimit të R. së Shqipërisë znj. Nina Guga, nga Ministria e Arsimit të R. së Kosovës z. Taulant Kelmendi, nga Ministria e Arsimit të R. së Maqedonisë së Veriut z. Agim Nuhiu, drejtoresha e Qendrës së Botimeve për Diasporën znj. Mimoza Hysa, ambasadori i R. së Kosovës z. Faruk Ajeti, drejtori i Departamentit për Diasporën z. Hamdi Reçica, kryetari i Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare z. Ardian Lekaj, konsujt në Mynih të Gjermanisë Znj. Gentiana Mburimi dhe z. Afrim Nura të cilët gjithashtu përcollën te pjesëmarrësit qëndrimet e institucioneve të cilat përfaqësojnë. 


Ajo që duhet të shënohet është padyshim mbështetja e Kuvendit të Mësuesve nga donatorët vullnetarë si veprimtari z. Mark Gjonaj, biznesmenët z. Lazim Destani dhe z. Ardian Lekaj nga Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare, znj. Emina Çunmulaj dhe z. Shaip Deda, ndaj të cilëve Grupi Organizues i Kuvendit shprehën një falënderim të veçantë. 


Pra, thënë shkurt në bazë të kumtesave të pjesëmarrësve dhe fjalëve përshëndetëse të përfaqësuesve të institucioneve tona interesimi rreth organizimit të gjuhës shqipe në Diasporë është në rritje e sipër, por ende i pamjaftueshëm përballë numrit të madh të fëmijëve shqiptarë, të cilët vijojnë mësimin e rregullt në shtetet pritëse. 


Me të drejtë u kërkua hartimi i një programi kombëtar për gjuhën shqipe Shqipëri – Kosovë – Maqedoni e Veriut, apo ndryshe një strategji e përbashkët për trajtimin e gjuhës amtare në mërgatën shqiptare, tekste të mjaftueshme për të gjitha nivelet e mësimit, tekste shtesë të përshtatshme për këtë lloj mësimi, të krijohet harta e shkollave shqipe, të vazhdohet në mënyrë të rregullt me trajnimin e mësuesve, që viti shkollor të shoqërohet me një promovim të theksuar të gjuhës shqipe gjatë gjithë vitit kalendarik etj. 


Por një nga çështjet kryesore padyshim u theksua se është dhe mbetet njehsimi i shkollave shqipe si dhe përpjekjet e përbashkëta për ndërgjegjësimin e mërgatës shqiptare rreth ruajtjes së gjuhës dhe kulturës kombëtare. 



©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

771 Lexime
8 muaj më parë