“Litar të kambanës” nga Myrto Hysaj
Shkrimi nga Myrto Hysaj është një thirrje prekëse për të shpëtuar "Tempullin e dijes", shkollën. Autori flet për sfidat që përballon trekëndëshi Familje-Shkollë-Shoqëri dhe për nevojën e përkushtimit ndaj edukimit të fëmijëve. Një reflektim mbi përgjegjësinë e përbashkët për të mbrojtur brezat e rinj.
Nga Myrto Hysaj,
Nëntor 2024, Shkodër
Po i këputen fijet "Litarit të Kambanës" së shkollimit! Po bien brinjët e TREKËNDËSHIT Familje-Shkollë- Shoqëri
Në moçalishten e viteve parcelat e mbetura pa mirëmbajtje, pa mirëtrajtim dhe dezifektim po gumëzhijnë "INSEKTE" që hera-herës thumbojnë dhe pickojnë trupin e brishtë të adoleshencës së këtij vendi quajtur Shqipëri.
Lulishtet dhe oborret shkollore po humbasin gjelbërimin - shpresën e jetës.
Bordurat e tyre janë aq të cekëta sa s'arrijnë të ndalin rrjedhë gjaku mbi lulet që as vjeshta nuk guxonte t'jua zbehte gjethet.
Shkolla - fidanishtja e së ardhmes nuk është molisur as nga acarët e dimrave më të ashpër te çdo stinë njerëzore, sot në prag dimri, po përjeton acar shpirtëror.
Kambanës së shkollimit po i këputen fije njerëzore. Po këputen fije të çelikta nga ky litar.
Fije respekti dhe dashurie për NËNËN-edukatoren e parë të fëmijës.
Fije autoriteti dhe respekti për edukatorin shkollor- Mësuesin/ sen.
Të nderuara NËNA!
Ju keni kaluar lindje të vështirë djalë apo vajzë.
Fëmija juaj ngjan me TOKËN.
Rrotullohet rreth vetes dhe diellit, e ky DIELL jeni Ju NËNË!
Mos harroni!
Jeni ju që ndërtoni stinët e jetës.
I nderuar MËSUES!
Jeni JU që te kjo "tokë" duhet mbjellë farë e dijes kulturës dhe dashurisë për gjuhën shqipe Atdheun, kombin!
Jeni JU edukatorë që i jepni brezit të ri sytë e kohës për ta parë horizontin drejt së ardhmes!
Jeni ju shtetarë e pushtetarë, që duhet t'i mbroni të drejtat dhe liritë e fëmijëve adoleshentëve dhe të rinjve shkollarë e studentorë!
Aty ku mbarojnë liritë dhe të drejtat e brezave në shkollim, aty fillon riedukimi me të gjitha hallkat e tij!
Vërtet jemi te koha e lokomotivave, trenave me një shinë por kjo te shoqëritë e një digjitalizimi me bazë të një edukimi të shëndetshëm, ndërsa shoqëria shqiptare ka shumë rrugë për të arritur përmes këtij digjitalizimi, ndaj i duhet të rrugëtojë mbi dy shina EDUKIM-RIEDUKIM!
Para disa ditësh një engjëll e vetëflijua.
Fillim java e këtij mbarim muaji, ndau për gjysmë një tryezë shkollore.
Mbi të një qenie fëminore mori me vete copëz të drunjtë kalbur prej lotëve të heshtur të shoqërisë shqiptare, që vetëm di të heshtë.
Bashkë me gjysëmbankë shkollore dhe dy këmbët e hekurta të shtetit e pushtetit aktual u deformuan!
Prindër të nderuar!
Edukimi i fëmijës suaj vazhdon me shkollimin dhe profesionalizmin te mjediset shkollore!
Shkolla ka qenë është dhe do të mbetet TEMPULLI i dijes njerëzore.
Çdokush e fillon rrugëtimin e tij te ky tempull njerëzor përmes misionit fisnik human e plot vizion të mësimdhënësve për tek horizontet e së ardhmes.
Ky mbetet përjetësisht qëllimi i parë dhe i fundit i çdo vatre të dijes-shkollës shqipe mbarëkombëtare.
Fan Noli, kolosi i letrave shqipe Shekspirin e mësoi të fliste shqip, por kurrë s'do ta pranonte as dhe në amshim, të luhej "Tragjedi fëmijërore" prej së vërteti te shkollë shqipe "Fan Noli",e aq në kryeqytetin e Shqipërisë.
Kushdo që ka dorë të pastër dhe zemër plot dashuri për këto breza shkollarësh - ta ruajë dhe mbajë fort litarë te kambanë shkollore!
Veshë e zemër e mbarë shqiptarisë duhet patjetër t'ia dëgjojë jehonë deri sa retë dhe mjegullnajat e kësaj kohe të largohen dhe te qiell i diturisë të shndrit DIELL i paqes lirisë, të drejtës për të jetuar ashtu si e meriton çdo fëmijë i kësaj toke të bekuar nga vetë PERËNDIA!
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Shënohet 22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Artistët shqiptarë të periudhës së Pavarësisë
Pse duhet të lexosh? Këto 100 thënie për leximin janë për ty...